Eh, nuk na lë njeri më ta prishim Shqipërinë, Doktor!

12 Maj 2017, 09:16Politika TEMA

Nga Shpëtim Nazarko

Kur ngjarjet po zhvendoseshin drejt Kavajës për zgjedhjet e 7 majit, m’u krijuan përsëri imazhet e 14 shtatorit të ’98-s. Brenda tri-katër orësh, nën presionin e turmave, i gjithë shteti u dorëzua. Kishte mbetur vetëm Meidani, që pinte duhan në Presidencë dhe dëgjonte sa në njërën anë përfaqësues të pozitës e pastaj ata të opozitës. Këta që kishin lënë me qëllim kështjellën e presidencës pa prekur, prisnin legalizimin prej tij të procesit që e quanin përfundim të revolucionit demokratik. Termi Republikë e re nuk njihej në atë kohë…

Dhe aty nga ora 5 e mbasdites së 14 shtatorit, më duket përfaqësuesi më i vjetër dhe më i respektuar i demokratëve, Pjetër Arbnori, mbërriti duke u lutur që presidenti të justifikonte diçka. Dhe mundësisht ta bënte këtë në televizion.

Meidani, që kishte tërë ditën pa lëvizur nga vendi, sapo kishte përzënë gati pa diplomaci Gramoz Pashkon, që kishte idenë e minimit të ca zonave në afërsi të PD-së. Sipas tij, në PD kishte dhe armatime të rënda.
Në Ministrinë e Brendshme, ku nuk kishte njeri dhe të tërë ia kishin mbathur, për nja tetë orë rresht nuk e di se nga kishte mbirë një civil, që i kishte qejf shakatë dhe komandonte me zë autoritar, po nuk dihej se kë, nëpërmjet ca urdhrave operativë që Preç Zogaj i ka pasqyruar mirë në një nga ata librat e tij publicistikë mbi kohën.
Meidani u përgjigj me qetësi se nuk mund të mbante fjalim në televizon pa dalë uzurpuesit jashtë tij. Më duket se i atribuohet një shaka e hollë dhënë si përgjigje Arbnorit… Zbrazeni xhaminë nga ata që e kanë zënë, se hoxha i saj nuk këndon dot kështu.

Po a po vemi vërtet në atë situatë dhe a mund të përsëritet dy herë e njëjta shaka? E kjo ca më tepër kur dihen përfundimet e asaj të parës?

Atëhere u shtymë nja 5 vjet prapa në kohë, duke lëpirë plagët e 14 shtatorit dhe kaq. Çështja a e bëjmë dot dhe sa mbrapa shkojmë kësaj radhe, duke e ditur që më parë se shtetin nuk e përmbys dot asnjeri.

Nuk e kemi aty qëllimin, mund të thotë dikush nga e djathta. Mund vetëm ta trembim atë që kryeson qeverinë dhe të dalim prapë nga institucionet, ashtu si në 14 shtator, kështu që mos ki frikë. Shumë-shumë, mund të vonojmë ca zgjedhjet e reja dhe të thërresim prapë Evropën në ndihmë. Thua të jetë kështu?

Pavarësisht se i urrej teoritë konspirative, duket se diçka po lëviz, jo vetëm në kufijtë tanë shtetërorë. Dhe situata duket analoge me atë kur në vigjilje të goditjes së NATO-s në ish-Jugosllavi, opozita kërkoi pa iu dridhur zëri të shkonim në zgjedhje të parakohshme, a në një rrëmujë të ngjashme.

Situata analoge duket më e rrezikshme kësaj radhe. Papritur Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, të tëra janë në prag rrëmujash të ngjashme dhe duket sikur të tria vendet mund të ngelen mall pa zot.

Duke ritheksuar se i urrej teoritë konspirative, nuk mund t’i bashkohem idesë se më në fund Rusia ia mbërriti edhe njëherë t’i bëjë lesh e li vendet në Ballkan, duke shënuar një nga ato fitoret e vogla që mund t’i inkuadrosh si fitore në gjeopolitikë.

Mund të bëj gati megalomanin ndoshta, kur kohë më parë, në një shkrim, e shpreha qartë se edhe sikur Rama të tundej nga vendi e të lejonte qeveri teknike si në Maqedoni, atë nuk do ta linin. E jo së pari Partia e tij, por vetë Evropa që i di si janë ngjarjet, këtu e vërdallë, ca më parë se ne…

Po a mund të na lënë ta prishim edhe njëherë vendin? Nuk e besoj se do të ndodhë, sepse shakanë e Republikës së re që kanë zënë e përmendin dhe një pjesë e elitës së vjetër që përmend në tym emra duke kujtuar se është në leksione shkolle, në Evropë e njohin. E kemi përsëritur nja tri herë këtë zanatin e djegies së vendit, këto njëzet e pjesë vjet, sa besoj në një gjë tjetër më të thjeshtë.

Kur dëgjojnë në Evropë se filluam zanatin e vjetër, aq sa qeshin aq edhe inatosen. Dhe kanë filluar t’i kërcasin me të drejtë dhëmbët. Kur Basha çuditet dhe u flet në çadër se Rama ka blerë ndërkombëtarët, pa dyshim që harron historinë. Nga kjo e fundit nuk mund të zënë mend ndoshta miltantët, por jo Evropa që mban shënim dhe nuk harron.

Nuk ka ndërmend të na bjerë prapë 6 ushtri këtu, të na shpëtojë, e as të na hedhë thasë me ndihma, si dikur në vitin e largët ’91.

Prandaj, kësaj radhe, që më përpara se të zëmë e të përsëritim hyneret e vjetra, ka zënë e i kërcëllon ajo e para dhëmbët. Këtë bëri dhe pak orë më para komisioneri i saj i lartë Hahn, e këtë kanë bërë këto ditë të tjerë si ai, nga Amerika e largët.

Shqipëria e vjetër ka rënë me kohë. Ajo e reja nuk po ngrihet dot në këmbë e fortë, për njëmijë e një arsye, po një gjë është e sigurt. Prapa nuk kthehet dot më.

Kaq e thjeshtë është puna. Nuk na lënë më as Evropa e as Amerika ta prishim edhe njëherë Shqipërinë.
Nuk e kam autoritetin për ta kthyer në vendim një fjali të përsëritur shpesh këto kohët e fundit në shkrimet e mia. Po prapë mund të them aq sa më takon.

Në Lanë, djema, në ato zyrat e mëdha, zgjidhen punët. Aty duhet të vendoset se kush do ta zërë përsëmbari komandën në këtë parti pas 18 qershorit…

Të tjerat janë broçkulla nga fillimi në darkë, sepse nuk na lë njeri ta prishim edhe një herë Shqipërinë, Doktor! (Konica.al)

3 komente në “Eh, nuk na lë njeri më ta prishim Shqipërinë, Doktor!”

  1. qamo says:

    Zoti Nazarko, më duket se ngatërron dëshirat e tua personale, me interesat “e ftohta” të Perëndimit… Harrove se pas grushtit të shtetit të 98-tës, Berisha u bë “burrë shteti”, qeverisi këtë vënd të mjerrë edhe 8 vjet të tjera, duke bërë çfarë deshi dhe sot tallet me këtë popull fukara… që e ha shumë kollaj sapunin për djath…!

  2. duno says:

    Ti plaku matuf qe ndonje trap te mban per te mencur duhet te kuptoshe shifrat qe hiqesh sikur i ke qejf . Me mire eshte te kthehesh pese vjet mbrapa sic kerkon Basha apo 71 vjet mbrapa si kerkon Edvini qe po ben zgjedhje pa opoziten si baba Enveri ne vitin 1946 ? Me sa duket Enveri s ta ka qirre tamam nenen dhe do tja dorezoshe Edvinit qe te konkludoje . Ik e mbytu ne ujrat e lanes se qelbe dynjane o matuf .

  3. fieraku NGA ferrasi says:

    Na Jane bere keta dy vellezer
    Kungull MOS te bifte farà
    Ngado shkoj na del perpara
    Po Ca do i prishet me shqiperise
    E vodhen eshkaterruan e fukarallosen
    Komunistet ka 70 vjet
    Me sa u Denua Enver Hoxha me skoten e vet
    AQ do denohen edhe keta te tjeret
    Ti Shpetim qe do te ndricosh mendjen e popullit te thjeshte
    Pse si thua se vetingu eshte dhjere akoma PA u bere nga te gjitha palet
    Pse si thua per ligjin qe ndalon te rigjykohen ceshtjet e korrupsionit
    Ligji socialist qe e dekretoi presidenti demokrat.
    Rama mund te kete bere njeqind te zezat
    Por nje gje e tha mire
    800 vete e sjellim verdalle kete vend
    Politikanet gazetaret dhe analiste
    Aty Brenda je dhe ti dhe prostituta shoqeria civile.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje