Partia Demokratike përgatitet për protestën vendimtare mes frikës për dhunë

Opozita pritet të zhvillojë protestën e saj më të rëndësishme nesër (13 prill) me premtimin se do të mposhtë qeverinë me mosbindje popullore, ndërkohë që ambasadat e huaja paralajmëruan shtetasit e tyre të mos i afrohen qendrës së qytetit dhe të shmangin protestën për shkak të frikës për dhunë.

Nga Gjergj Erebara

Duke i premtuar mbështetësve të vet “protestën më të madhe në historinë e vendit” si dhe rrëzimin e qeverisë përmes presionit popullor, Partia Demokratike dhe aleatët e saj në opozitë pritet të mbushin bulevardin qendror të Tiranës paraditen e të shtunës.

“Nesër nis rrugëtimi i bashkimit të shpresave të çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershëm, i besimit të patundur në të ardhmen më të mirë që na pret, i vendimit të madh për të rrëzuar me forcën e bashkimit nga themelet republikën e vjetër të vesit, republikën e vjetër të korrupsionit, republikën e vjetër të krimit dhe drogës, republikën e vjetër të pazareve të ndyra politike, republikën e vjetër të kupolës së vjetër politike, që luajti gjithë këto vite teatrin e ndyrë, teatrin e kukullave në kurrizin e shqiptarëve dhe për të themeluar që nesër përmes forcës së bashkimit republikën e qytetarëve shqiptarë,” deklaroi Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike, në çadrën e protestës së opozitës që vijon pa ndërprerje që nga 8 shkurti i këtij viti. ” Nesër bashkohen në këtë shesh si kurrë më parë shqiptarët,” premtoi ai.

Partia Demokratike ka deklaruar bojkotimin e zgjedhjeve të 18 qershorit me argumentin se qeveria nuk ka ofruar kushtet për garë të barabartë, një lojë që mund të kthehet në bumerang për të rast se zgjedhjet e 18 qershorit zhvillohen siç janë planifikuar, ku në garë janë vetëm partitë e qeverisë dhe ku Partia Socialiste pritet të marrë shumicën dërrmuese të parlamentit të ardhshëm.

Basha ka premtuar se protesta e orës 12 do të jetë paqësore, por frika për dhunë është e konsiderueshme dhe faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje dhe ka lëshuar kërcënime kundër përdorimit të dhunës. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin Johannes Hahn i dërgoi të enjten një letër të hapur popullit shqiptar ku konsideron opozitën fajtore për mungesën e kompromisit me qeverinë dhe kërcënon udhëheqësit përgjegjës për masa.

Në mënyrë të pazakontë, ambasada e Holandës në Shqipëri bëri të ditur se stafi i saj qe këshilluar të mos marrë pjesë në xhiron e përvitshme me biçikleta të komunitetit LGBT për shkak se afërsisht në të njëjtën zonë do të zhvillohet edhe protesta e opozitës. Ambasadat e huaja e kanë si rregull të paralajmërojnë shtetasit e tyre të qëndrojnë larg protestave të tyre për çdo rast, por protesta e nesërme duket se zhvillohet në një klimë më të tensionuar se sa zakonisht.

Aleanca LGBT, e cila po organizon për vitin e gjashtë radhazi xhiron me biçikleta, njoftoi se planet e saj nuk do të ndryshojnë dhe se xhiroja e tyre do të zhvillohet në orën 10. Por në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, organizatorët bënë të ditur se xhiroja e tyre me biçikleta nuk do të kalojë pranë çadrës së protestës së opozitës.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Partia Demokratike përgatitet për protestën vendimtare mes frikës për dhunë”

  1. Arta says:

    Njerëz ! Mos dilni në protestë!
    Saliu do bëj kurban!
    Jetët tona vlejnë!
    Kemi familjar për tu kujdesur, dhe fëmijë për të rritur!
    SHQIPËRIA ËSHTË E TË GJITHEVE!,JO VETËM E PD/së
    🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱

  2. Milan says:

    Per ke popull e keni fjalen? Populli fjalen e vet do ta japi ne 18 Qershor,pastaj te shohim sa bukur do ti mbani fjalimet,o me falni, harova qe jeni jashte loje 🙂

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *