Thaçi flet për mediat kroate: Serbia ka plane për ndarjen e Kosovës

12 Maj 2017, 15:04Rajoni TEMA

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është i lehtë. Ai ka shtuar se dialogu nuk ka alternativë, deri në njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës. Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë një interviste për të përjavshmen kroate “Nacional”.

“Unë e kam udhëhequr luftën për çlirim të Kosovës, por e kam udhëheq edhe dialogun për fqinjësi të mirë me Serbinë. Sepse, kjo është domosdoshmëri. Ne kemi punuar për normalizim dhe pajtim, i besoj se kjo mund të ndodhë me plotë vështirësi. Dialogu s’ka alternativë, deri në njohjen nga Serbia për shtetin e Kosovës. Por, të dialogosh me Serbinë nuk është e lehtë”, ka theksuar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova e di që Serbia ka plan për ndarje të Kosovës, duke shtuar se ai moment për Serbinë nuk do të vijë, përcjell “Zeri.info”.

“Kosova e di që Serbia ka plan për ndarje të Kosovës, dhe e pret momentin. Por, e theksoj përsëri kurrë ai moment për Serbinë nuk do të vijë. Prandaj, ka qenë fillimisht provokimi me tren. Një tren i dhuruar nga Rusia, me parulla “Kosova është Serbi”. Hapi tjetër ka qenë ndërtimi i murit, hapi tjetër futja e paramilitarëve në Veri të armatosur dhe me krijuar realitete të ndarjes së Kosovës. Por, e theksoj se është fat që falë vendosmërisë sonë treni është ndalë me dhjetëra kilometra larg kufirit me Kosovën”, ka thënë Thaçi.

Thaçi tutje ka thënë se Serbia nuk di të fitojë luftëra, sipas tij, di vetëm të fillojë po nuk di të fitojë.

“Por, kur flasim për luftëra, të gjithë e dimë se Serbia nuk din me fitu luftëra, din me fillu, por nuk din me fitu. Edhe këto përpjekje i ka humbur në raport me Kosovën. Privatisht në të gjitha takimet që kam me lidershipin e Serbisë, ata pranojnë që Kosova është e pavarur, me të gjithë. Të gjithë e dijnë që Kosova do të hyjë në NATO dhe Bashkim Evropian, por secili këqyr si me nxjerrë fytyrën e vet”, ka thënë Thaçi.

1 komente në “Thaçi flet për mediat kroate: Serbia ka plane për ndarjen e Kosovës”

  1. Xen deledashi says:

    Kroacia, shembulli më i mirë për shqiptaret

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje