Zinedine Zidane te Reali deri në 2020

13 Maj 2017, 14:20Sport TEMA

Edhe pse sezoni futbollistik ende nuk është mbyllur, drejtuesit e klubit Realit duken të vendosur për të rinovuar me trajnerin Zidane. Real Madrid është në finale të Champions dhe në garë për La Ligan.

Zinedine Zidane, do të jetë trajner i Realit të Madridit deri në vitin 2020. Drejtuesit e Los Blancos nuk kanë më asnjë dyshim, francezi duhet të qëndrojë në këtë detyrë të paktën edhe për tre sezonet e ardhshme. Oferta e rinovimit të kontratës është mbi tavolinë dhe Zizu mund ta firmosë kur të dojë. Presidenti Florentino Perez nuk i nevojitet më shumë kohë për të hequr dyshimet e tij edhe nëse Reali nuk do të arrijë të triumfojë në Champions. Ai ka besim të plotë të francezi, i cili e drejton skuadrën prej 17 muajsh.

Sipas mediave spanjolle ka qenë vetë Zidane, i cili e ka shtyrë për pak kohë firmën, sepse dëshiron të jetë maksimalisht i përqendruar për ta mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin, fituar titullin në La Liga dhe Champions Leaguen. Reali është aktualisht në vendin e dytë në La Liga me pikë të barabarta me Barcelonën, por ka një avantazh të madh ndaj blaugranave, ndeshjen e prapambetur ndaj Celta Vigos.

Në tri ndeshjet e mbetura mjafton që të barazojë njërën dhe të fitojë dy të tjerat për të ulur nga froni i kampionit Barcelonën. Kontrata e re parashikon një rritje të ndjeshme të pagës krahasuar me shumën që do të përfitonte francezi në bazë të marrëveshjes së vjetër që skadonte në 2018-ën. Nën udhëheqjen e Zidane, Reali ka arritur të fitojë një Champions League, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje