Lulzim Basha e shkrehu shpatën, sapo pa situatën!

14 Maj 2017, 09:23Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Po të mos ishte ai postim në Facebook prej Sali Berishës ku shkruante se, në shesh janë 600 mijë protestues, besoj që askush nuk do merrej në mënyrë tallëse me sasinë e pjesëmarrësve në mitingun e opozitës. Dihet botërisht që Berisha e ka sëmundje t’i zmadhojë gjërat, aq sa edhe kur ka të drejtë për diçka, bëhet i pabesueshëm. Kjo është një sëmundje e pashërueshme e tij dhe është një nga faktorët që e rrëzoi nga pushteti. Sepse ai shihte në mënyrë të zmadhuar “mrekullinë” që kish ndërtuar dhe, në mënyrë të zvogëluar, fuqinë e opozitës së kohës që rritej e rritej po që Berisha s’e shihte.

Në një shkrim të mëparshëm e theksova se nuk ka rëndësi pjesëmarrja, sepse PD-ja i ka 600 mijë votues nga zgjedhjet e kaluara. Edhe sikur të ishte vetëm Basha aty në podiumin e ndërtuar në lartësinë e njeriut dhe poshtë, nën këmbët e tij, të ishte vetëm një protestues, nga Tropoja ose Saranda, unë do kisha respektin më të madh për atë protestues dhe nuk do tallesha fare. Por janë, si Berisha, si Basha, që nuk të lënë pa u tallur, sidomos kur përpiqen të na marrin ne të tjerëve si syleshë ku njëri thotë: “po çahet Tirana me 600 mijë vetë”, e tjetri thotë që, aty në bulevard është bashkimi më i madh që ka parë bota.

Dëgjova edhe ato të rinj që folën dhe duhet t’i përgëzoj se folën rrjedhshëm dhe m’u dukën idealistë. Por edhe ata ranë në batakun e dyshes 2B, kur mes rreshtash thoshin se, si ky miting nuk kish parë historia. Këtu filli këputej dhe kuptoje që fjalimi i tyre ishte pjesë e skenarit të parapërgatitur.

Në këtë shkrim nuk desha të merresha fare me pjesëmarrjen dhe me kaq po e mbyll i detyruar t’i them Lulit se sytë i kemi në ballë.

Unë nga mitingu i sotëm kisha kërshëri të fortë për të parë se cila do të qe Republika e Re që do shpallte Luli, atë që unë shkurtimisht e kam quajtur ReReL. Por Basha më zhgënjeu se ai thjesht tha po ato gjëra që na i thotë çdo ditë, dy herë në ditë, në Çadrën e vetë. Ato ishin më se shumti premtime elektorale që fare mirë, sot, po të ishte në fushatë, mund t’ia shpaloste elektoratit anembanë Shqipërisë. Fjalimi ishte shumë i vakët dhe i kish humbur edhe pathosi që e shoqëron zakonisht jo më larg se 10 metra pas shpinës ku kish qëndruar sot. Mbase ka ndikuar pjesëmarrja zhgënjyese që, besoj, as Basha nuk e ka pritur.

Gjithsesi, edhe ato premtime që tha në miting e që ai beson se janë pjesë e platformës së ReReL-it, m’u dukën kaotike dhe pa asnjë bazë ekonomike. Zakonisht ato lloj premtimesh i bëjnë parti të vogla që, nëpërmjet premtimeve të mëdha, duan të kapin ndonjë vend në Parlament.

Ti Lulzim premton për ulje trau në doganë për importet bujqësore që të mbrohet fermeri shqiptar. Kjo quhet proteksionizëm. Duke qenë se kemi përqafuar globalizmin, apo në kushtet kur kemi nënshkruar edhe marrëveshje të tregtisë së lirë, kjo që propozon është paksa e vështirë. Jo për gjë, se ka edhe reciprocitet prej të tjerëve sipas parimit: bllokon importet, të bllokojmë eksportet. Ju mund të ofroni subvencione që t’ia bëni më të lirë koston fermerit shqiptar dhe jo ulje trau që s’të çon gjëkundi.

Ti Lulzim premton me të madhe se në Kuvend do sjellësh përfaqësuesit më të mirë të popullit, të cilët do mendojnë vetëm për hallet e tij. Edhe këtu nuk je shumë i besueshëm. Nëse për parlamentarët e sesionit 2013 -2017 s’të bëj me faj sepse i zgjodhi Berisha, t’i Lulzim na zhgënjeve me këshilltarët e Bashkisë Tiranë që e kishe vetë në dorë. Ka ca syresh aty që me sjelljen dhe paraqitjen që bëjnë, përfshi edhe bojkotin e përhershëm plot sherr e shamatë, na detyrojnë që Paloka, Noka & Co të duken lule e shkuar lules.

Ti Lulzim u premton njerëzve se do sjellësh modelin e nëpunësve dinjitozë në shërbim të popullit, por për 4 vjet e mbajte në krye të Policisë Bashkiake atë tipin që sa vuri këmbë në zyrë tërhiqte zvarrë nëpunësit për t’i larguar nga tavolina e punës dhe që shpeshherë mbeti dyerve të prokurorisë prej denoncimeve. Edhe sikur 1 mijë herë ai lloj drejtuesi të kish të drejtë, vetë fakti që ishte bërë i padurueshëm me sjelljen e tij për shumë syresh, duhet të na kishe dhënë shembullin se di të ndërhysh në kohën e duhur për të mos treguar kokëfortin.

Ti Lulzim premton uljet taksash deri në 9 për qind për biznesin e madh. Në fakt, Berisha e kishte 10 për qind e ajo diferenca prej 1 për qind nuk është se luan shumë rol. E sërish ekonomia nuk u rrit, ose rritej me presje dhjetore mbi zeron, kurse sot luftohet të kapet 4 përqindëshi. Ne jetojmë në një kapitalizmi të egër, sepse erdhëm të barabartë nga komunizmi dhe nuk i njihnim mekanizmat mbi të cilin ngrihet sistemi që kemi zgjedhur. Kapitalistët tanë duan pasurim të shpejt dhe uljen e taksave nuk e reflektojë shumë në hapje vendesh pune, por në rritjen e pasurisë së tyre. Ata shfrytëzojnë djersën e punëtorëve dhe me rrogat e vogla arrijnë fitimet që duan. Ato ulje drastike taksash që ti propozon, thjesht do e çojnë ekonominë aty ku e kish Berisha që prej atyre politikave u detyrua dy herë të bënte shitje asetesh shtetërore pasi i mbeti arka bosh. E para ishte hotel Dajti prej së cilit arkëtoi 30 milionë euro nga Banka e Shqipërisë. Të paktën kjo godinë mbeti sërish pronë publike, por ç’t’i bësh se shiti 4 hidrocentrale fitimprurëse, Bistrica 1 e 2 dhe ato mbi lumin Mat, Ulza e Shkopeti, ku nga përllogaritjet privati brenda 6 viteve e rikuperonte çmimin e blerjes. Këtu nuk po përfshij borxhet e mëdha që la pas. Nëse me premtimet tua populiste, thënë ashtu kuturu, kërkon ta çosh ekonominë në atë gjendje sa të shesim pastaj edhe tri hidrocentralet mbi Drin: Fierzën, Komanin e Vau i Dejës, atëherë nuk dihet se edhe sa vite të tjera do na duhet për ta rimarrë veten.

Ti Lulzim premton taksë 1.5 për qind mbi xhiron për biznesin e vogël, duke krijuar iluzionin se po u bën nder. Sot qeveria Rama ka aplikuar zero taksa për xhiron deri 5 milionë lekë të reja. Me propozimin e Bashës, për këtë xhiro biznesi i vogël do paguajë 75 mijë lekë të reja. Për xhiron deri 8 milionë lekë të reja aktualisht biznesi paguan 5 për qind taksë mbi fitimin, duke u aplikuar skema e të ardhurave dhe shpenzimeve. P.sh. nëse të ardhurat janë 8 milionë dhe shpenzimet 7 milionë, biznesi tatohet 5 për qind për fitimin 1 milionë e barabartë me 50 mijë lekë. Me propozimin e Bashës i bie që të paguajë 120 mijë lekë të reja. Që të arrijë këtë pagesë me skemën aktuale, duhet që biznesi i vogël të ketë një fitim vjetor bruto prej 2.4 milionë lekë, ose 200 mijë lekë të reja fitim çdo muaj.

Nuk dua t’i vijon më tej këto krahasime sepse do duhej të mbushja faqe të tëra, por po e mbyll me një konstatim të vogël. Ti Lulzim refuzon ta pranosh realitetin duke mos lënë të paktën dy fije thinja te faforitet tek tëmthat, a thua se je gjithmonë i ri me 100% flokë pis të zeza. Rama e ka lënë me kohë, qysh sa ke ti moshën sot, që procesi biologjik ta bëjë të vetën. Po kështu më herët edhe Pandi Majko, edhe ai që ju e quani Saje Qorri. Të kam thënë se duhet të jesh vetvetja dhe ti, edhe në këtë aspekt, ke dështuar të jesh. Thinja është fisnikëri, jo turp!

8 komente në “Lulzim Basha e shkrehu shpatën, sapo pa situatën!”

  1. Majlinda says:

    Jo bukur , po fantastik. Rralle here kam lexusr nje analize te tille konstruktive dhe realiste. Do ta lexoj dhe nje here

  2. "BOHOTINA" says:

    , BUKUR, KUPTUESHEM.THJESHT

  3. Zani says:

    Bravo gazetari qe ka shkruajtur. Posotni sa me shume artikuj te tille. Pavarsisht temes, ishte shkruar shume bukur, me barazi dhe me ide te qarta. Shpjegove mjaft qarte kritikat dhe me 3 paragrafe zbertheve disa premtime boshe dhe te pavlera.

  4. realisti says:

    Nje shkrim brilant. Kete te lexojne CADRIANET e jo te degjojne pordhet e rrenat e bythpambukut Bashe..

  5. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Basha mbas “qeveris teknike” do kerkoj ne Hollande,cupen e mbretit !

  6. 122 says:

    Dhe i vure kapak floriri analizes duke i treguar MEGALLOMANIT se cfare vlere kane thinjat tek nje njeri!
    Respekte !

  7. Ida says:

    ??????????????????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje