MLS, Gashi fiton derbin ndaj Hykës

14 Maj 2017, 12:12Sport TEMA

Shkëlzen Gashi fiton derbin shqiptar me Jahmir Hykën në “Tokën e Mundësive”, duke i dhuruar Colorado Rapids fitoren ndaj San Jose Earthquakes në MLS.

Në Dick’s Sporting Goods Park, ku si Hyka dhe Gashi ishin titullarë që nga minuta e parë,  Gashi i cili rikthehej pas një dëmtimi zhbllokoi rezultatin në të 29 duke shënuar një gol të lehtë pas një asisti nga krahu i majtë për t’i dhënë Colorados, që nuk fitonte prej 7 ndeshjesh, kryesimin.

Ishte një gol i rëndësishëm që shërbeu për t’iu dhënë besim Rapids që 6 minuta më vonë dyfishuan me Dominik Badji që përfitoi në një kundërsulm të Colorados dhe pasi avancoi gjeti rrjetën me një goditje para zonës.

Rezultati 3-0 u vulos nga Gashi që kompletoi dygolëshin e tij të parë këtë sezon në minutën e 63 kur i gjendur i vetëm para portierit coi topin në trekëndësh duke ndëshkuar përfundimisht ekipin e San Jose.

Kjo ishte një fitore me peshë për Coloradon që shpreson të ketë gjetur më në fund kthesën e duhur ndërsa luan me Chicagon në transfertë të mërkurën e ardhshme, ditë kur ekipi i Hykës kthehet në shtëpi për tu përballuar me Orlando City.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje