Bollino: Të mbyllim hundët e të gjendet kompromisi për datën

17 Maj 2017, 20:48Blog TEMA

Nga Carlo Bollino

Pak gjë kuptohet përmes tymit të deklaratave, që përhapin partitë, në formë zyrtare apo jozyrtare, lidhur ecurinë e negociatave që po zhvillohen për të zgjidhur nyjen politike, e cila e shtyn opozitën për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Tani për tani nuk është asgjë e qartë, as ajo nëse a ka apo jo me të vërtetë negociata mes dy partive: më tepër duket se partitë po diskutojnë brenda për brenda tyre dhe më pas ia komunikojnë idetë e tyre ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili, si një top ping-pongu, kërcen nga njera zyrë në tjetrën duke bërë zëdhënësin.

Faktori ndërkombëtar duket se është i interesuar më shumë se faktori shqiptar për ta zgjidhur këtë situatë, e cila, në shumë aspekte, është paradoksale. Aq paradoksale, sa të shtynte Sali Berishën sot të deklaronte se Edi Rama është kundër vettingut dhe se Partia Socialiste nuk e dëshiron pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje.

Berisha është i njohur për aftësinë e tij për të permbytur qendrime dhe ide, por kulmi ishte që provoi ta bëntë një gjë të tillë sot, pas tre muaj protestash ku Partia Demokratike ka përsëritur në të gjitha gjuhët e botës se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në zgjedhje dhe se nuk ka ndërmend të votojë vettingun dhe, në fakt, nuk ka regjistruar listat e saj në KQZ dhe nuk është paraqitur në Kuvend për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në komisionet e vettingut.

Për të arritur dorëheqjen e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, Basha dhe Berisha kanë ngritur një çadër që po e mbajnë në këmbë prej tre muajsh në zemër të kryeqytetit, provuan mosbindjen civile, tentuan diversionin brenda koalicionit qeverisës, kërcënuan me revoltë në Kavajë, shpallën një ”protestë oqeanike” në Tiranë dhe komprometuan imazhin dhe besueshmërinë e të gjithë Partisë Demokratike në sytë e të gjithë liderëve politikë perëndimorë.

Por Edi Rama është gjithnjë në detyren e tij, i mbështetur si asnjëherë tjetër më parë nga demokracitë perëndimore, përfshirë këtu edhe shumë udhëheqës evropianë, që para kësaj krize konsideroheshin si aleatë të PD. Kur, më në fund, zbritën në fushë edhe Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar haptazi se Departamenti i Shtetit dhe Bashkimi Evropian do të njihnin vlefshmërinë e zgjedhjeve edhe pa pjesëmarrjen e opozitës, Basha dhe Berisha e kuptuan se kanë humbur dhe kështu që shpallën, më në fund, se janë dakord me gjithë ato çka tri javë në parë kishin refuzuar.

Pra e kane pranuar te ashtuquajturën paketa “McAllister plus”, e cila në praktikë përfshin garancitë e ofruara nga negociatori evropian McAllister, të bashkuara me ato të ofruara nga kryeministri Edi Rama gjatë negociatave të drejtpërdrejta të organizuara nga presidenti Nishani, propozime këto, deri dje të refuzuara me përbuzje nga Basha dhe Berisha.

Po si ka mundësi, atëhere, që ende nuk ka një marrëveshje? Këtu shtohet konfuzioni: sipas PD-së, është Rama ai që ka ndryshuar mendje. Sipas PS-së, është Basha ai që nuk është i sinqertë kur thotë se ka pranuar.

Duhet t’i dish të gjitha detajet e negociatave për të kuptuar se kush gënjen dhe kush është i sinqertë. Por një gjë duket qartë. Edi Rama nuk duket i gatshëm të pranojë të votohet përtej 30 qershorit, datë që lejohet nga Kodi Zgjedhor, i cili cakton, në bazë të Kushtetutës, kufirin e ligjshëm kohor brenda të cilit mund të zhvillohen këto zgjedhje të përgjithshme politike.

Ndërsa PD ka deklaruar se është e gatshme të pranojë që të votohet më 16 korrik, datë e caktuar në paketën McAllister. Në rast se, me të vërtetë, vetëm kjo është nyja që ka mbetur për t’u zgjidhur, janë të shumtë ata që pyesin veten: a ka sens të mos gjendet një konsensus mbi këto 16 ditë?

Lëshim apo refuzim lidhur me dy javë do të mund t’i kthenin në normalitet zgjedhjet e përgjithshme politike, apo do t’i dënonin të kalonin që sot në histori si të vetmet zgjedhje në Shqipërinë demokratike, në të cilat nuk ka marrë pjesë partia kryesore e opozitës.

Arsyetimi socialist është se paketa McAllister nuk është si një autobus i Unazës, që kalon çdo orë dhe kushdo është i lirë të hipë kur t’i dojë qejfi: me fjalë të tjera, Basha bëri gabim që e refuzoi kur iu propozua për herë të parë. Një lexim pak a shumë tekanjoz per nje element qe nuk do t’i hiqte asgjë disfatës politike të një opozite, të shtrënguar pas tri javësh të ulë kokën përballë çdo kërkese e cila më parë konsiderohej si e papranueshme.

Një proverb, që përdorej shpesh nga demokristianët italianë në prag të çdo kompromisi të vështirë, por të domosdoshëm, tingëllon pak a shumë kështu: gëzimi i fitores është i jashtëzakonshëm, por nuk është asgjë para përmasave të dhimbjes që ndjen pas disfatës. Duhet vetëm të mbyllësh hundën dhe ta pranosh.

Ndoshta kthesa mund të vijë orët e ardhshme nga Kolegji Zgjedhor, ku bën pjesë edhe gjyqtari i përfolur Gjin Gjoni: në rast se Gjykata do ta gjente të bazuar rekursin e paraqitur nga Partia Agrare lidhur me vonesën 24-orëshe me të cilën PS dhe LSI paraqitën listën e tyre dhe, kështu, të urdhëronte anulimin, nuk do të kishte më zgjedhje më 18 qershor.

Do t’i takonte kreut të shtetit dhe partise politike të dekretonte një datë të re për të votuar; kështu, ngërçi i datës së zgjedhjeve do të zgjidhej dhe, bashkë me pjesën tjetër të paketës McAllister plus (të cilën edhe PS synon ta respektojë), do të tejkalohej edhe bojkoti i votimit nga ana e opozitës.

Kulmi është nëse, pas falimentimit të negociatave të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, rruga e daljes nga kriza të gjendej pikërisht nga Gjin Gjoni, i akuzuar si një simbol i asaj drejtësie, reforma e së cilës po del në pah pikërisht si shkaku i kësaj krize./Shqiptarja.com

2 komente në “Bollino: Të mbyllim hundët e të gjendet kompromisi për datën”

  1. kozmo says:

    Mendoj se jo pa qellim, Rama dhe Meta, eshte bere me vonese registrimi ne KQZ . Besoj qe zgjedhjet do te shtyhen, duke ja lene ne dore Gjin Gjonit dhe opozita del me fitoren e tekave te saj bastarde. Ky popull eshte shume Idiot qe han gjithshka qe i serviret.

  2. Shkodrani says:

    Shprehja “Duhet vetem te mbyllesh hunden dhe ta pranosh” ne shqip perkthehet “Duhet vetem te mbyllesh hunden dhe te hash mutin tend… o Lyl”, por Bollino eshte elegant dhe nuk i kalon caqet e shprehjes ne italisht “Quando sei nella merda fino al collo, cerca di passare inosservato”. Respekte e rrofte Fekalokracia!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje