Kukës/ Kodheli e Gjici takim me banorët e fshatrave Terthore e Shtiqën: Kreu i opozitës pati tre poste qeverisëse, realizoi tre krime

Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit në zgjedhjet e 18 Qershorit, Mimi Kodheli e shoqëruar nga kandidati për deputet, Safet Gjici zhvilloi takime elektorale me banorët e fshatrave Terthore dhe Shtiqën në Kukës.

Gjatë takimit me banorët e fshatit Bardhoc,  Kodheli vuri në dukje se kjo zonë është lënë pas dore për vite me radhë. “Shumëkush ka pretenduar, se duke qenë nga këto treva ishte pranë tyre, ishte për zhvillimin e tyre, mbështetjen e tyre në një kohë që mbështetja ishte thjeshtë klanore, abuzive, ishte thjeshtë e pa meritë dhe nuk ishte mbështetje që i gjithë qarku dhe i gjithë populli kishte nevojë”, tha Kodheli.

Përsa  i përket ndërtimit të rrugës së Kombit, Kodheli theksoi se për ta ndërtuar këtë rrugë, u mor një kredi me interesa nga më të lartat. “Nuk e di kush nga ju do të merte një kredi me 15 apo 17% interes në shtëpitë tuaja. Shteti e ka marrë kredi për të ndërtuar një rrugë dhe të gjitha interesat i paguajmë po ne. Problemi është që, meqë rruga u ndërtua pa projekt fillestar, sepse projekti u bë rrugës, duke bërë ndonjë metër e duke bërë projektin ju keni ngelur pa mbikalim, shumë e thjeshtë, sepse kështu është kur bëhen pa projekt rrugët. Prandaj duhet të vinte dikush tjetër, unë me Safetin në këtë rast, që ta premtojmë mbikalimin, që mund të jetë premtuar disa herë, po mbase ka ardhur rasti që një grua ta premtojë mbikalimin dhe ta mbajë fjalën si burrë”,  tha Kodheli.

Në vijim të fjalës së saj Kodheli i kërkoi elektoratit që t’i japin edhe një shans qeverisë “Rama” për të çuar deri në fund reformat që ka nisur.

Duke u ndalur tek bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja, Kodheli renditi disa nga arsyet se përse kreu aktual i opozitës nuk duhet të qeverisë vendin. “Unë nuk besoj se shpresën e jep ky djali i ri që xhiron bosh aty te plastmasi, kur me vota të vjedhura ka qeverisur Tiranën, absolutisht këtë e di si buka që ha përditë. Një herë ka pasur gisht në Rrugën e Kombit dhe i ka mbi kurriz nja 250 milion euro dhe unë që kam qenë bankiere dikur, mendohem mirë kur e them këtë shifër. Ka qenë 5 ditë ministër i Jashtëm dhe ia fali çerekun e detit komshijve, ka qenë 10 ditë ditë ministër i Brendshëm dhe i ka vrarë katër burra me duar në xhepa në shesh. Zoti e ndihmoftë këtë djalin deri në fund të karrierës së vet politike, por ky nuk e meriton ta drejtojë Shqipërinë as sot as nesër”, tha Kodheli.

Ajo ka nënvizuar faktin se “ka kaq shumë mungesa dhe vazhdon të jetë akoma vendi i varfër, ka shumë e shumë nevojë për investime të tjera, të cilat jam e bindur që ne do të mund t’i marrim dhe ti realizojmë me ndershmërinë që karakterizon një vend si Kukësi me njerëz të ndershëm, punotorë dhe të mirë si kuksianët”.

Ndërsa kandidati për deputet në këtë qark, Safet Gjici u shpreh: “Kësaj radhe kërkojmë vota në shumicë që ti përkthejmë në investime në shumicë të sistemojmë rrugët kanalizimet, të bëjmë shkolla të reja”. Ai u tha se sëbashku me ministren Kodheli do të bëjnë atë që nuk është bërë për 25 vite në qarkun Kukësit. Më tej ai tha se gjatë mandatit të parë qeveria Rama ka investuar 42 milionë euro në qakun e Kukësit. Ndërkohë që siguroi se Kukësi do të tregojë këtë radhë që është me Partinë Socialiste dhe me Edi Ramën.

Ndërsa në takimin me banorët e fshatit Shtiqën, Kodheli u shpreh se nëse qeveria e kaluar do të kishte vazhduar edhe dy tre muaj, Shqipëria do të shembej nga pikëpamja ekonomiko-finaciare si një kështjellë rëre, më keq se në vitin 1997.

Në Ministrinë e Mbrojtjes gjeta 16 milionë euro borxhe për fatura të papaguara që nga viti 2008, ndërkohë 16 milionë euro është investimi për një vit për gjithë ushtrinë”, deklaroi Kodheli.

Në përfundim të takimit, Kodheli i premtoi banorëve të këtij fshati se një nga problemet që do të zgjidhet është edhe ai i tapive të tokave. Dhe për këtë kjo mazhorancë ka dhënë prova se e zgjidh me ndershmëri dhe me drejtësi.

Kandidati Gjici nga ana e tij ka nënvizuar faktin se socialistët e kanë marrë seriozisht transformimin dhe të qarkut të Kukësit në një zonë ku të gjithë banorët e saj të kenë mundësi të ndërtojnë si duhet jetën e tyre, të rrisin fëmijët e tyre dhe të ecin para.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *