INTERVISTA/ Fleckenstein: Detajet e negociatave në Tiranë dhe alternativa që ngelet. Nuk ka Maqedoni të dytë në Tiranë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Intervistoi Andrea Danglli

Eurodeputeti Knut Fleckenstein siguron se procesi demokratik në Shqipëri do të vijojë, pa marrë parasysh se sa apo cilat forca politike do të marrin pjesë në zgjedhje.

Ai gjykon se do ishte pozitive nëse Partia Demokratike do të merrte pjesë në garën elektorale, por shpjegon se nuk mund të detyrohet një subjekt për të kandiduar.

Në një intervistë dhënë për gazetën “TemA”, ai rrëfen edhe disa detaje mbi bisedimet e zhvilluara mes krerëve të partive kryesore më 25 prill, ku bashkë me eurodeputetin DavidMcAllister u përpoqën për të arritur një marrëveshje.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian paralajmëron se për shkak të ngërçit të krijuar apo nëse gjendja do të vijojë të jetë e njëjtë, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të ngrijë përkrahjen financiare për Shqipërinë.

I pyetur lidhur me deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të cilët paralajmëruan Bashkimin Kombëtar, nëse Europa mbyll dyert për dy vendet, Fleckenstein argumenton se këto deklarata nuk janë tëdobishme për të ecur përpara.

Ndërkohë, ai e përjashton rrezikun që mund të ketë Shqipëria për të përjetuar ndonjë skenar destabilizimi të ngjashëm me atë në Maqedoni, si shkak i krizës politike.

Z.Fleckenstein, më herët bashkë me eurodeputetin McAllister u përpoqët të arrini një marrëveshje mes palëve në Shqipëri. Ka disa versione me zhvillimet që kanë ndodhur pas kamerave atë ditë. A mund të na thoni konkretisht se çfarë i pengoi negociatat që të kishin rezultate pozitive?

Gjatë vizitës sime më 25 prill, unë dhe David Mcallister folëm me të dyja palët, me mazhornacën në qeveri dhe me opozitën. Atë ditë ne krijuam një propozim për një kompromis mes palëve, i cili përfshinte datën e zgjedhjeve elektorale, si dhe disa ndryshime parazgjedhore në strukturat qeverisëse. Koalicioni në qeveri i pranoi kushtet që ne parashtruam, duke pranuar që procesi i vettingut të vazhdojë. Ndërkohë, opozita nuk i pranoi ato, duke mbajtur qëndrimin që vijon të mbajë deri tani.

A do të jenë të vlefshme këto zgjedhje pa opozitën? Ju do t’i njihni?

Politikberja demokratike në Shqipëri është një proces i cili vijon. Nuk ka rëndësi se sa parti marrin pjesë në zgjedhje. Nuk mund të detyrosh një parti të marrë pjesë në zgjedhje, por do të ishte më mirë për vendin nëse partia më e madhe opozitare do të jetë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme.

Cili do të jetë çmimi që Shqipëria duhet ta paguaj pas gjithë këtij ngërçi politik dhe institucional që ka prodhuar mospajtimi PS-PD? Cilat mund të jenë penalizimet?

Bashkimi Europian nuk po mendon për penalitete, por se si ta bëjë procesin që të ecë përpara. Gjithsesi, unë mendoj që Banka Botërore ose Fondi Ndërkombëtar Monetar, nuk do të japin suport financiar nëse kjo situatë politike vazhdon.

Ka rrezik që Shqipëria që të përjetojë ndonjë skenar destabilizimi, të ngjashëm me atë në Maqedoni?

Jo, nuk mund të krahasosh situatën politike në Shqipëri me atë në Maqedoni.

A i nevojitet Shqipërisë një qeveri teknike në kohën kur janë shpallur zgjedhjet?

Është populli shqiptar ai që duhet të vendosë se cili duhet t’i qeverisë. Kjo nuk është zgjedhje e imja.

Kryeministri Edi Rama i pasuar nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kanë paralajmëruar “Bashkim Kombëtar” nëse BE vijon ta mbajë të mbyllur derën e anëtarësimit për dy vendet. Keni një gjykim lidhur me këtë?

Këto deklarata nuk ndihmojnë që vendet të ecin përpara në rrugën drejt reformave dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian./Andrea Danglli, TemA.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “INTERVISTA/ Fleckenstein: Detajet e negociatave në Tiranë dhe alternativa që ngelet. Nuk ka Maqedoni të dytë në Tiranë”

  1. rrangalle. says:

    O rrangalle. Pikerisht prej politikve tuaja te mbrapshta nuk firmoste Basha. E dini pse se ju pate asgje keto vite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *