Strakosha i zhgënjyer për humbjen me Juven

18 Maj 2017, 13:12Sport TEMA

Pësoi 2 gola por ky fakt nuk e pengoi të shpallej lojtari më i mirë në fushë për Lazion, në një finale Kupe dhe mbi të gjitha përballë një skuadre si Juventusi që mund të konsiderohet pa frikë edhe si ekipi më i fortë në Europë për momentin.

Në Olimpico të Romës mbrëmjen e të Mërkurës, Thomas Strakosha zhvilloi ndeshjen e tij më të rëndësishme në karrierë, edhe pse është vetëm 22-vjec talenti shqiptar kishte qetësinë e një eksperti mes shtyllave. Me disa pritje fantastike Strakosha bëri që bardhezinjtë të mos ta fitonin me një rezultat më të thellë finalen e Kupës së Italisë ndërsa i mohoi golin në disa raste, një sulmuesi të lindur si Gonzalo Higuain.

Mediat italiane e vlerësuan me notën 7,5 paraqitjen e kuqeziut i cili me formën që po tregon në këtë fund sezoni duket se ka të sigurtë vendin e titullarit në formacionin e kombëtares shqiptare në sfidën kualifikuese ndaj Izraelit, takim në të cilin Etrit Berisha do të mungojë sërish për arsye skualifikimi.

22-vjecari edhe pse është lojtari më ri në moshë që luan në formacion te Lazio nga ndeshja në ndeshje po tregon se e meriton të mbrojë portën e skuadrës bardhekaltër edhe në momentin që Federico Marchetti të jetë rikuperuar nga dëmtimi.

Por pavarësisht paraqitjes së tij të shkëlqyer në përfundim të duelit të Olimpicos të cilin Lazio e humbi me rezultatin 2-0  ndaj Juves, Strakosha ishte shumë zhgënjyer dhe kjo dallohet qartë në një postim të portierit shqiptar në profilin e tij në Instagram. ” Të humbasësh një finale është dicka shumë e keqe për një futbollist. Më vjen keq që kemi humbur përballë një publiku të jashtëzakonshëm, që me të vërtetë na la pa fjalë, thekson 22-vjecari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje