Çmimi i një njolle

19 Maj 2017, 12:59Blog TEMA

Nga Drini Kuqo*

Kur një mëngjes u zgjua pas ëndrrash të trazuara, Çadra vuri re se ishte shndërruar në një njollë të përbindshme.

Pikërisht, një njollë e madhe vaji në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte mëngjesin e së premtes e vetmja dëshmi e mbetur nga tre muaj ngërçi politik që kërcënoi të çonte vendin në buzë të humnerës.

Në altarin e absurdit, por këtë herë jo në botën imagjinare të Gregor Zamzës, brenda pak orësh, çadra u tret njësoj siç edhe mbiu në 18 shkurtin e këtij viti. E megjithatë, diçka e mbrapshtë fshihet pas këtij rikthimi kaq të ngutshëm në normalitet.

A mund të treten si sheqeri në ujë premtimet e PD-së se nuk do të kishte zgjedhje me një qeveri kriminelësh? A mund të shkohet në zgjedhje përsëri me qeverinë që me gojën e opozitës synon të blejë votat me lekët e drogës? E si mund të shkohet në zgjedhje, sikur asgjë nga këto mos të kishte ekzistuar, pas përbetimeve për largimin me çdo kusht të këtij Kryeministri?

Përballë këtij skenari, ka vetëm një shpjegim të arsyeshëm. Kriza nuk ekzistoi kurrë ashtu siç na u përcoll ne. Qëllimi i saj i vetëm ishte të trazonte ujrat, për të marrë në këmbim një grusht ministrish dhe drejtorish, ku Partia Demokratike të ngopë njerëzit e saj përpara zgjedhjeve.

Çadra nuk ishte “Tienanmeni” i lirisë, por vetëm një “Kalë Troje” i vendosur përballë Kryeministrisë, me qëllim zhvatjen e atyre ministrive që shuajnë disi babëzinë e pandalur. Fundja, rrugët e Ferrit janë të shtruara me kalldrëmin e qëllimeve të mira.

E megjithatë, sot, jam të paktën jam i lumtur që sa herë kaloja atypari shikoja me pasivitet atë ngrehinë të çuditshme që mbi në Tiranë.

Jo sepse unë nuk kam arsyet e mia për të protestuar, por të paktën, nuk u bëra pjesë e kësaj estrade. Sot, mund të them krenar përpara atyre që më premtuan “Republikën e Re” të lumenjve me mjaltë se unë nuk isha njëri prej jush!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje