Ministrat e rinj, të dielën. PD nis punën për fushatën elektorale, partitë aleate mund të mos regjistrohen që votat të shkojnë për PD-në

19 Maj 2017, 15:27Politika TEMA

E gjithë vëmendja është këto ditë te Lulzim Basha. Prej tij priten emrat e zëvendëskryeministrit dhe 6 ministrave që do t’i propozojë Edi Ramës, si dhe emrat e drejtuesve të 6 enteve të tjera qeveritare.

Lista duhet të përmbajë edhe emrat e Avokatit të Popullit dhe kryetarit të Komisionit Qendror të zgjedhjeve. Një lëvizje kjo e fundit, që do të sjellë edhe ndryshime të tjera në  KQZ, sepse sipas marrëveshjes, opozita merr kreun, por jo shumicën e KQZ-së.

Por deri tani nuk ka asnjë emër edhe pse kryetari Basha është në konsultim intensiv për të përcaktuar propozimet e Partisë Demokratike.

Burime zyrtare thanë se Lulzim Basha do t’ia dorëzojë emrat deri të dielën Edi Ramës, në mënyrë që të dy të parashikojnë edhe një datë të afërt se kur do të mblidhet Parlamenti për të votuar ndryshimet në qeveri, ndryshimet ligjore për financimin e partive, si dhe të marrë vendimin tjetër shumë të rëndësishëm: ngritjen e komisioneve për Vettingun, shkruan Top Channel.

Paralel me emrat e qeverisë, Lulzim Bashës i duhet të caktojë brenda një jave edhe listën e kandidatëve për deputetë.

Në një mbledhje me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, Basha u ka kërkuar atyre që, përveçse të nisin menjëherë organizimin e fushatës, të sjellin propozimet për kandidatët për deputetë nga baza.

Megjithatë, 5 emra janë që tani të njohur në listën e Partisë Demokratike. Aleatët e partive të vogla, Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka, Vangjel Dule dhe Dashamir Shehi do të kenë vende të sigurta në listën e deputetëve.

Një shpërblim ky që Basha u kishte premtuar, mesa duket, përpara nisjes së protestës në shkëmbim të unitetit opozitar.

Një vendim që njëri nga aleatët nuk e mohoi pas mbledhjes së aleatëve me kryetarin Basha, megjithëse shfaqi pakënaqësi për marrëveshjen Rama-Basha.

“Nuk janë elemente që janë diskutuar, për faktin që ne ndodhemi tashmë përballë një të papriture. Nuk është zgjidhja më e mirë dhe për këtë duhet të jemi gjithsecili realist për atë se çfarë ndodhi. Por jemi tashmë përballë një fakti të kryer”, u shpreh Nard Ndoka.

Burime të mirëinformuara thanë për Top Channel se strategjia e opozitës shkon edhe më larg se futja e emrave të kryetarëve të partive aleatë në listë.

Për të maksimalizuar votat, në kushtet kur koalicionet nuk do të lejohen, partitë e vogla mund të mos paraqesin lista kandidatësh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por votat e tyre t’ia japin Partisë Demokratike, në shkëmbim të një kandidati tjetër në listën demokrate në zonat ku aleatët mendojnë se janë të fortë.

“Në këto kushte ku ngrihet edhe pragu elektoral, ku nuk ka numërues, mund të kemi pretendime ndoshta në dy apo tre qarqe. Kjo mbetet për t’u parë, mbetet për të matur forcat. Koha është e limituar, por gjithsesi unë me njerëzit e mi vazhdimisht po bëjmë këtë punë për të parë nëse mundet që të konkurrojmë më vete apo jo”, tha Agron Duka.

Të gjitha gjasat janë që deri në 26 maj vendimi përfundimtar të jetë që partitë opozitare të përfaqësohen me kandidatë në logon e Partisë Demokratike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje