E majta ekonomike si ikje nga spiralja populiste

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Akri Çipa*

“Asgjë nuk mund të krijohet prej asgjësë.” Sentenca filozofike e Lukrecit mbart në vetvete kumtin e transformimit dhe nevojën për të parë origjinën e gjërave. Shumëherë ka ndodhur kohët e fundit që analistët, politikanët, por edhe studiuesit, ta harrojnë fuqinë e transformimit dhe t’i shikojnë rrymat populiste që po gjallojnë në skenat politike perëndimore si të lindura vetvetiu dhe nga asgjëja. Duke i shqyrtuar në këtë këndvështrim të ngushtë, jo vetëm nuk analizohet esenca e natyrës së tyre, por neglizhohet edhe rreziku që ato paraqesin në të nesërmen e afërt.

Lëvizjet populiste në SHBA, Francë, Hollandë, Itali dhe gjetkë janë lëvizje të cilat bazohen në veprimtari të gjata politike që kanë qënë përgjithësisht periferike në skenat elektorale, por që kanë marrë një hov të ri në vitet e fundit. I tillë është rasti në Itali me Lega Nord, me Front National në Francë, por edhe në SHBA, ku ka pasur gjerësisht lëvizje të margjinalizuara të etiketuara si populiste përgjatë dekadave të shkuara. Gjithsesi, në pesë-vjeçarin e fundit, fuqia elektorale dhe impakti politik i këtyre lëvizjeve është shumëfishuar në mënyrë eksponenciale. Cilat janë arsyet e këtij fenomeni? Përse këto lëvizje kanë fituar momentum vitet e fundit? Cila është e ardhmja e tyre dhe sa mundësi kanë që të ndryshojnë rrënjësisht politikën dhe demokracinë sikurse e konceptojmë ne sot? Jo më pak e rëndësishme, si mund të ndalet ky populizëm ndërkombëtar?

Për ta kuptuar esencën e këtyre lëvizjeve të quajtura populiste, është e rëndësishme të shikojmë mënyrën se si janë transformuar ato në krahasim me disa dekada më parë dhe elektoratin që kanë arritur të tërheqin dhe që nuk e kishin deri pak vite më parë. Partitë populiste në Europë dhe lëvizjet sporadike populiste përtej Atlantikut kanë qënë gjithmonë të fokusuara kundrejt establishmentit politik, kanë qënë kryesisht radikale dhe kanë qënë diskriminuese dhe përjashtuese në vetë natyrën e tyre, veçori që i kanë ruajtur ende sot. Populizmi është një koncept tejet i vagullt dhe nuk ka një përcaktim përbashkues. Pikërisht prej këtij fakti, grupi i të etiketuarve si populistë nga mediat dhe analistët politikë ka një larmishmëri të habitshme. Në këtë spektër kaq të gjerë, lind natyrshëm pyetja se çfarë qëndron në esencë të populizmit.

Populizmi i vjetër, i shfaqur nëpër lëvizje, parti politike, ose dhe thjesht figura politike të caktuara, ndonëse nuk mund të përkufizohet qartësisht, kishte një veçori përcaktuese tipologjike: faktin që i drejtohej një “populli” të përzgjedhur në bazë të një karakteristike të zgjedhur arbitrarisht. Kjo tendencë vazhdon të përcaktojë populizmin e sotshëm të drejtuar kundrejt emigrantëve ilegalë, por edhe ndaj atyre legalë, çfarë ngre shqetësim edhe më të madh për vetë vlerat e shprehura nga ky populizëm. Në të njëjtën kohë, këto lëvizje kanë mbetur kundër establishmentit dhe, përtej ndërkombëtarizimit dhe aleancës me lëvizje të tjera populiste përtej kufinjve shtetërorë, nuk kanë gjetur aleatë konkretë politikë brenda vendeve respektive.

Fakti që populizmi i ri ka mbajtur të pandryshuar këtë natyrë të populizmit të vjetër tregon se vala populiste ushqehet tjetërkund; se elektorati që i ka masivizuar këto lëvizje nuk është bindur prej braktisjes së retorikës përjashtuese, por prej arsyesh krejt të tjera. Për mendimin tim, këto arsye duhen kërkuar tek rënia e të majtës tradicionale në Europë dhe më gjerë dhe tek kriza e përfaqësimit që lidhet me këtë rënie.

E majta tradicionale ka pasur gjithmonë një sens kritik ndaj establishmentit dhe status quo-s, por ky sens kritik ka qënë, në më të shumtën e rasteve, konstruktiv. Prania e lëvizjeve dhe partive të majta në rotacionet politike ishte një nga faktorët që i mbanin populistët e vjetër të margjinalizuar, për shkak se kritikët dhe të neglizhuarit nga sistemi përfaqësoheshin dhe mbroheshin përgjithësisht nga partitë e majta. Por, në fund të viteve 90’ dhe në kapërcyell të dhjetëvjeçarit të shkuar tendenca e këtyre partive për t’u qendërzuar në programet e tyre dhe për të përqafuar një sërë tendencash neoliberale, krijoi problemin e përfaqësimit për të gjithë ata që nuk përfituan nga zhvillimet në ekonomi dhe në teknologji. Shkundja që solli kriza financiare, valët e emigrantëve, por edhe nivelet e frikshme të rritjes së pabarazisë në thuajse gjithë vendet perëndimore dhe më gjerë nxorrën edhe më në pah krizën e përfaqësimit.

Rezultat i drejpërdrejtë i këtyre elementëve është humbja dërrmuese e të majtës në thuajse gjithë vendet perëndimore në pesë-vjeçarin e fundit. Në SHBA, ravijëzimi i Partisë Demokratike në bazë të politikave të identitetit dhe alienimi i klasave punëtore dhe shtresave të ulëta është padyshim një nga faktorët e humbjes në zgjedhjet e 2016. Në Europë, pragmatizmi dhe qendërzimi i partive të majta, model i proklamuar dhe përqafuar fillimisht nga Toni Blair në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas nga gjithë partitë e majta në Europë, la një vakuum të qënësishëm në përfaqësimin politik. Vakuum i cili u shfrytëzua nga vala e populizmit të ri.

Nëqoftëse shikojmë zgjedhjet e fundit në Amerikë, në Hollandë dhe në Francë, bie në sy fakti se kandidatët e ashtuquajtur populistë kishin përfshirë një sërë politika të majta në planin ekonomik. Pas këtij fakti ishte synimi për të tërhequr pikërisht shtresat e ulëta dhe punëtore, ato shtresa të cilat kishin përfituar pak ose aspak nga globalizmi dhe tregtia e lirë e pranuar si fakt jo vetëm nga e djathta, por edhe e majta e dekadave të fundit. Për këtë arsye Trump dhe Le Pen e paraqitën veten si kampionët e klasës punëtore dhe si anti-globalistët par excellence. Disa studime në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë se, pas votuesve laburistë, votuesit e UKIP janë mbështetësit më të mëdhenj të politikave të majta. Ëilders në Hollandë, përtej retorikës kundra islamit dhe kundra emigrantëve, fliste për shtetëzimin e sistemit shëndetësor dhe për kundërshtimin ndaj austeritetit. Duke pasur parasysh këto fakte, simpliciteti i etiketimit të këtyre populistëve të rinj si përfaqësues të ekstremit të djathtë është naiv në rastin më të mirë dhe, në më të keqin, i dëmshëm.

Mposhtja e Le Pen në Francë nga Emmanuel Macron krijoi një precedent për mënyrën e reagimit politik ndaj populizmit të Front National. Zgjidhja franceze ishtë një amalgamë votuesish që i përbashkonte më shumë frika nga Le Pen presidente se sa programi i Macron. Edhe pse me një të shkuar politike me socialistët, Macron përfaqëson qendrën e djathtë në politikën franceze. Ai përfaqëson vazhdimin e po atyre politikave që sollën për herë të parë në historinë franceze një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale pa kandidatë nga socialistët dhe republikanët, duke treguar dhe njëherë refuzimin e votuesve ndaj tyre. Macron fitoi si kandidati anti-establishment më i pranueshëm kundrejt Le Pen. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që gëzoi fitore elektorale të mëvetësishme. Amalgama e votuesve që solli fitoren e tij nuk duhet parë si zgjidhja ndaj populizmit, as në Europë dhe as përtej Atlantikut.

Problemi me këto parti dhe lëvizje populiste është se po e transformojnë tërësisht skenën politike dhe sjelljen e votuesve në Europë. Sikurse ndodhi në Francë, Hollandë dhe më gjerë, tashmë votuesit nuk kanë më mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve dhe programeve politike. Për të shmangur rrezikun izolacionist dhe përjashtues që këto lëvizje populiste propagandojnë, votuesit janë të detyruar të përqafojnë kandidatë dhe programe të cilat nuk mishërojnë bindjet dhe nuk fokusohen te problemet e tyre. Ringritja në politikën europiane dhe amerikane e së majtës ekonomike është një nevojë jo vetëm për të adresuar rritjen shqetësuese të pabarazisë, por edhe për të vënë në fre ato lëvizje dhe parti politike që paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për demokracinë dhe që kanë shfrytëzuar mungesën e kësaj të majte për t’u faktorizuar. E vetmja mënyrë për të dalë nga spiralja populiste është duke tejkaluar krizën e përfaqësimit. Asnjë alternativë tjetër nuk e adreson problemin, por thjesht e shtyn përballjen me të deri në zgjedhjet e ardhshme.

* Student i marrëdhënive ndërkombëtare në Columbia University

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “E majta ekonomike si ikje nga spiralja populiste”

  1. shushica says:

    Artikull interesant,,,ke anashkaluar fenomenin Sanders qe e ke atje….ne se Sanders nuk bllokohej nga establishmenti demokrat perballe Klinton …ndoshta per here te pare ne historine amerikane nje i majte modern,perfaqsues i vertete i rinise se perparuar dhe punetoreve do te behej president i SHBA…por lobet e fuqishme ekonomike e financiare u tremben …

Lini një Përgjigje te shushica Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *