A i cënohej qeverisja PS-së nga bojkoti i opozitës?

Nga Altin Ketro

Tashmë ndodhemi përpara faktit të kryer ku opozita pranoi më në fund të hyjë në zgjedhje. Megjithatë nuk duhet lënë pa u trajtuar aspekte të kapërcyera,  po që sot mund të ishin reale nëse s’do kishim marrëveshjen Rama – Basha.

Opinioni publik po fillonte të mësohej me faktin që në zgjedhje do hynin vetëm partitë që përbënin koalicionin qeveritar si dhe disa parti të vogla të themeluara rishtas gjatë vitit të fundit të pozicionuara në opozitë me qeverinë Rama. Projeksioni i parashikuesve politikë ishte që PS do fitonte një shumicë dërrmuese në kufij të shumicës kushtetuese e pjesa tjetër do ndahej kryesisht me partitë e koalicionit aktual qeverisës.

Ajo që nuk dihej ishte se sa do ndikonte bojkoti i opozitës në vijueshmërinë e qeverisjes. Kjo pasi procesi zgjedhor nuk do shoqërohej vetëm me një lloj bojkoti, por aty do përmblidheshin pesë të tillë. Le t’i shtjellojmë:

1.      Bojkoti i opozitës – (grup fiktiv): Ky do ishte një bojkot i deklaruar tashmë prej saj dhe do të ishte një nga fokusimet më të mëdha që vetë opozita do të kishte për të bindur sa më shumë prej të vetëve që të mos dilnin në zgjedhje. Padyshim që kjo do ishte një luftë titanike e saj dhe askush nuk mund ta parashikojë që s’do kishte sukses.

2.      Bojkoti i natyral – (grup real): Ky lloj bojkoti përbëhet nga ajo amalgamë njerëzish që bojkotojnë rregullisht, paraqitet ose jo opozita në zgjedhje. Janë bojkotues tradicionalë që s’e vrasin mendjen fare për politikë, bile kanë alergji prej saj.

3.      Bojkoti i emigrantëve – (grup real): Ky lloj bojkoti nuk bëhet me vullnetin e tyre por i imponuar nga fakti i pamundësisë për të votuar atje ku jetojnë apo punojnë prej shumë vitesh, si dhe shkaqeve objektive që s’ia bëjnë të mundur ardhjen në atdhe.

4.      Bojkoti i neglizhentëve – (grup fiktiv): Ky lloj bojkoti përmbledh atë kategori shtetasish që kur s’janë të motivuar ecin me idenë: hë more se tani që s’është opozita, këta e kanë të fituar; po s’shkova unë s’bëhet kiameti për një votë” etj., etj., mendime të tilla që si pasojë krijojnë padashur një grup bojkoti më vete. Është i njëjti mentalitet që shfaqet edhe në sport ku sa herë ndeshet ekipi i vendit të parë me ekipin e vendit të fundit që ka rënë matematikisht nga kategoria, në stadium shkojnë vetëm një grusht tifozësh, sepse ata e dinë që ndeshja është e lehtë dhe ekipi i tyre do fitojë gjithsesi.

5.      Bojkoti i të pakënaqurve – (grup fiktiv): Në këtë kategori futen ato lloj votuesish që nuk kanë marrë atë që pritej nga partia e tyre. Të zhgënjyer nga kjo gjë, në mungesë edhe të opozitës, ata do e kryenin këtë lloj bojkoti edhe si shenjë hakmarrje ndaj partisë së zemrës. Nëse do rrimë sërish tek shembujt e sportit, zakonisht kjo kategori bojkotuesish reflektojnë vetëm kur kanë përballë kundërshtarin direkt për titull. Ata shkojnë në stadium dhe aty i harrojnë pakënaqësitë për trajnerin dhe lojtarët që gjatë gjithë javës i kanë sharë me libër shpie në rrjetet sociale, dhe bëhen bashkë duke i duartrokitur për qëllimin e përbashkët, fitoren e ekipit të tyre.

Sa herë janë zhvilluar zgjedhje në të cilat pjesëmarrja ka qenë diku te 55 për qind, klasa politike ka thënë se kjo pjesëmarrje është e mirë dhe është munduar ta anashkalojë atë pjesë prej 45 për qind që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje. Në procese të rregullta, me pozitë e opozitë brenda,  këtu përfshihen bojkotuesit natyralë dhe emigrantët. Duke i përmbledhur në një të vetme të pesta këto grupe bojkotuesish, realët dhe fiktivët, raporti midis pjesëmarrësve në votime dhe atyre që do bojkotonin do anonte nga këta të dytët. Kësisoj opozita kish gjithë të drejtën që t’i kapitalizonte të gjithë këto grupe, ndonëse disa janë realë e disa janë për shkak të rrethanave.

Sado të mundohej të justifikohej Partia Socialiste pas zgjedhjeve që bojkotuesit realë të ndaheshin nga bojkotuesit fiktivë, afërmendsh që opozita do e shfrytëzonte maksimalisht këtë moment për kapital politik. Ajo do e quante të sajën këtë masë gjigante heterogjene bojkotuesish dhe akuza e tyre do te qe se Pakica po sundon Shumicën. Në planin politik ata do kishin të drejtë, ndonëse në praktikë gjërat nuk mund të llogariteshin kështu.

Kjo do ishte një mënyrë shumë efikase për opozitën që të vijonte betejën në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, sepse duhej që “shumicës” bojkotuese t’i jepej mundësia të votonte. Padyshim që opozita do t’i binte vetëm kësaj vrime të fyellit të saj propagandistik dhe jo pa të drejtë. Kjo situatë e nderë politike me demonstrata dhe përplasje do kishte dy pasoja kryesore në ekonomi:

1.      Stepjen e investitorëve të huaj për të hedhur kapitalet e tyre në një vend të pasigurt politikisht si Shqipëria.

2.      Stepjen e biznesit dhe konsumatorit vendas për të qarkulluar më shumë paranë e cila sjell edhe rritjen ekonomike.

Si pasojë e këtyre faktorëve, ekonomia shqiptare do pësonte tkurrje dhe rritjet e pritshme do merrnin rrokullimën. Situata e rënduar ekonomike dihet që ka ndikime të forta politike të cilat do shfrytëzoheshin më së miri nga opozita për të rritur radhët e të pakënaqurve. Kjo trysni e madhe do e dobësonte super mazhorancën e PS-së dhe do krijonte çarje. Gjithashtu vendi rrezikohej të vononte proceset integruese. Si rezultat, zgjedhjet e parakohshme do shiheshin si opsioni më i përshtatshëm për t’i dhënë fund krizës. Po deri atëherë mazhoranca do kish pësuar shumë plasaritje prej sulmeve të gjithanshme dhe opozita do kish shfrytëzuar momentin e artë që po i krijohej. Në këto kushte, gjykoj se kryeministri Rama është treguar mjaft inteligjent që arriti të bëjë këtë kompromis me Lulzim Bashën për ta futur në zgjedhje Partinë Demokratike. Si rrjedhojë ai ka tashmë shanset të sigurojë një mandat të ri qeverisës. Kësaj radhe të sigurt e të pacenueshëm nga asnjë lloj akuze dhe pretendimi.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...