“Kamikazi” Enea Jorgji, gafat e një ndërkombëtari vendosën titullin

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Enea Jorgji duhet të tregonte dje se arbi trat shqiptarë janë plotësisht të aftë të drejtojnë ndeshje që vendosin fatet e sezonit. Mirëpo, gjyqtari nga Elbasani që mban stemën e FIFA-s jo vetëm nuk e bëri një gjë të tillë, por me vendimet e tij prishi një ndeshje që duhet të ishte reklamë për futbollin shqiptar.

E thënë më troç: ndikoi direkt në rezultatin e takimit. I vetmi rast, ku në bazë të rregullores Jorgji mund të shfajësohet, është ai i minutës së 10-të, kur ndëshkoi me të kuq mbrojtësin e Skënderbeut, Gledi Mici. Ndërsa në minutën e 47-të akordoi një penallti të paqenë për Kukësin, teksa dueli mes Jashanicës dhe Eminit brenda zone, në bazë të pamjeve filmike, nuk kishte të bënte me një 11-metërsh.

Gjatë pjesës së parë, Jorgji lejoi ndërhyrjet e rënda, duke falur veçanërisht Kariokën, që goditi Xhejmsin. Kulmi arriti në minutën e 57-të, kur pas një asisti të Xhejmsit, Latifi depërtoi në zonë dhe u pengua nga Shameti. Sipas rregullores, mbrojtësi i Kukësit duhet të ndëshkohej me të verdhë dhe të akordohej penallti. Jorgji, jo vetëm që fali Shametin, por i dha karton për simulim Latifit dhe ndëshkoi me të kuq për protesta Osmanin.

Kryesorit i doli situata nga kontrolli, duke falur në të njëjtën kohë Salihin, që i grisi në mënyrë demonstrative kartonin. Më pas, në dy raste shumë të dyshimta pas rrëzimit të Salihit në zonë, Jorgji sërish vazhdoi lojën, duke treguar se ndalohej të jepej penallti për korçarët.

Kryesori nga Elbasani përdori teorinë e kompensimit në minutën e 83-të, kur Pejiç goditi brenda zonës me të majtën dhe topi preku dorën e Jashanicës. Gjyqtari nuk akordoi penallti, duke gabuar në këtë rast në dëm të veriorëve. Ndërsa në minutën e fundit, fali Muzakën, që goditi me shpullë Shametin.

ABSURDI

Se çfarë gjykimi e priste ndeshjen Kukësi-Skënderbeu, një sinjal i qartë u dha kur institucioni i futbollit shqiptar refuzoi kërkesën e korçarëve për arbitra të huaj. Skandali u thellua kur në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit nuk kishte gjashtë arbitra. FSHF shpesh ka vendosur gjyqtarë të linjës ndeshje mediokre, ndërsa dje në Kukës preferoi vetëm tre.

Një absurditet kur mendon se në “Zeqir Ymeri” do të vendosej titulli dhe duhej një gjykim sa më korrekt. Nga ana tjetër, i besoi një arbitri si Jorgji, që këtë kampionat ka pasur një marzh të lartë gabimesh, madje është akuzuar rëndë nga Partizani dhe Luftëtari./PanoramaSport/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në ““Kamikazi” Enea Jorgji, gafat e një ndërkombëtari vendosën titullin”

  1. Toni80 says:

    Penalltia per Skenderbeun ishte 100 perqind, por Skenderbeu smund te justifikohet me nje penallti te pa dhene. Duhet te gjente rrugen e golit meqe pretendonte per kampionat. Pastaj te ankohet Skenderbeu me duket absurde a thua se i ka fitu titujt kampion pa ble ndeshje.
    Penalltin e Kukesit eshte e lehte ta komentosh nga tv po ne fushe Jorgji ishte mbrapa e te tille e kishte kendveshtrimin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *