Pakti?! Ndoshta më mirë kështu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Artan Xh. DUKA Prof.As. Dr.

Bënë mirë a keq Rama e Basha që ranë në ujdi, kjo do shihet shpejt. Ca bërtasin “fitore”, ca domosdo i fryjnë dhe “kosit” me ç’kemi parë 27 vjet por ajo që ndodhi është real-politikë. Dhe vulën ia vuri SHBA që ndryshe nga BE, mbetet pragmatike dhe mesa duket, dinë të valvisin mirë “karrotën” e “shkopin” bashkë.

Kur të ngec “fitorja” në derë

Në dukje, pakti i hapi krahun çadrës. Të gjitha pikat, minus 1, “flasin” për garantimin e votës. Problemi është se çadra nuk u ngrit për votën e lirë. Ajo nuk ishte kauza reale e saj. Ndaj dhe “fitorja” i mbeti në dorë, bile me preçedentin e krijuar, bëri autogol nisur nga mania e PD për të nëpërkëmbur votën në vënd. Po të paktën Basha po del “ faqebardhë” prej andej.

Meraku për të cilën u ngrit çadra, mbetet sërisht. Ai është vetingu. Një pikë e vetme në pakt, e fundit fare por lajmi më i madh. Do të kalonte edhe pa PD në parlamentin e ardhshëm por vota e saj e bën atë të pakontestueshëm dhe kërcënimi i ribërjes së njëanshme të drejtësisë çdo katër vjet, merr fund.

E sa për pushtetin, të “lëshosh” pak javë atë për vetingun dëshmon përgjegjshmëri. Për më tepër që krijon një preçedent që zgjedhjet të mos abuzohen e përfolen më pas dhe qeveria të punojë pa “çadra” groteske më pas.

Pragmatizmi politik i paktit nuk bie ndesh me idealizmin në politikë. Në politikë hyhet për për t’i shërbyer q ytetarit dhe vetingu është shërbimi më i madh. Sado i lakuar e zig-zag proçesi, “kapakun” ia vë qëllimi. Vetingu.

E djathta nuk e meriton çadrën

PD e pa që bojkoti nuk pinte ujë dhe rrezikonte “fatin” e dinosaurve ndaj dhe si Qerosi iu rikthye kaçiles së rrushit që kishte përmjerur më parë dhe duke e trumbetuar si fitore, hëngri të vjellën e vet!

Zgjedhjet do të bëheshin edhe pa PD. Askush nuk ka monopol vlerat konservatore, liberale apo sociale në demokraci. “Evolucioni” bën të tijën dhe tregu elektoral nuk është metafizik. Në kundërshtim me principin e konkurrencës së lirë në treg, pakti ishte një ndërhyrje nga “lart” për të mbajtur me zor një parti në lojë thjesht e vetëm për hir të vetingut.

Përkohësisht, çadra  ia “doli”. U “përligj”, u përgëzua nga perëndimi ndërkohë që kjo çadër duhej të ishte epilogu i PD së tranzicionit dhe gjeneza e së djathtës së vërtetë që meriton më shumë se një parti që mban peng integrimin, fut pronën në kaos, përçan ish-të përndjekurit, abuzon me votën, pushtetin etj dhe deri nëpërkëmb interesin shqiptar në rajon me kulm paktin e detit.

Në këtë kontekst, demokracia ndoshta humbi një shans për purifikim sepse PD, sikurse PPSH dikur, është e lidhur kaq ngushtë me kultin e individit sa fatet e tyre shkojnë bashkë. Po ndodh me PD, mund të ndodhë me PS nëse Rama nuk hap krahun shpejt, ka ndodhur me shumicën e partive të vogla që janë bërë “principata” prej dekadash etj.

Vetingu ruan “vreshtin”

Me këtë pakt Rama i doli para “kavajizimit” të 18 qershorit dhe provokimit me imazhin e Shqipërisë. Ndryshe nga pazari i Marsit 97, kësaj rradhe, litari nuk mbetet gjatë përjashta. Bojkoti i PD do ia bënte më të lehtë votës pastrimin e politikës por dhe me këtë pakt, atë që nuk e arrin vota, me gjasa do e bëjë vetingu dhe drejtësia që pason.

E për ironi, ca në krahun tjetër por lakojnë edhe Bashën! Ca, se lëshoi në parime (me të në karrike u bë rruga e Kombit, ndodhi 21 janari, pakti  detar, tjetërsimi votës së kryebashkiakut), ca, se dëshmoi  lidership (mbeti vara-vingo tek zyra e Berishës), ca, se dëshmoi largpamësi (iu kundërvu perëndimit dhe mori peng integrimin në BE) etj.

Bashës ia vunë të dyja këmbët  në një këpucë dhe ia rrasën “fitoren” me zor. E vetmja fitore e çadrës është ndoshta ftohja PS-LSI dhe dinamika e votimit më pas. Por, nëse vetingu kalon, fati i reformave dhe integrimit në BE del nga duart e politikës dhe qeverive të ditës dhe ato nuk merren më peng pafund sepse drejtësia nuk do të bëjë sehir. Ndaj dhe meraku se me mbijetesën e “fosileve” të PD, litari mbeti jashtë dhe krizat do shfaqen sërisht, merr fund me vetingun.

“Kulti” i dëshiruar i qytetarit

Nga ana tjetër, pakti nuk reflekton thjesht nevojën për pragmatizëm në politikë por dhe nivelin demokratik qytetar. Të kritikosh në emër të moralit këtë pakt, ndërkohë që 1/3 e elektoratit voton një parti në “turnin” e së cilës ndodhi Gërdeci, 21 janari, manipulimi votës dhe deri pakti antishqiptar i detit, është e drejtë por jo zgjidhje.

Fatkeqësisht, sot tek ne “feja” e shqiptarit është politika. Partitë janë “kisha” e “teqe” dhe liderat janë të “amëshuarit”. T’u kritikosh besimin (nëse besojnë) mërziten. T’u kritikosh partinë, të hidhen në fyt! Dhe në këto kushte, 18 qershori, do të ndotej. Ashtu e kuptojnë! Se kushtrimi për “revolucion” u dha dhe dikush ëndërron një 97 të dytë!

Sado pika lëshoi Rama, ai mori zotimin e PD për të votuar vetingun. Ai nuk lëshoi asgjë që dëmton interesin e qytetarit dhe mori gjithshka për qytetarin pa dallim partiak duke shmangur konfliktin artificial me pasoja për të tërë. Me drejtësinë në “shina” dhe besimin tek ligji e mundësitë për këdo, qytetari ka shansin të afirmojë dinjitetin e tij duke mos u futur më si dele në “tufën” e politikës por duke qënë “dele” e zezë përballë saj.

Zbehja e kultit të politikanit dhe afirmimi i kultit të qytetarit, është garanci për normalitet demokratik dhe ky kult, apo ndryshe zgjimi i nervit demokratik si kudo në perëndim, do të marrë një shtysë më tej nga vetingu dhe drejtësia që pason.

Kur qytetari braktis sheshet, fanepsen çadrat!

Mirë bëjnë syresh që kritikojnë Ramën sot dhe flasin për moral në politikë por ndërkohë Rama është perceptuar që në fillim i djathtë liberal dhe ky pakt nuk është “pirueta” e parë e tij. Nëse e pranuan si lider të një partie të majtë, nëse e “gëlltitën” marrëveshjen e 1 Prillit me LSI pavarësisht 21 janarit, sot para se të përflasin paktin në emër të moralit, të maten me rumunët e para ca muajve që mbushën sheshet për drejtësi.

E ndërsa tek ne moralistët nuk u panë gjëkund në bulevard, për ironi vëndin bosh e zuri “çadra” e zullumit me dokrrat pafund për Republikën e “re” nga syresh që mbeten etaloni i së shkuarës problematike në vënd. Përballë militantizmit të verbër të PD, militantizmit sehirxhi të PS e apatizmit të të tjerëve, pakti është një zgjidhje pragmatike që ndërsa lë hapur derën e së ardhmes, mbyll atë të destabilizimit artificial me kosto për të gjithë dhe integrimin në BE.

Dhënia e dorës nuk është “të shkuara, të harruara”. “Llogaritë” lahen në një kohë të dytë. Qoftë nga drejtësia e vetingut, qoftë nga një ligj i ri zgjedhor që mundëson barazi mes subjekteve, meritokraci dhe përfaqësim larg kulisave partiake dhe listave klienteliste (psh. mazhoritar plus korrektim kombëtar, financim bazuar në kuota dhe jo sponzorizime klienteliste apo fonde buxhetore, barazi në media (jo aforfe nga fitorja e dikurshme!) etj.

Kemi mbi 100 vjet me letra si shtet por nëse në botë politika ka frikë nga qytetari, tek ne ajo ka frikë nga bota! E nëse shkenca nxit njerëzimin të gjejë strehë brënda 100 vjetësh gjetkë se ky planet po merr fund, të bëjmë dhe ne pak shtet në këtë vënd ku të vetmet ligje që zbatohen janë ato të …natyrës! “Fjalë-kalimi” mbetet vetingu. Që ky “pakt” e ofron ndonse syresh e lëvdon apo e anatemon në delir. Është real-politikë dhe sa kohë perëndimi, që i kemi dorëzuar “çelsat” e shtëpisë (se vetë e bëmë mullar), e pranon dhe hap dyert e BE, duhet të kënaqë të gjithë. Pothuajse të gjithë. Se ca kënaqen kur vuajnë të gjithë!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Pakti?! Ndoshta më mirë kështu”

  1. kozmo says:

    VETINGUN ,DO TE BEHET VETEM PER BE . SHQIPETARET JANE TE AFTE ,PER TI HEDHUR HI SYVE BOTES . KY I FAMSHEM VETING ,NUK DO TE CENOJE ASNJE POLITIKAN TE KORRUPTUAR ,QE JANE, ME ZI SE SA GJYQTARET . SHUME SHPEJT DO TA SHIKONI ,CFARE DO TE NDODHI I DASHUR PROFESOR !!!!

  2. zi says:

    NJeri i vogel mund te quhet cdo njeri prej nesh kur njehesohet me idene e idhullit,
    sado e persosur te jete ajo.
    Duke krijuar e shprehur idete e tij quhet njeri i lire.
    Megjithate tani per tani le te mbahemi tek, NDOSHTA.

  3. pas says:

    Z. Profesor, ju thoni se dhënia e dorës nuk do të thotë “të shkuara të harruara” dhe se llogaritë do të lahen “në një kohë të dytë”. Por lind pyetja, si do bëhet kjo, kur me ligj tashmë ndalohet hapja e një procesi gjyqësor që do të sillte rëndimin e dënimit të një personi, edhe n.q.se zbulohen fakte të reja!? Për më tepër kur institucionet ndërkombëtare kishin kërkuar edhe shfuqizimin e nenit që e kufizonte periudhën deri në 5 vite!? Jo, z. profesor, s’do ketë dalje para gjyqit në një kohë të dytë, përveçse për ndonjë krahëprerë fukara, sepse kështu i intereson politikës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *