Rama-Basha/ Hakmarrja, një gjellë që hahet e ftohtë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Skënder Minxhozi

“Qari dhe qederi janë motër e vëlla”, thotë një shprehje e vjetër e Shqipërisë së Mesme. Kush rrezikon shumë, fiton shumë, do të ishte versioni modern i shprehjes. Është pikërisht ajo që bënë Edi Rama dhe Lulzim Basha, kur vendosën të nxjerrin jashtë sallës në mënyrë jo edhe aq elegante një tufë burrash, të gjithë kryetarë partish më të vogla parlamentare, në natën mes 17 dhe 18 majit. Ishte një gjest i fortë dhe i pazakontë mes dy liderësh që rëndom kanë evituar prej vitesh që të jenë edhe në të njëjtin event apo ceremoni, e jo më të dialogojnë me orë e orë vetëm për vetëm.

Ishte një lëvizje ku të krerët partiakë rrezikuan jo pak. Rrezikuan të dështojnë në negociata sy më sy, rrezikuan të ngrejnë kundër vetes inatin dhe mllefin e Berishës dhe Metës që u qëndronin pas shpine, rrezikuan të keqkuptohen nga ndjekësit e votuesit, rrezikuan të prodhojnë në tryezë rezultatet e mëvonshme elektorale që mund t’i penalizojnë. Të gjitha këto variable sot duken të zgjidhura. Të paktën pjesërisht. Marrëveshja komentohet si një sukses politik, çadra u mbyll, votuesit duken të kënaqur në të dy kampet, Berisha u shpreh me fjalë pozitive, kurse Metës i duhet të duartrokasë dhe të buzëqeshë, megjithëse do të kishte dëshirë që të gjuante me ç’ti vinte për dore në drejtim të dyshes Rama-Basha!

Ilir Meta ka qenë frymëzuesi i hershëm i një marrëveshjeje mes pozitës dhe opozitës. Ka ofruar madje portofolet e ministrave të tij, e më vonë edhe postin e presidentit, ende pa e marrë atë, për hir të një marrëveshjeje pozitë-opozitë. Ka hedhur në eter kaq shumë retorikë bashkëpunimi dhe kompromisi, saqë sot, kur kjo ndodhi në formën më të padëshërueshme për të, ai ka fare pak hapësirë për të anatemuar produktin.

Për këto arsye, por edhe për faktin se nuk ka mundur të parashikojë devijimin e rrezikshëm që procesi i negociatave mund të merrte, ai i ka sot duart e lidhura dhe gojën e kyçur, përballë realitetit të ri politik dhe elektoral që ka ndërtuar lidhja e papritur mes Ramës dhe Bashës. Madje edhe kur i shkarkojnë krahun e djathtë nga poltroni i ministrit të drejtësisë.

Ndër vite Meta ka pasur iluzionin, jo të pabazuar, se mbajtja e një boshti strategjik komunikimi e bashkëpunimi me Berishën, do t’i ofronte atij qetësinë e mjaftueshme për të kontrolluar dinamikën e raporteve mes dy partive të mëdha. Meta ka besuar më shumë se ç’duhet, mesa shihet, tek varësia e Bashës ndaj ish-kryeministrit nga një anë, si dhe tek përçmimi e tallja publike e Ramës për Bashën nga ana tjetër. E ka parë si të pamundur që këto dy personazhe, njëri i markuar në çdo hap nga hija e rëndë e Berishës, e tjetri që i lutej me muaj rresht për të rinovuar marrëveshjen e koalicionit, do të vinte momenti që do t’i nxirrnin të gjithë nga loja, për t’u marrë vesh mes tyre, pa praninë e askujt tjetër. Dhe si për ironi të fatit, pak hapa larg zyrës së tij të kryetarit të Kuvendit.

Ajo që ka ndodhur me Metën dhe LSI në javën e fundit, është materializimi i proverbit të famshëm, i cili thotë se hakmarrja është një gjellë që hahet e ftohtë. Sot LSI po provon hakmarrjen ekstreme dhe cinike të Ramës dhe Bashës, ndaj lojrave politike që ka luajtur në hapësirën e rrezikshme dhe të minuar mes të majtës dhe të djathtës. Po ndodh sot ajo që ndodh rëndom kur elefantët mërziten dhe shkelin barin e kullotës. Rama ka duruar prej muajsh kritikat e athta të aleatit, të cilat erdhën duke u bërë gjithnjë e më të ashpra, ndërkohë që përgjigja për koalicionin mungonte. Kurse Basha nuk ja ka falur Ilir Metës faktin që e ka parë historikisht si një kartë rezervë në PD dhe që vendosi të zgjidhet kryetar shteti, ndërkohë që ai rrinte i strukur në çadrën e protestës. Përfundimi i sagës së krizës elektorale ka qenë një triumf në stil të gjerë i bipolarizmit, i cili ka sfiduar më në fund aleancën më jetëgjatë politike në historinë e pluralizmit shqiptar: atë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Marrëveshja Rama-Basha shënon kalimin e Rubikonit politik shqiptar. Është thyer një tabu shumëvjeçare, e cila precedentin e fundit e gjen në vitin e mbrapshtë 1997 me qeverinë Fino. Praktikisht sot PS e PD qeverisin bashkë, e nuk është e thënë që kjo të mos ndodhë edhe pas 25 qershorit. Të paktën në parim. Rama dhe Basha kanë arritur të sfidojnë të shkuarën dhe të tashmen, duke frikësuar gjithkënd që qëndronte mes tyre. Ky produkt është ndoshta me i rëndësishëm se edhe vetë fundi i krizës së çadrës dhe normaliteti elektoral i 25 qershorit. Sepse në natën e 17 majit ka ndodhur një ngjarje e cila potencialisht (duhet nënvizuar fort kjo fjalë), vlen për të hapur një cikël të ri politik. Jo vetëm për të zgjedhur një kryeministër apo një kryetar bashkie në Kavajë, por shumë më tepër se kaq.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

8 komente në “Rama-Basha/ Hakmarrja, një gjellë që hahet e ftohtë”

  1. zi says:

    Elita 27 vjecare e dale nga breket e komunizmit,
    z’bene gje tjeter vec,
    mbijetuan nga zhgenjimi dhe indeferenca e shqiptareve.

  2. Strong says:

    Nese do te zbehesh dhe te dobesosh kundershtarin me te madh, beje “mik”. Kjo eshte nje strategji e vjeter qe ka dhene gjithmone fryte ne favor te atij qe zgjat doren per bashkepunim, ne kete rast Rama. Ketu eleminohet dhe roli i “kurves” LSI.
    Keshtu luajti dhe Merkel ne nentor 2005! Jam i bindur se Rama keshillohet nga njerez me “koke” ne favor te Shqiperise. Por theksoj se PD-ja shqiptare kurre nuk mund te krahasohet me SPD-ne gjermane qe iu nenshtrua koalicionit te Merkel. PD-ja mbetet nje grup kriminelesh, vjedhesish, terroristesh, shkaterrimtaresh qe thjesht per interesa personale djegin token. Nese Rama eshte i detyruar te bashkepunoje me PD-ne edhe pas zgjedhjeve, ateher kokat e krimit ne rradhet e PD-se dhe familjaret e tyre do te vazhdojne te bejne qejf ne kurriz te shqiptareve.

  3. enea says:

    Nje analize shume e sakte.

  4. xhim xhiboksi says:

    Te lumt o Skender ke bere nje analize te sakte je i zgjuar dhe ja vlene qe Rama te te shikoje pas zgjedhjeve se e ke mbrojtur me shume Ju me Spartakun e Shpetim Nazarkun, se sa qyqar te PS qe kane vegjetuar e me e keqja eshte se duan akoma qe te jene deputet duke fjetur gjume ne seanca parlamentare. Veprimin qe kane bere Rama dhe Luli megjithese me vonese por nga Luli qe JU e pershkruani aq bukur nuk ka vlere per te dy ata por per shqiptaret dhe ju ka ngele gishti ne goje Sales e Like floririt qe kane sjelle verdalle tere shqiptaret qe thoshte Likja se me qetesi e urtesi dhe ja erdhi dhe Likja vajti me vrap tek Sala se nuk ju pelqeu turp i madhe nje i votuar per president harbon pse nuk bene kualicion ne kurrize te PS, bolle me pazare te dala boja e like floriri.

  5. besniku says:

    Gjella qu u shtrua per Ramen dhe Bashen,qe me te vertete e ftohte. A e keni parasysh nje meny ne nje restorant: Specialiteti i dites.
    Gjella qe iu dha ketyre dy “burrave” te shtetit, qe specialiteti i dites, nje gjelle e parapergatitur nga Amerikani Buldozer qe iu vuperpara te dyve, me urdherin: Tani hani! Dhe ata e hengren!
    Pra, takimi koke me koke Rama-Basha, nuk ka qene ideja e asnjerit prej tyre, dhe as e ndonje nga aleatet e Bashes, se Rama nuk ka patur aleate ne ate kohe: I vetem kunder te gjitheve, perfshi edhe LSI-ne e Ilir Metes. Kohegjatesia ka sherbyer per te shqyrtuar se cilen ministri do te merrte Basha, si edhe drejtorite perkatese, sepse pikat e marreveshjes kane qene te zbardhura dhe te gatshme per firmen e te dyve.
    Kot lodhemi me ide te fshehta, mbasi Basha, nuk ka as ide, as parashikime, Leh si qeni henes!
    Te shikojme se si do te vene punet me tej! Por nje gje e tille mund te ishte bere para dhjete-pesembedhjete vjeteve me pare, por persa kohe Salih Karaxhici eshte gjalle, veshtire se midis “kampeve” mund te kete armepushim, sepse frymemarrja e Berishes lidhet me luften, me thirrjet per lufte, me percarjen, me vrasjet, vjedhjet, kercenimet, provokimet etj. Dhe as te mendohet se Saliu kane qene i paditur per cka do te ndodhte, madje ai ka dhene miratimin e paktit, sigurisht duke marre garanci nga nderkombetaret per te vazhduar jeten i qete dhe i
    sigurt, bashke me familje e tij.

  6. katarakti says:

    Dmth te gjitha ç’i kane ngjare Shqiperise dhe shqiptareve gjate ketyre 25 viteve: – shkaterrim, vjedhje, rrenim, vrasje etj etj hidhen pas kraheve dhe harrohen. Pra nuk do te kemi kurre drejtesi. As per 21 Janarin, as per shitjen e Detit, as per vjedhjen ne rrugen e Kombit, as per shitjen e pasurive kombetare, dhe as dhe as…. Perveç se u nxorr jashte loje ai krimbi Meta çfare u fitua nga kjo marreveshje?! Ti hiq çadren dhe une t’i fal te gjitha, – duket se i tha Rama “mikut te tij te oreve te fundit”. Marreveshja Rama – Basha mund te quhet pa frike marreveshja e Amnistise se Madhe. Boll u zume, – hajde tani te vjedhim dhe ta ndajme plaçken bashke, dhe ta heqim qafe nje here e mire ate batakçiun Meta, – rane dakort Rama me Bashen. Prandaj une nuk e kuptoj se perse shqiptaret duhet te votojne sot per Rilindjen e Edi Rames?! Prandaj mendoj se fitimtari i vetem ne zgjedhjet e 25 Qershorit do te jete Abstenimi i Madh. Dhe nuk ka asnje çudi qe Meta me Bashen te fitojne shumicen, pasi socialistet e vertete, te zhgenjyer e te perbuzur nga Edi Rama dhe rilindjotet e tij, nuk do ta luaje me bythen per te votuar.

  7. 231 says:

    IK MOR PLEHRE…/

  8. orient says:

    ..nuk duhet te kete qefmbetje,pasi vija politike nuk ka ndryshuar..ate qe bejne 100-parti sot e bente dje 1-parti{..ç’eshte ky shumfishim qylaxhinjsh}..analiza eshte e sakte,por kur s,ka produkt..dhe produkti vjen nga i huaji dmth shumezoi me zero meritat ne dukje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *