Shija e hidhur e marrëveshjes Rama-Basha në gjuhën e Lubonjës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Klementin Mile

Në një prononcim për rubrikën “Opinion” në “News24” analisti Fatos Lubonja e emërtoi ‘pazar’ marrëveshjen politike të kryeministrit Rama me liderin e opozitës Basha. Prej kohësh ai ka shprehur tezën e mirënjohur “Më mirë tri banda se një bandë”. Realiteti që prodhoi marrëveshja duket se do e detyrojë Lubonjën ta riformulojë tezën e tij të famshme, e cila, tashmë duhet të thotë “Më mirë tri banda se dy banda”.

Problemi është se emërtimi i marrëveshjes politike ‘pazar’ dhe i partive politike ‘banda’ jo vetëm nuk shpjegon asgjë, por nuk i qëndron as analizës logjike. Maksimumi që arrin kjo gjuhë e ngarkuar emocionalisht është tërheqja e vëmendjes drejt folësit, duke e paraqitur atë si njeri të shqetësuar për fatet e vendit, të demokracisë, të mirëqenies etj. Por njerëz të tillë të shqetësuar për sa më sipër janë shumica e shqiptarëve; veçse ata nuk e kanë privilegjin të flasin nga ekranet televizive apo të cilësohen ‘analistë’.

Interpretimi i Lubonjës është i thjeshtë: ajo që ndodhi ndërmjet Ramës dhe Bashës ishte një ‘pazar bandash’. Por, ta identifikosh partinë me bandën do të thotë ta barazosh organizatën politike me organizatën kriminale. Edhe pse të dyja organizata, njëra është politike dhe tjetra kriminale. E kjo do të thotë që njëra është e ligjshme dhe e ndjeshme ndaj opinionit publik, ndërsa tjetra e paligjshme dhe e pavarur nga opinioni.

Po të ndjekim fillin logjik të interpretimit të Lubonjës i bie të pranojmë që partitë politike shqiptare, tashmë të shndërruara në “banda”, janë të paligjshme dhe nuk e kanë të varur ekzistencën e tyre nga verdikti i opinionit publik. Ose i bie të pranojmë alternativën që bandat kriminale, tashmë të shndërruara në “parti”, janë të ligjshme dhe të ndjeshme ndaj opinionit publik.

Risia e konceptimit të Lubonjës është vërtet e jashtëzakonshme. Sipas tij, në Shqipërinë modeste që kopjon thuajse gjithçka nga vendet e zhvilluara, ka lindur dhe ekziston një fenomen i pashoq dhe i pashpikur në ndonjërin prej këtyre vendeve: partia e paligjshme ose banda e ligjshme. Po në cilin regjim do mund të ekzistonte një parti e paligjshme?! Si do mund të merrte pjesë në zgjedhje, parlament, qeverisje dhe opozitë një parti e paligjshme?! Nga ana tjetër, në cilin regjim politik do mund të ekzistonte një bandë e ligjshme?! A mund të përfytyrohet një shtet ku bandat janë të ligjshme, kur dihet që për sa kohë flasim për shtet, monopolin e forcës e ka shteti dhe jo bandat?!

Teza e Lubonjës ka vetëm forcë emocionale, por jo shpjeguese. Gjithashtu, ajo është një tezë që nuk i qëndron logjikës. Nëse e marrim si të vërtetë premisën e tij se “partitë janë banda”, konkluzioni ku arrijmë është absurd. Kështu, nëse partitë janë banda, ato janë banda të një lloji të veçantë – banda të ligjëruara nga Kushtetuta dhe ligjet, të cilat marrin pjesë në zgjedhje dhe synojnë mbështetje elektorale. Pra, partitë janë banda të mbështetura elektoralisht. Nga kush? Nga populli. Por një popull që mbështet me votë bandat i bie të jetë, as më pak as më shumë, një popull bandit (lexo = i paligjshëm). Duke i shpallur të ligjshme bandat (në formën e partive), nëse dëshiron t’i qëndrojë logjikës, Lubonja duhet të shpallë njëkohësisht paligjshmërinë e popullit.

Në vend të kuturisjes me terma si ‘banda’, ‘pazar’ dhe ‘oligarkë’, të cilat nuk prodhojnë veçse argumente absurde, Lubonja mund të kishte bërë një interpretim të vlefshëm të marrëveshjes Rama-Basha. Për shembull mund të kishte parë që kjo marrëveshje, larg krijimit të një “republike të re” (çka është absurde gjithashtu, sepse republika nuk mund të cilësohet e re apo e vjetër), ka hapur një perspektivë të re për politikën shqiptare. Kjo marrëveshje, mbi të gjitha, i vendos partitë në garë individualisht me njëra-tjetrën – pa patericën e koalicioneve – dhe ky është lajm i mirë për disa arsye.

Së pari, marrëveshja priret drejt stimulimit të një votuesi racional. Oferta elektorale do të jetë më e qartë për votuesin, i cili e ka më të lehtë të shqyrtojë meritën e propozimeve programore të një partie të vetme se sa të një koalicioni. Së dyti, marrëveshja pritet të rritë cilësinë politike, duke shmangur koalicionet e partive që, përveç llogarisë së numrave, nuk kanë asgjë programore që i përbashkon. Së treti (dhe me shpresën që nuk do ketë koalicione paszgjedhore), marrëveshja ka probabilitet të sjellë më shumë llogaridhënie. Në demokraci llogaridhënia është ura e vetme që e lidh popullin me qeverinë. Nëse qeveria formohet nga një parti e vetme, kjo e fundit nuk do e ketë luksin ta shpërndajë përgjegjësinë, siç ka ndodhur deri tani me qeveritë PD-LSI dhe PS-LSI.

Marrëveshja Rama-Basha, larg të qenit “pazar”, por sigurisht duke patur elemente të manovrës politike, duhet mirëpritur dhe shqyrtuar në mënyrë kritike. Por jo emocionale! Duke e rimarrë tezën e Lubonjës “Më mirë tri banda se një bandë”, po e mbyll me një tezë të ngjashme në formë: Më mirë një ekspert se tre analistë, më mirë një analist se tre moralistë.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

8 komente në “Shija e hidhur e marrëveshjes Rama-Basha në gjuhën e Lubonjës”

  1. Helmi says:

    Gjuha e Lubonjes, e disa pacavureve te tjere, qe na besdisin neper media te shkruar dhe vizive , e hidhur dhe e shpifur ka qene gjithmone. Keta anal- ista, qe” per inat te sime vjerre, fjeta me mullixhine”nuk kane lene gure pa hedhur per çdo anal-ize te bere , more u duket vetja si mendimtaret me te medhenje , qe ne qe degjojme pacavuret e tyre duhet me PATJETER T’U BESOJME FJALVE TE TYRE, VETEM E VETEM SE ATYRE U KRIJOHET MUNDESIA , SI SHOKE TE PRONARVE TE KETYRE MEDIAVE. Pika atyre dhe atyre……

  2. butrinti says:

    ME SA DUKET ESHTE MARREZI TE MERRESH ME LUBONJEN QE ME SA DUKET KA RRJEDHUR FARE.

  3. zi says:

    Atehere ta quajm nje nderlidhje ,perzjerje,nje mish mash, ose migme.
    Quheni si te doni , por parti politike dhe shtet JO.
    Lubonja mund te kete qellime te ndryshme per te konceptuar keshtu Ata,
    por ne nje fare menyre ka te drejte ,panvaresisht ku synon.

  4. Anarhisti says:

    Ato jane parti legjitime , por veprojne si banda jo legjitime

  5. Shqiptar i Ndershëm says:

    Analize driteshkurter dhe logjike e percipte e autorit qe me sofizma te variantit Nard Ndoka,
    na tregon: se si ai ka ezauruar pluralizmin politik, paktet dhe sukseset e medha ne Shqiperi.
    F.Lubonja vertet eshte analist me pikepamje anarkiste, por qartesisht me shume me teper kulture,logjik, argument.

  6. Baci says:

    O sh.Lubija priste nje perplasje fatale nje deshire makabre e tij prandaj quan pazar . Baci

  7. Arber Iliri says:

    Lubonja me respekt per jeten tende dhe duke te vleresuar si nje intelktual te mirefillte, ne analizen time ke kaluar ne nje anarkist puro, besoj se ti ke forcen intelektuale dhe aftesine te kuptosh se vertet qendrimi i yt eshte ai i nje anarkisti 100%.

  8. Kris says:

    Nje dite une pyeta shokun tim se pse ai ishte me fat kur shkonim te zinim peshk?! Pergjigja ishte : dashuria per peshkun?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *