Starova: Mallkuar qofshin të gjithë lakenjtë dhe servilët që janë pjesë e “sistemit”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Partizani ka mbyllur një tjetër sezon pa trofe dhe triumfi i djeshëm i Kukësit ndaj Skënderbeut bënë që të kuqtë të luajnë sa për të respektuar kalendarin në dy ndeshjet e mbetura.

Para disa ditësh, trajneri Sulejman Starova pohoi se gjersa matematika i mban në lojë, skuadra e tij do të luftojë deri në fund për titull, por me shkurorëzimin që i bëri Kukësi Skënderbeut Partizani nuk ka asnjë motiv në sfidën e sotme me Korabin.

Trajneri Starova e konsideron turp atë që ndodhi dje në stadiumin “Zeqir Ymeri, turp të cilin ai pohon se nuk e ka parë në 40 vite karrierë futbollistike. Sipas Starovës, ajo ishte një shfaqje e orkestruar nga gjyqtari Jorgji, i caktuar me mjeshtëri nga FSHF. Trajneri i të kuqve për “Panorama Sport” deklaroi se “sistemi” e kreu me sukses misionin, por nuk lë pa mallkuar të gjithë ata që janë pjesë e tij.

“Obobo, çfarë i panë sytë miletit! Super arbitër, nivel i paparë ndonjëherë loje si rezultat i mjeshtrit Jorgji, i caktuar me mjeshtëri nga FSHF. Kam mbi 40 vjet eksperiencë futbolli, por turp si ky s’ka ndodhur kurrë. Pronarit të futbollit nuk i lëviz qerpiku. Sistemi e kreu me sukses deri në sekondat e fundit misionin.

Mallkuar qofshin ata dhe të gjithë lakenjtë dhe servilët, pjesë e sistemit”, u shpreh trajneri Starova për “Panorama Sport”, pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu.

Batuta e “Bobit”- Degradimin e gjykimit në ndeshjen e djeshme, Starova e shpreh me anë të një batute, e cila ka të bëjë me veprimin që bëri sulmuesi Hamdi Salihi.

“Perla e ndeshjes ishte veprimi i Salihit. Pasi i grisi kartonin e kuq gjyqtarit Jorgji, ai shkon në tualet dhe pastaj futet përsëri në fushë për të vijuar lojën”, vijoi më tej trajneri i Partizanit.

Tirana apo Vllaznia- Në fund, Starova pohon se si pasojë e sistemit që vepron në futbollin shqiptar, një nga dy skuadrat emblemë të futbollit shqiptar do të bjerë nga Kategoria Superiore. Si shoqërues të Korabit në Kategorinë e Parë, Starova shikon Tiranën ose Vllazninë, të cilën në fjalën e tij e përkufizon si djepi i futbollit shqiptar.

“Si pasojë e këtij sistemi, djepi i futbollit, Vllaznia ose Tirana, bie nga kategoria. Ja ky është futbolli shqiptar”, përfundoi Sulejman Starova për “Panorama Sport”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Starova: Mallkuar qofshin të gjithë lakenjtë dhe servilët që janë pjesë e “sistemit””

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *