Përplasja PS-LSI zbret në Gjirokastër, Bledi Çuçi “thumbon” Zamira Ramin e Vangjel Tavon para kamerave

22 Maj 2017, 11:20Politika TEMA

Dy aleatët më të mëdhenj në qeverisjen katër vjeçare të majtë e kanë zhvendosur përplasjen mes tyre në qytetin e gurtë, Gjirokastër.

Kështu, në hapjen e sezonit turistik në këtë qytet jo çdo gjë shkoi sipas parashikimeve mes zyrtarëve që morën pjesë në aktivitetet e organizuara me këtë rast.

Përtej buzëqeshjeve të sforcuara e fjalëve protokollare, mes përfaqësuesve të PS-së dhe LSI-së pati edhe “thumbime” apo batuta të hidhura.

Në fjalën përshëndetëse pas mbjelljes së luleve kryebashkiakja Zamira Rami përmendi vetëm ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, deputetin e LSI Vangjel Tavo e prefektin Flamur Bime, duke anashkaluar Bledi Çuçin, koordinatorin e PS-së për Gjirokastrën dhe kryesuesin e listës, si dhe Flamur Golemin, ndonëse ata ishin aty krah saj.

Ndërkohë gjatë fjalës së saj Mirela Kumbaro ia ka kthyer “reston” flakë për flakë teksa përmendi dhe falenderoi për gjestin simbolik të mbjelljes së luleve edhe kolegët Çuçi e Golemi. Kjo u shoqërua me ovacione nga të rinjtë e FRESSH Gjirokastër prezentë në këtë aktivitet simbolik. Por nuk mbaroi me kaq. Kur fjalën e mori ish-ministri Bledi Çuç,  thumboi jo pak kryebashkiaken Zamira Rami dhe deputetin Vangjel Tavo.

“Në fakt kjo është hera e fundit që ne bëjmë çelje të sezonit turistik në pranverë, pasi me programin e tonë, ne të PS-së do të bëjmë të mundur turizëm për 365 ditë të vitit në Gjirokastër”, tha Bledi Çuçi. Deklaratë kjo që u pasua me një “bravo” prej Mirela Kumbaros dhe ovacione nga të rinjtë e FRESSH.

Marrëdhënia PS-LSI është e nderë dhe pritet që në ditët e ardhshme “lufta” të intensifikohet. Marrëveshja Rama-Basha penalizon LSI-në dhe partitë e tjera të vogla. Sa i përket Gjirokastrës, tashmë LSI që del e vetme në zgjedhje është në përpjekje për të rritur mbështetjen në këtë qark, që gjithnjë ëeshtë dominuar nga e majta.

Ndërkohë që punonjës të Bashkisë Gjirokastër të mbetur nga koha kur kjo bashki drejtohej nga socialistët, ankohen se tashmë janë nën presion për të dalë hapur pro LSI-së, ndryshe rrezikojnë vendin e punës. Ditë më parë, Zamira Rami akuzohet se shkarkoi pa motivacion drejtorin e Punëve Publike, Fadil Bojo, i cili është gjithashtu edhe një prej koordinatorëve të PS-së në Gjirokastër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje