Reforma Zgjedhore, 2 vjet burg nëse shisni votën. Ndalohen financimet private për partitë

22 Maj 2017, 12:07Politika TEMA

Reforma Zgjedhore do t’i kalojë për shyrtim komisionit të posaçëm parlamentar, i ngritur rreth një vit e gjysmë më parë.

Paketa e Reformës, pas shqyrtimit në komisionin ad hoc do t’i përcillet seancës së Kuvendit në orën 18:00.

Burime pranë Kuvendit thanë se nuk do të mblidhet komisioni i Ligjeve siç edhe ishte deklaruar më herët, por paketa e Reformës do t’i përcillet direkt komisionit ad hoc. Mbledhja e komisionit do të nisë në orën 17:00, ndërsa në 18:00 është njoftuar thirrja e Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, ku edhe do të miratohen propozimet.

Ndryshimet që pritet të prekin reformën, të cilat sjellin ndërhyrje në Kodin Penal tashmë janë gati. I tërë kapitulli ka të bëjë me kundravajtjet elektorale, të cilat do të konsiderohen krime zgjedhore dhe parashikohet ashpërsim i masave për rastet e shitblerjes së votës.

Për këtë pikë duket se kanë dhënë “Ok”­in si PD ashtu dhe PS. Ndryshimet në Kod parashikojnë burg deri në dy vjet minimumi, ndërsa dënimi vlen njësoj si për blerësin e votës ashtu edhe për atë që e shet. Maxhoranca dhe opozita janë dakord për pjesën e parë të nenit, atë të dënimit, ndërsa po negociojnë nëse penaliteti do të jetë njësoj të dyja kategoritë e shkelësve.

Gjithashtu, një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga privati, por vetëm nga shteti.

Ndërkohë që një propozim i tillë sipas PS bie ndesh me Kushtetutën, sepse partitë kanë dhe kuota anëtarësie. Megjithatë edhe për këtë çështje, vijojnë negociatat mes partive politike deri në arritjen e një pike dakordësimi.

Gjithashtu, pritet që gjatë kësaj të hëne të zhvillohen negociata mes palëve për finalizimin e reformës me konsensus.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme sot në 18:00, Kuvendi pritet të mbyllë paketën e ndryshimeve në Reformën Zgjedhore.

Në fillim të seancës komisioni do t’i kërkojë Kuvendit zgjatjen e mandatit, thjesht për formalitet kjo, sa për të miratuar ndryshimet.

Ndërsa në fund të seancës do të depozitohet paketa e ndryshimeve në Kodin Penal për ashpërsimin e masave lidhur me shitblerjen e votës si dhe ato për financimin e partive.

2 komente në “Reforma Zgjedhore, 2 vjet burg nëse shisni votën. Ndalohen financimet private për partitë”

  1. gezim beqo says:

    Te denohet me 2 vjete burge cdo kush qe shete apo blene voten shume mire Po duhet denuar te pakten me 20 vjete ai deputet qe shete voten duke kaluar sa ne nje parti ne tjetren Ne rastet kur vertetohet qe personi qe shete apo ai qe blene voten per nje parti te caktuar duhet penalizuar dhe partia Vetem ne kete menyre mund te pastrohej sadopak politika nga matrapazet e votes

  2. genci.d says:

    Kesaj i thone qe vota do te blihet shtrenjte?Jo si ne 2015 ku me 10 000 leke blinin votat e fukarenjeve…Por sa te kete fukarallek dhe korrupsion do te kete dhe shirblerje votash..
    Une personalisht po te me paguajne mire e shes voten , se si PS dhe PD te dyja njesoj jane…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje