Sidoqoftë, 71-shi mbetet mbret…

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Eduard Zaloshnja

Nga diskutimet private dhe publike të analistëve politikë, më duket se është krijuar një opinion i përgjithshëm mes tyre se, pas 25 qershorit, do të kemi një Große Koalition (koalicion të madh, të ngjashëm me atë të së majtës e së djathtës gjermane). Në një koalicion të tillë, PS-ja dhe PD-ja do të bashkëqeverisnin, duke i lënë jashtë pushtetit LSI-në, PDIU-në dhe partitë e tjera më të vogla.

Shkak për opinion e mësipërm, është bërë pika në marrëveshjen Rama-Basha, për mosregjistrimin e koalicioneve parazgjedhore (pra, heqja e mundësisë që partitë e vogla të përfitojnë mandate shtesë brenda koalicioneve, përmes formulës Sainte-Laguë). Gjithashtu, shkak për opinionin e mësipërm është bërë një pikë e marrëveshjes, ku flitet për bashkëpunim mes dy partive të mëdha pas zgjedhjeve, për ndryshimin e kushtetutës dhe kodit zgjedhor. Kjo pikë ka krijuar dyshimin e fortë se, në të ardhmen, do të kalohet në një sistem elektoral me prim, i cili do t’i nxirrte përfundimisht nga loja LSI-në dhe partitë e vogla aktuale.

Në fakt, në pamje të parë, duket i mundshëm një Große Koalition mes PS-së e PD-së pas 25 qershorit. Por Shqipëria nuk është Gjermania… Vendi ynë i ka rrënjët në Perandorinë Biznatine ku ata që dukeshin armiq, mund të ishin miq të fshehtë, ndërsa ata që dukeshin miq, mund të ishin armiq të fshehtë.

Duke patur parasysh këto rrënjë, dy skenarë të tjerë janë të mundshëm:

1 – Një pakt i fshehtë Meta-Berisha, kundër Ramës

Ndërsa Rama dhe Basha ishin mbyllur në Pallatin e Kongreseve, për të diskutuar mbi marrëveshjen e tyre, Meta i bëri një vizitë publike Berishës në zyrën e tij, pas së cilës deklaroi se “e ka pikë të dobët Doktorin”. Ndërsa të premten, Meta deklaroi në një emision televiziv se “Doktorin e ka pikë të dobët, por edhe të fortë”…

Nëse kthehemi dy vjet prapa, mund të kujtojmë se Ilir Meta mbajti një fjalim para përkrahësve të tij më të zjarrtë në Çorovodë. Në muajt që i paraprinë atij fjalimi, Basha e njerëzit përreth kishin kërkuar pa pushim dorëheqjen e Metës, në lidhje me aferën CEZ-DIA. Dhe Meta u kundërpërgjigj nga Çorovoda, duke thënë se nuk kishte opozitë në botë, që të kërkonte dorëheqjen e kryeparlamentarit, e jo atë të kryeministrit.

“Nuk është çudi”, tha me sarkazëm Meta, “që të thonë nesër, se opozita Rama-Basha po shtypet nga mazhoranca Meta-Meta…”. Më pas, ai dërgoi këtë mesazh publik për Berishën: “Doktori e di që unë jam malësor, si ai. Dhe ne malësorët kur themi ‘po’, themi ‘po’”. Gjithashtu, ai u shpreh se “ultësirat kënetore nuk mund t’i thyejnë dot lartësitë malore”.

Fill pas fjalimit të Metës, Berisha shkroi ashpër kundër Ramës (në Facebook), pa e përmendur fare Metën. Dhe qysh të nesërmen e asaj dite, Basha dhe njerëzit rreth tij nuk e sulmuan më Metën publikisht.

Se ç’kishte parasysh Meta me atë “po”-në që përmendi publikisht në Çorovodë, ne ndoshta s’do ta marrim vesh kurrë. Por zhvillimet e fundit po tregojnë se ai diçka po gatuan me Doktorin. Ndoshta një koalicion paszgjedhor PD-LSI (në qoftë se Rama nuk i siguron dot 71 mandate).

2-Një pakt i fshehtë Rama-Meta kundër Bashës

Pavarësisht acarimeve që kanë patur marrëdhëniet PS-LSI kohët e fundit, Rama ka këmbëngulur vazhdimisht se aleanca e këtyre dy partive nuk është thjesht një aleancë numrash, por një aleancë strategjike që shkon shumë përtej 4 vjetëve aktualë të bashkëqeverisjes. Nëse e vërtetë, kjo aleancë i ka rrënjët në darkën e famshme “të ngjalave”, që është pasuar me shumë darka të tjera të të dyve. Pikërisht në ato darka, ata mund të kenë hedhur piketat strategjike të bashkëpunimit afatgjatë.

Por a mos janë prishur ato piketa nga zhvillimet tronditëse të kohëve të fundit? Ndoshta po, por acarimi aktual mund të jetë edhe thjesht një manovër taktike, për të realizuar mbylljen e çadrës së PD-së. Basha, duke menduar se ka kopsitur me Ramën një marrëveshje afatgjatë, pranoi mbylljen e çadrës. Ndërsa Berisha, duke menduar se ka një marrëveshje afatgjatë me Metën, e miratoi mbylljen e saj.

Por në realitet, e vetmja marrëveshje afatgjatë e vërtetë është ndoshta ajo mes Ramës e Metës, që zuri fill me darkën e “ngjalave” (mos të harrojmë se Spartak Braho, një nga njerëzit më të afërt të Metës, është kandidat në listën e PS-së). Nëse marrëveshja Rama-Meta është e vërteta, pas zgjedhjeve të pranuara nga PD-ja dhe nga komuniteti ndërkombëtar, PS-ja mund t’i rikthehet koalicionit me LSI-në, për të bashkëqeverisur edhe për 4 vjetët e ardhshëm.

Epilog

Në kushtet kur asnjëri s’mund t’i besojë asnjërit, si për Ramën, ashtu edhe për Bashën, garancia e vetme është numri 71. Në qoftë se njëri prej tyre siguron 71 mandate më 25 qershor, karrigen kryeministrore e kap pa frikën nga skenarët bizantinë që mund të kenë thurur aktorët e ndryshëm politikë. Përndryshe, gjithçka mund të ndodhë…

Projeksion mbi një sondazh

Bazuar në sondazhet që kam kryer para disa muajsh, si dhe në rezultatet e qarqeve në dy zgjedhjet e fundit, kam bërë një projeksion të përafërt të shpërndarjes së mandateve parlamentare në zgjedhjet 25 qershorit. Ky projeksion është bërë duke presupozuar se kryetarët e partive aleate të PD-së do të jenë në listat e kandidatëve të saj.

PROJEKSIONI I PËRAFËRT I MANDATEVE PARLAMENTARE

PS 69

PD 58

LSI 10

PDIU 2

LIBRA 1

TOTAL 140

Marrë nga Albanian Free Press

http://afp.al/news/2017/05/sidoqofte-71-shi-mbetet-mbret-nga-eduard-zaloshnja-23968/index.html

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

11 komente në “Sidoqoftë, 71-shi mbetet mbret…”

  1. arjan says:

    ti i ke bere sondazhet gjithmone me +/- 30%
    me shkrin se qeshuri perballja me frrok cupi.

  2. orli says:

    Beje tani nje sondazh e na thuaj?!

  3. Mersin says:

    E para sondazhet e tua nuk dalin sepse i ben sipas porosise, e dyta PS merr mbi 70 deputete. Kete e vendos lloji i elektoratit te heshtur, ne surdine, lloji i elektoratit me qytetar i ketij vendi, i cili gjykon vetem ne baze te rezultateve te qeverisjes. Flasim pas 25 qershorit.

  4. Rex says:

    Gjalle ne bote se pd merr 58 deputet…une jam gati te ve bast se ata smarrin mbi 50 deputet (shifra max qe mund te marrin). Mbeshtetja ndaj pd-se eshte ne nivel minimale as ne 97 sishin kaq keq. Basha e di kete gje prandaj ishte gati te mos futej ne zgjedhje, rama e dinte kete gje (qe basha e kish seriozisht me mospjesmarrjen) prandaj i la ministrite, nje veprim i paprecedente.
    Per mua Ps err 78 deputet

  5. ripjellja says:

    Ky tipi qe asnjehere si dalin parashikimet me hamendje do na thote sesa peshq ka deti.

  6. albani says:

    Z. Eduard, ja ta them une si do vene zgjedhjet: PD (58) + LSI (10) + PDIU (2) + Libra (1).

    Pra, 58 + 10 + 2 + 1 = 71!

    Po Rama? Rama, me gisht ne goje. Mos harro si tha Ilir Floriri, do te shihni surpriza.
    Perse thoni ju, kot shkoi Muhameti tek Mali (Iliri tek Berisha)? Shkoi per te filluar koalicionin pas zgjedhor.

    Dhe mos harroni, se ujku (Ilir Floriri), qimen e nderron, por zakon nuk e harron. Ka filluar blerja e votes qe tani, dhe ju nxirrni ligje.
    Te shohim sa do te futen ne burg kete radhe. Asnje! Por zgjedhjet do te jene te lira dhe te ndershme!

  7. Leone-53 says:

    Ne nje demokraci normale koalicionet “shkruhen” para zgjedhjeve qe elektori te dije ke te votoje (ne program e me ke do bashkeqeverise), por ne Shqiperi dihet se çbehet qysh prej 25 vitesh dhe politikanet e Tiranes “dine” se si ti bejne llogarite duke na perjashtuar ne TE PAMVARURIT e vertet qe quhemi EMMIGRANT dhe bejme mbi 30% e popullsise.
    Megjithate çdo fillim e ka nje fund dhe ai do te vij nje dite!?…

  8. Goni says:

    Z. Zaloshnja,
    Ju jeni vete nga Skrapari dhe e njihni me mire se kushdo psikologjine e krahines, qe per hire te se vertetes eshte thuajse e njejta kudo ne Shqiperi, por mos harroni se cifti Meta-Kryemadhi i ka nje borxh te madh Berishes. (Cudi! Ju nuk e permendni me lart. Por, merreni me interpretimin e stilit alla Kadare te mesazheve ne distance te njerit e tjetrit!!!) Cifti Berisha darkoi nje nate para gjyqit ne shtepine e Metes, hengren dhe pine deri vone. Pastaj, ne dalje poshte shkalleve, Berisha lavderoi mikpritjen dhe veren speciale duke u dhene nje MESAZH te qarte gjykatesve te ceshtjes … Vazhdimin e dine te gjithe shqiptaret. Por duket e kane harruar! Ashtu si edhe Ju!
    Me dy fjale: Mbrojtja nga Vetting-u i ben dhe do t’i beje bashke perjete Berishen dhe Meten. Pra: Fatkeqesisht, duket do te fitoje varianti juaj i dyte.
    Ne shqiptareve fati na ka denuar te vuajme edhe ca vite …
    Goni

  9. Poku says:

    Ti mire e ke 71 eshte kryesoria po une do te thoja qe kryesore eshte blerja dhe largimi i deputeteve nga nje parti ne tjetren kjo duhet te vendoset njehere e mire me ligj qe per kete apo ate legjislature kush largohet te perjashtohet nga kuvendi e te zgjidhen te tjere vetem keshtu do ndaloj blerja e votave.kur thote se do kete surpriza kete ka parasysh Meta. Do bejne ceshte e mundur ti ballancojne votat ne menyre qe te jene te detyruar per bashkpunim me njera tjetren ose te shtyjne ligjet e vetingut sa me shume te jete e mundur.

  10. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Ne kete gjendje qe eshte PD-ja ne baze,nuk ka asnje mundesi te kap 58 deputet !
    Dyfishimi i deputeteve te PD,sepse po luftojne “krimin dhe drogen”, veshtire se bind dhe Kacin !
    “Qeveria teknike” e mbushur me besnik te familjes Berisha,mund ta besoj veten Luan Rama si “Qeveri besimi” !

  11. Vesa says:

    Shkrimi jot eshte si ato te kafeneve. Sala mund te beje aleance me Meten e ne kete rast humb Rama. Po qe se Meta ka bere marreveshje me Ramen do humb Berisha. E kush nuk i di keto kombinacione. Po cila eshte me e mundura or tyc? Ti nuk e di. Atehere shko futi nje birre e na ler rehat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *