Aleksandër Frangaj: Rama dhe Basha po fusin duart në xhepat e mi, po më vjedhin…

Aleksandër Frangaj ka akuzuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën se po e vjedhin, duke e detyruar që të japë reklama falas në televizionet e tij, për partitë parlamentare.

“Si askund në botë pas dashurisë së fundit Rama – Basha, mbrëmë vendosën tu fusin duart në xhep edhe të gjithë televizioneve private. Me një ligj në kohë rekord, pa asnjë diskutim, konsultim apo dëgjese, brenda 2 orëve e shkruan, e miratuan në komision, e miratuan në Kuvend, e firmosën të Presidenti dhe e botuan në Fletoren Zyrtare brenda natës.

Me arrogancën e të fortit, miratuan një ligj ku në shkelje flagrante të Kushtetutës detyrojnë biznesin privat mediatik tu bëjnë shërbim falas këtyre partive. Nuk është parë e as dëgjuar absolutisht në asnjë vend të botës që një biznesi privat ti merret një shërbim falas me ligj.

Për më tepër ky shërbim falas kërkohet në favor të disa partive politike dhe jo të një interesi publik të qytetareve. Me ligjin e djeshëm PS-PD kanë krijuar precedentin e shpronësimit për interes partiak.

Njihet kudo në botë e drejta e shtetit për shpronësim publik, pra shteti mund ta marrë pronën për të ndërtuar një rrugë, një shkollë, një spital, por edhe në këto raste kundrejt një shpërblimi të drejtë, thotë Kushtetuta. Por shpronësim për interesa të financave partiake dhe pa shpërblim, nuk kishim parë e dëgjuar.

Kjo grabitje me ligj ndodhi sepse opozita është e shqetësuar se lekët e hashashit i ka marrë vetëm Partia Socialiste dhe në këto kushte ajo ka më shumë lekë se Partia Demokratike për të bërë reklama. Dhe meqenëse janë në muajin e mjaltit, PS nuk mund ti thoshte JO, PD-së duke pranuar me votë të shkelin çdo normë kushtetuese e të drejtë pronësie, për të marrë me ligj shërbime falas nga pronat private.

A kishte të drejte Partia Demokratike të shqetësohej nga lekët e hashashit të Partisë Socialiste? PO themi PO. Dhe për të zgjidhur këtë problem, dje, nga ana e përfaqesuesve të mediave iu dërgua propozimi qe reklamat e partive gjatë fushatës elektorale për të garantuar barazi mes palëve politike, të paguheshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Edhe konkurrenca e pandershme nga paratë e hashashit eliminohej, edhe transparenca e numrit të spoteve dhe e pagesave ishte më e madhe, por edhe nuk grabiteshin mediat private me dhunën e kartonëve të këtyre dy partive.

Absurdi qëndron edhe në faktin se këto parti kanë marrë qindra milionë lekë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për këtë fushatë dhe përveç tyre duan që edhe shërbimet tu bëhen falas.

Veç reklamave falas, dje në projektligj parashikohej që edhe kompanitë e karburanteve do të detyroheshin tu jepnin mijëra litra naftë falas partive gjatë fushatës, por një lobim i fortë i tyre arriti ha heqë nga drafti.

Veç shkeljes së Kushtetutës, me ndryshimin e djeshëm të ligjit për partite politike, PS dhe PD kane shkelur dhe Kodin Zgjedhor i cili ka tjetër parashikim ligjor për reklamat në fushate. Edhe pse u vunë në dijeni të këtij karamboli ligjor, nga dashuria e madhe mes tyre dhe arroganca e numrave në Parlament, votuan një ligj të thjeshtë që bie ndesh me Kodin Zgjedhor i cili në ditët e fushatës elektorale prevalon mbi ligjet e tjera.

Pra, Kodi Zgjedhor në fuqi dhe i pa ndryshuar thotë se reklamat paguhen, ndërsa ligji i mbrëmshëm thotë i marrin falas. Sipas juristeve më të mire, mediat si dhe partitë politike gjatë fushatës zgjedhore detyrohen të zbatojnë Kodin Zgjedhor.

Dhe radiotelevizionet njëzëri kane pranuar të zbatojnë kërkesat e Kodit Zgjedhor në fuqi, duke ua bërë të pavlefshëm ligjin e dashurise antimediatike të PS-PD”, thotë Aleksandër Frangaj, njeriu që ka përfituar miliona euro nga reklamat shtetërore dhe jo vetëm.

Ai është njeriu që ka përfituar pasuri dhe prona pafund duke iu lëpirë pushteteve dhe ka të drejtë që ndihet i vjedhur.

Është mësuar vetëm t’iu marrë pushteteve, jo t’i marrin.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...