Megi Pjeshka takohet me ministrat teknikë: Nuk e dija që duhet të isha ilegale!

23 Maj 2017, 20:49Antena TEMA

Megi Pjeshka, e cila u bë legjenda e çadrës për 90 ditë, i kërkoi dje Lulit një takim me gjashtë ministrat teknikë dhe zëvendëskryeministren.

Donte t’i njihte nga afër, pasi vetëm njërën kishte parë në çadër një ditë.

Luli ja plotësoi dëshirën dhe i thirri gjithë ministrat në takim me Megi Pjeshkën në çadër.

-Ja ku i ke, tha. Tani pyeti dhe kërko çfarë të duash.

Megi Pjeshka e nisi me të parën, që është zëvendëskryeministre.

-Kush je ti, i tha?

-Unë jam Lenida, i tha ajo.

-Ke qenë tek çadra?

-Jo zemër s’kam mujt me ardh se kam qenë ilegale. Na ka pas thënë kryetari mos me u duk se digjena.

Biles një kushërirën time e kam në shtab tek Ditmiri, mos me u kuptu.

-Ah po kuptova, i tha Megi Pjeshka.

-Po ju keni qenë tek çadra, pyeti Helgën?

-Unë jo. Kam pas detyrë me mbajt me muhabet Argitën, pasi stresohej shumë kur u shikonte që ju vuanit.

Isha gjysmë ilegale, se punoja dhe në Kontroll të Shtetit.

-Po ju, pyeti Gazmendin?

-Unë isha i zënë me ligjin e Vetingut në Kuvend dhe isha njeri teknik.

Nuk duhet të vija në çadër, i tha ai.

-E kuptova. Ilegal dhe ti.

-Po ju zonja Karabina?

-Mua më rruat mbiemri, se s’më la njeri të dilja në luftë, iI tha ajo. Më thanë rri ilegale.

-Po ti moj zonjushë, i tha Xhuljetës?

-Po unë jo të gjitha punët i bëj ilegalisht.

Këto të partisë i kam pas bë hapur.

Por më ka pas thënë Goni, do shkosh në çadër kur të them unë.

Dhe ai më tha ditën e fundit të çadrës, shko tako Lulin.

Shkova, më tha do të bëjmë ministre.

U mërzita në fakt, se doja tek CEZ, se për aty e kam pas CV-në.

Megi Pjeshka u trondit shumë nga e gjithë kjo.

Doli e mërzitur nga takimi dhe shkoi në zyrë të Lulit.

-Çfarë ke, i tha Luli? Pse je mërzitur?

-Si të mos mërzitem, i tha. Na paske marrë më qafë.

Na thoshe luftoni çdo ditë në çadër se do bëjmë Republikën e Re dhe ne ëndërronim.

Kurse këtyre që ke pas mikesha tamam, u paske thënë rrini ilegale.

Pse nuk më the dhe mua të bëhesha ilegale, po më le në çadër.

Do isha bë ndonjë ministre dhe unë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje