Rivendosja e dialogut politik mund të bëjë të mundur çeljen këtë vit të negociatave me BE˗në

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

 Gjovalin Kola

Gazeta Tema, Bruksel

 

 

Marrëveshja politike Rama˗Basha ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit  ndërkombëtar. Kjo është shoqëruar me vlerësime pozitive nga Brukseli dhe përfaqësitë diplomatike të BE˗së, SHBA˗së, Gjermanisë, Italisë etj. Në këto reagime theksohet se arritja kryesore është rivendosja e dialogut politik qeveri˗opozitë, rikonfirmimi i demokracisë dhe i shtetit ligjor, jo i bojkotit të institucioneve, dhunës dhe arbitraritetit. Demokracia jonë ende e brishtë ia doli t’i paqtojë konfliktet. Ndryshe nga viti 1997, kur  paqja nuk u ruajt dot, kësaj radhe kjo u bë e mundur, falë partnerëve tanë ndërkombëtarë, përvojës dhe mësimeve të hidhura të së kaluarës, por edhe rolit dhe përgjegjshmërisë së dy protagonistëve, Rama e Basha. Sigurisht, rezultati i menjëhershëm i marrëveshjes, siç është pohuar tashmë, është votimi i vetingut dhe mbajtja e zgjedhjeve të parashikuara. Për të rritur garancitë dhe besimin e ndërsjellë, ministrat teknikë të opozitës u përfshinë në kabinetin Rama, u zëvendësuan gjithashtu disa drejtorë agjencish qeveritare për t’i prerë rrugën abuzimeve me administratën gjatë fushatës etj.

Në këtë kuadër, është edhe zgjedhja e Avokatit të Popullit dhe të Kryetarit të KQZ˗së sipas propozimeve të PD˗së etj. Kryeministri Rama ka deklaruar se marrëveshja përmban reforma të tjera afatgjata, si dhe një dialog të qendrueshëm qeveri˗opozitë për procesin e integrimit në BE, pavarësisht cila forcë i fiton zgjedhjet. Duke shpresuar se palët do t’i përmbahen marrëveshjes, ky bashkëpunim i pritshëm duhet vlerësuar në mënyrë të veçantë. Në rajonin tonë, Kroacia është një shembull për këtë, sepse ka zbatur një marrëveshje të tillë qeveri˗opozitë për integrimin në BE, sigurisht duke zhvilluar pa kompromis luftën politike për problemet e brendshme të vendit.

Bashkëpunimi qeveri˗opozitë në raport me Brukselin do të bëjë të mundur çeljen këtë vit të negociatave me BE˗në. Mirëpo, hapja e kapitujve me Shqipërinë, do të thotë afrim më i shpejtë me komunitetin evropian, për paratë dhe ndihmën e të cilit kemi shumë nevojë. Nga përvoja e vendeve të tjera dihet gjithashtu se periudha e negociatave shoqërohet me më shumë fonde për Shqipërinë, financim projektesh të ndryshme ekonomike, infrastrukturore, për arsimin dhe punësimin e rinisë, për administratën, përmirësimin e ligjislacionit, mundësi më të mëdha për daljen e prodhimeve tona në tregun evropian dhe investimet e huaja në vend etj. Në fakt, nuk ka arsye të refuzohet një qasje e tillë pragmatike (“patriotike”, sipas Ramës), sepse forcat politike mund të qeverisin nesër në një vend më të begatë, anëtar të Bashkimit Evropian, dhe do të votohen nga qytetarë më të kënaqur me jetën e tyre.

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Rivendosja e dialogut politik mund të bëjë të mundur çeljen këtë vit të negociatave me BE˗në”

  1. Sami says:

    Perpara se te kemi negociata ne duam drejtesine e premtuar z. Rama. Nuk jemi te sigurt ne se vettingu nuk eshte prekur nga ndonje marreveshje e pas quintave dhe populli nuk di gje. Perderisa Saliu ishte i qeshur dhe ngazelluar ne votimin e vetingut kam frike se ai proces i drejtesise eshte njollosur dhe katandisur leter pa vlere.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *