“200 mijë euro” për të ndalur Flamurtarin dhe Laçin, reagon ashpër klubi vlonjat

25 Maj 2017, 15:21Sport TEMA

Klubi i Flamurtarit ka reaguar pas lajmit se Vllaznia dhe Tirana kishin ofruar rreth 200-mijë euro për Teutën dhe Korabin për të ndalur Laçin dhe Flamurtarin.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare, klubi vlonjat u ka bërë thirrje organeve përkatëse të ndërhynin për të verifikuar shkeljet e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Postimi i Flamurtarit.

“FLAMURTARI” FOOTBALL CLUB
VLORË

KALLËZIM PUBLIK – Vlorë, 25 Maj 2017

E turpshme, e padëgjuar, antiligji ka arritur në maja kulminante.
Të shkelësh ligjet, fairplay-in në Kampionatin Shqiptar tashmë është mëse normale, normale dhe e trumpetuar si mëse ligjore, pa ndrojtje edhe mediatikisht.

Sot, dy ditë para zhvillimit të sfidave të fundit delikate të futbollit shqiptar, ku fatkeqsisht ekipe elitare luftojnë për mbijetesën në Kategorinë Superiore, media dhe portale sportive kanë përcjellë me bujë lajmin se klubet e Vllaznisë dhe Tironës kanë vendosur të paguajnë 200.000 Euro, për rrëzimin nga Kategoria Superiore të ekipeve të Flamurtarit dhe Laçit.

“Drinët” e rradhës në futbollin shqiptar, të cilët në dukje janë “qarë” dhe kanë “dënuar” me forcë gjatë gjithë kampionatit, padrejtësitë dhe shkeljet që bëhen në kurriz të tyre, sot me mbështetjen e shtypit dhe portaleve kanë shpikur “forma ligjore për blerje” të ekipeve kundërshtare në garë.

Jo më me telefonata, apo takime të fshehta, por hapur, mediatikisht dhe duke e përcaktuar si ligjore, duke harruar se duke e bërë vetë publike blerjen e ekipeve, nuk i ndryshon asgjë blerjes dhe korruptimit të lojtarëve në fshehtësi, duke harruar se duke i veshur “kostumin e sponsorit”(që vetëm ata e dinë ku bazohen ligjërisht) nuk ndryshon asgjë nga kryerja e veprimeve për përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve, bazuar në korrupsionin pasiv dhe mitmarrjen për bashkëpunëtorët.
Nëpërmjet kësaj deklarate, kallëzojmë publikisht Klubet e Tironës dhe Vllaznisë, mediat dhe portalet online për veprimet antiligjore që kanë ndërmarrë për shkatërrimin e garës së ndershme.

Nëpërmjet kësaj deklarate, i bëjmë thirrje organeve kompetente, nisjen e procedimit dhe hetimin deri në zbardhje të plotë të këtyre veprimeve haptaz korruptive, që ndikojnë në përcaktimin e rezultateve të ndeshjeve në futbollin shqiptar, në shkelje të disa neneve në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

I bëjmë thirrje Federatës Shqiptare të Fubollit, marrjen e masave ndaj të gjithë atyre ekipeve dhe individëve që ndërmarrin veprime abuzive në shkelje të fairplay-t, legjislacionit sportiv dhe penal.

Flamurtari FC do të vazhdojë të gjitha hapat ligjor për dënimin e këtyre veprimeve të turpshme dhe deklarimeve publike për blerjen e qëndrimit në Kategorinë Superiore të Kampionatit Shqiptar të Futbollit dhe të trumpetuara mediatikisht si të drejta legjitime.
FLAMURTARI FC

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje