DOSSIER/ 26 Maji, degradimi i zgjedhjeve

26 Maj 2017, 14:23Politika TEMA

Nga Mero Baze

Prej mesditës, lajmi se socialistët do të braktisnin qendrat e votimit ishte rrokullisur në gjithë vendin dhe pasdite ishte bërë ortek. Kati i dytë i selisë së Partisë Socialiste, ku u kumtua zyrtarisht njoftimi, ishte i tejmbushur me gazetarë, militantë dhe vëzhgues të huaj. Ndërsa njëri nga nënkryetarët e kësaj partie lexonte deklaratën e largimit nga zgjedhjet, kisha një ndjesi se deklarata nuk përbënte më lajm për askënd aty në sallë. Të gjithë kishin pritur diçka që do t’i ndalte zgjedhjet. Viti i fundit i mandatit të Partisë Demokratike ishte shoqëruar me kriza të forta në raportet ndërkombëtare, për shkak të problemeve me drejtësinë, të qëndrimit ndaj liderit të burgosur të opozitës, të legjislacionit spastrues për kundërshtarët politikë, problemet me lirinë e medias dhe, sikur të mos mjaftonin këto, një konflikt nervangritës me krerët e pakicës greke në Shqipëri, që u jepte gjithë deformimeve një tis nacionalizmi, që i tërhiqte si një beze e kuqe brirët e të gjitha palëve mbi Sali Berishën. Një natë më parë, ende pa filluar zgjedhjet, një grup i vëzhguesve të ODIHR-it kishin bërë paralajmërime të ashpra për ditën e zgjedhjeve dhe kishin regjistruar çdo parregullsi paraprake, që kishte të bënte me listat, komisionerët dhe tensionin paraelektoral. Liderët e opozitës po ashtu. Shumica e atyre që drejtonin partitë politike nuk konkurronin dot për shkak të ligjit për pastërtinë e figurave, që ishte dukshëm i personalizuar për lidershipin e opozitës. Po t’u shtosh gjithë këtyre detajeve dhe një lloj arrogance dhe diference të thellë që kishin rrezatuar fushatat e të dyja palëve, të krijohej vetiu ndjesia e mungesës së garës. Madje, çasti i deklarimit ishte më shumë një lloj çlirimi nga makthi për të gjitha palët që e ndienin se zgjedhjet po prisheshin.

Vendimi ishte marrë nga kryesia e Partisë Socialiste në orët e para të ditës, ndoshta rreth orës dhjetë, por dukej qartë se nuk ishte një vendim spontan. Minimumi ishte një skenar rezervë, nëse gjërat do të shkonin keq. Arsyetimi i socialistëve ishte paksa paranojak, ndërsa e vërteta që shihej, ishte më e hidhur se paranoja e tyre. Nga bisedat që pata me dy-tre prej tyre, më thanë se Berisha kishte mbushur kuti dhe do t’i këmbente gjatë natës. Kjo nuk ishte e vërtetë, por nuk kishte asnjë rëndësi.

Zgjedhjet kishin nisur me një trysni kapilare qendër më qendër, të mbuluara nga civilë të paidentifikuar, kryesisht nën kontrollin e ShIK-ut, të cilët ishin aty për rezultatin përfundimtar dhe që, gjatë ditës, të përdornin çdo mundësi në favor të tyre.

Vetë ndërtimi i komisioneve vendore ishte diskriminues për opozitën, pasi struktura ishte ndarë në dy pjesë: në një strukturë administrimi, që kontrollohej e gjitha nga pushteti, si dhe një strukturë konsultative, që ishin përfaqësuesit e partive, por që kishin distancë reale nga procesi.

Trysninë para qendrave të votimit nuk e ndieje po të mos ishe socialist dhe as që e kuptoje fare po të ishe me PD-në. Dhe unë, realisht, isha një i tillë. Votova herët dhe dola të pija kafenë e mëngjesit e për të bërë planin e punës për atë ditë, bashkë me kolegun tim të ‚Zërit të Amerikës‛.

Fola në telefon me Sali Berishën dhe e ndjeva qartë shqetësimin në tonin e zërit të tij. Përsëriti disa herë frazën ‚ç’ka ndonjë gjë‛ dhe pastaj, si pa mendje, mori disa herë frymë pa folur dhe tha:

– Mirë, mirupafshim.

Kjo ishte thyerja e parë që pata. Ai nuk ishte i qetë.

Duke dalë për në qendër, shkova te Shallvaret, ku pashë se po votohej. Prapë qetë m’u duk. Kur dola nga qendra e votimit, disa civilë më shkelën syrin dhe qeshën me njëri-tjetrin. Mendova se më njihnin si gazetar dhe i përshëndeta pa ua varur shumë.

– E njohin, se është i Saliut, – dëgjova të flisnin dy të moshuar me njëri-tjetrin. U hodha një vështrim edhe atyre, por pa ndonjë kuriozitet.

– Ej, shoku gazetar, shikoji, shikoji ata rrugaçët, ata shiko ti, mos eja këtu dhe ikën sikur s’ka ndodhur gjë.

Dukej qartë se ishin gardë e vjetër, që votonin për opozitën.

– Çfarë bëjnë ata? – u thashë.

– Ata i ka dërguar Saliu të përgjojnë votat, – tha më i egërsuari prej tyre.

Ktheva dhe një herë kokën nga dy djemtë që më shkelën syrin, por s’më ngacmoi asgjë e re.

– Mos çani kokë, se s’bëjnë gjë, – u thashë dy pleqve me një ton që vërtitej mes përpjekjes për t’i qetësuar dhe humorit që më shkaktonte paniku i tyre.

Vetëm vështrimi i tyre gjithë përçmim, kur u largova, më bëri të mendoja pak më gjatë, ndërsa makina po merrte rrugën për në bulevard.

Ndërkohë që po dilja te bar ‚Dashuria‛, një kioskë e ngritur në anë të bulevardit, përballë hotel ‚Dajtit‛, nga pëshpërimat e disave mora vesh se socialistët mund të tërhiqeshin nga zgjedhjet. M’u kujtua reagimi i çoroditur i Berishës, por nuk i telefonova më.

Socialistët ndërkohë e kishin përhapur lajmin e tërheqjes në gjithë Tiranën, por ende nuk kishin dalë në konferencë për shtyp. Selia e tyre po fryhej dalëngadalë me gazetarë të huaj dhe vendas, ndërsa thashethemet fluturonin drejt Bënçës, atje ku mbahej në burg Fatos Nanoja. Një palë thoshte se ende nuk ka ardhur urdhri prej tij për tërheqje, çka e bënte të sigurt se tërheqja ishte skenar i Fatos Nanos për të destabilizuar procesin, pasi nuk kishte besim te partia, kurse pala tjetër, më protokollare, thoshte se ende nuk i ka shkuar mesazhi Fatos Nanos për vendimin që ka marrë kryesia e partisë për bojkot. Versioni i parë ishte më natyral, po të mbahej parasysh që Fatos Nanoja ishte në mëdyshje nëse i duhej pushteti i fituar nga kundërshtarët e tij në parti dhe pas sinjaleve se një pjesë e partisë së tij flirtonte me Berishën.

Versioni i dytë ishte zyrtar dhe ishte nga PS-ja, që donte të tregonte se kryetari për ta ishte thjesht një institucion që njoftohej për vendimet e partisë. Vetë e kam pasur gjithmonë të vështirë ta ndaj se ku fillonte një skenar e ku mbaronte tjetri dhe herë-herë më dukej se të dy ishin të vërtetë dhe se të dyja palët brenda – edhe partia zyrtare me nënkryetarët e saj, edhe kryetari i burgosur – nuk kishin nerva për atë betejë.

Nga selia e PD-së, reagimet ndaj bojkotit ishin të çoroditura. Një deklaratë e ashpër e pa asnjë domethënie u lëshua nga zyra e kryetarit të PD-së, që në atë

kohë, formalisht, ishte Tritan Shehu. Deklarata dënonte bojkotin dhe fliste për një skenar të humbësve. Për shkak të nevojës sime, më duhej një zë për deklaratën, për ta publikuar në emisionin e orës 20. 30, te ‚Zëri i Amerikës‛, ndaj shkova në selinë e PD-së. Kurrë nuk e kisha parë aq bosh dhe aq rrëmujë një parti që po e rifitonte pushtetin në mënyrë të diskutueshme. Kati i dytë i saj ishte thuajse bosh, ndërsa në katin e parë, një zyrë shtypi e rrëmujshme dhe pa asnjë standard profesional, shpërndante si njoftime çdo informacion apo koment rreth zgjedhjeve. Shumë afër zyrës vinte një erë mbytëse nga tualeti i katit përdhe, që dukej se e bënte më të fortë kontrastin mes luksit të fitores dhe standardit të protagonistëve. Akuza ishte fiksuar: ‚Bojkoti është shkaktuar nga frika që ka Partia Socialiste nga humbja në zgjedhje‛. Çdo gjë vërtitej rreth kësaj akuze ‚magjike‛. Tritan Shehu, ushtrues i detyrës së kryetarit të PD-së, kishte nevojë për tri duar për komunikim. Telefonin celular, shërbimi i të cilit sapo kishte filluar në Tiranë, e mbante të mbështetur mes veshit dhe shpatullës, me kokën mënjanë, ndërsa receptorin e telefonit kabllor, me të cilin fliste me Berishën, e mbante në dorën tjetër dhe, herë pas here, ulte dhe ngrinte telefonin e brendshëm të sekretares, së cilës i përcillte çdo minutë porosi që, në shumicën e rasteve, kundërshtonin njëra-tjetrën. Kaosi që sundonte në selinë e partisë fituese ishte dëshpërues dhe dukej se ishte një klonim i kaosit që shoqëroi vetë mungesën e kontrollit mbi zgjedhjet. Korridoret e zymta të PD-së dhe refrenet shteruese të Tritan Shehut për fitoren e madhe që po vinte pas ikjes së opozitës nga zgjedhjet, dukej se nuk ngjallnin asnjë hare fituesi në fytyrat e dyllosura nga një lloj makthi të nëpunësve të partisë dhe që ishin gjithsej 5-6 veta.

Erion Brace nje nga kandidatet per deputet te PS masakruar ne Berat gjate dites votimeve

Pasdite, të parët që u shfaqën në korridore ishin dy mjekë të njohur, të afërt me Shehun dhe Berishën, të cilët, ndryshe nga Tritani, rrezatonin trishtim përmes përpjekjes për t’u informuar për triumfin e pritshëm.

Njeriu kyç nuk ishte në atë seli, por në vilën nr. 4, ngjitur me Pallatin e Brigadave. Ai ishte Sali Berisha. Shfaqja e tij e parë publike ishte në televizionin shtetëror, ku njoftoi për shtyrjen e orarit të votimeve deri në orën 22.00 dhe për sigurinë se ‚votat e secilit do të numërohen me respekt‛.

Gjatë mesditës, kisha qenë deri në Rrogozhinë, që ‚t’i hidhja një sy‛ procesit. Në anë të rrugës kryesore, afër rrethrrotullimit ku ndahej rruga për Peqin, ishte një qendër votimi. Para saj kishte shumë njerëz që donin të votonin. Shkova të shikoj se çfarë problemi kishin. Ishin rreth 20-25 vetë, që pretendonin se nuk i kishin emrat në lista. Sapo hyra në qendrën e votimit, pashë se ishin edhe dy vëzhgues të Institutit Demokratik Amerikan dhe të Shoqatës për Kulturë Demokratike, një filial i tyre në Tiranë. I përshëndeta dhe po pyesja se ç’po ndodhte. U rezervuan të flisnin në sytë e komisionit. Një anëtar i bëshëm i komisionit, që dukej se më njihte, u gëzua që unë po flisja me ta dhe më pyeti se kush ishin ata vëzhguesit.

– Janë të Institutit Demokratik të SHBA-ve, – i thashë.

– Ama, demokratë qenkan, se na ngrinë gjakun, ngaqë s’po merrnim vesh! – tha. – Hajt, të rrojë Sali Berisha! – shtoi dhe duke ngritur dy gishta, futi një tufë me fletëvotimi në kuti. Më pas ngriti zërin:

– Të na marrin të keqen komunistët!

U vura në siklet dhe kafshova buzën duke i bërë shenjë të mos e bënte më atë veprim.

– Ça ke, mor jahu, – tha, – a janë demokratë këta dreqër, a çfarë janë?

Përfaqësuesi shqiptar i Shoqatës për Kulturë Demokratike qeshi me ironi, ndërsa po u shpjegonte dy vëzhguesve të huaj dialogun tonë. Pas pak, ata po tundnin kokën në shenjë miratimi të diçkaje që shihej qartë se nuk po u pëlqente.

– Çfarë kërkojnë këta jashtë? – e pyeta komisionerin.

– Janë çmend, mor jahu, s’kanë emrat në lista e duan të votojnë, – tha. – Janë socialistë. ‚Ç’dreqin keni, ore? – u thashë. – Partia juaj ka ik nga zgjedhjet e ju doni me votu. Ikni, ore, se ua kena zgjat shumë‛.

Nën këtë arrogancë dhe keqkuptim të madh për mënyrën se si ish- komunistët duheshin mbajtur larg pushtetit, shumica po rikonfirmohej përmes një procesi tërësisht jashtë kontrollit të ligjit, por dhe anekdotik, për sa i takonte mënyrës se si llogaritej rezultati.

Lajmi i dytë dramatik, përveç bojkotit, ishte ai që u prodhua nga Berisha, që kishte të bënte me ‚exit poll‛- et e të ashtuquajturit fondacioni ‚Faik Konica‛, një fondacion i themeluar një vit më parë, me arsyetimin se do të botonte gazetën ‚Albania‛, dikur botim i Faik Konicës. Sipas lajmeve që jepeshin çdo orë nga TVSH-ja , fondacioni kishte bërë publike rezultate paraprake të ‚hetuara‛ nga ‚exit poll‛-i, që i jepnin mbi 60 për qind fitore PD-së. Ishte thjesht një komunikatë shtypi e Berishës, që kishte përdorur emrin e fondacionit. Nuk kishte marrë as mundimin të njoftonte Ylli Rakipin, i cili formalisht kishte vulën e fondacionit. Ne që dëgjonim vetëm lajmin e sajuar në emër të fondacionit, qeshnim. Ndërsa Tirana ziente kundër dhe pro atij lajmi. Në të vërtetë edhe ai kishte qenë benzinë mbi zjarr, pas ikjes së opozitës nga zgjedhjet. Fondacioni ishte thjesht një ide, që një vit përpara zgjedhjeve, se si mund të mblidheshin ca lekë për të botuar një gazetë proqeveritare. Në të vërtetë, ai kishte vetëm një vulë dhe një sekretare. Me gjithë përpjekjet e Berishës, në rrugë zyrtare u siguruan shuma modeste, që kufizoheshin te një donacion i qeverisë së Kosovës në mërgim dhe me disa kërkesa pa përgjigje të Bashkim Gazidedes për konsujt shqiptarë në Perëndim. Dhe, si për t’i marrë taksën e këtyre të ardhurave, ende pa mbushur vitin, Berisha e bëri të famshme këtë sajesë me sondazhin e ‚exit poll‛-it, që i konsumoi të gjitha përfytyrimet dhe faktet për lidhjen e shkurtër të këtij fondacioni me zyrën e Berishës. Ishte një përdorim i egër dhe i pavlerë, një dhunim në trajtën e incestit, ashtu siç di t’i përdhunojë Berisha krijesat e veta, për të cilën ka ankth se mos rriten pa identitetin e tij dhe i shijon dikush tjetër para tij. Tek askush tjetër nuk e kam parë këtë instinkt incesti aq të fortë sa tek ai, ndaj çdo gjëje që i përket familjes së tij politike. Kishte një padurim për ta provuar vetë i pari, deri në përdhunim.

(Pjese nga libri “Viti 97. Neser do te lexoni “26 Maji ne zyren e Sali Berishes”)

3 komente në “DOSSIER/ 26 Maji, degradimi i zgjedhjeve”

  1. MH says:

    Jo,po,ai budalla i vetmberthyer ne cader kerkonte liri per te rrufatur gjithshka lexohet ne kete artikull.E pa dyshim te ndershme.
    Ky asht koncepti dhe praktika e camarrokut ne shpergaj lulush Basha,per votimet e rradhes 25 qershor 2017 .

  2. Petrit says:

    Si ka mundesi se je kaq i shpifur.

  3. Semanjaku says:

    Te thane qe ishin mbushur kuti gjate nates po qe nuk ishte e vertet,,,,,jooooo ore joooo ishte plotesisht e vertet, sic ishte e vertet qe proces verbal per votimin ne cdo Q.V do ishte vetem nje,,,,,qe terrori kishte filluar disa dite perpara dhe zgjati deri me 28 maj,,,qe ne kuti hidheshin flete ne sy te vezhgueseve dhe nga lakmia e pa dituria edhe te pa plotesuara,,,qe ne d,t. 24 dhe 25 maj komisioneret dhe kryetaret e P.S.se u masakruan,,,u gjakosen,,, u kercenuan,,,u terrorizuan edhe familjarisht,,,u muaren zvarre ne polici dhe u rrahen barbarisht qe te firmosnin proces verbalin ne mengjezin e 26 majit. Ai ishte nje terror fashist. Komosionerit ne fshatin tim i thane qe te shtunen per te hedhur firmen,,ai nuk pranoi,,civilet e gjakosen ne lulishten pas turizmit ne Fier duke e qelluar me shishe birre ne koke ne prani te gjithe komisionereve te P.Dse te cilet hanin pinin dhe qeshnin me ngjarjen. Mua qe po ju shkruaj me shkuan ne shtepi ne oren 1 pas mesnate dhe terrorizuan familje,duke zgjuar femijet nga gjumi, per fat nuk ishja ne shtepi se nje agjent civil i shikut me kontaktoi rreth ores 16 dhe me tha,,,,mos fli sonte ne shtepi, do vijne te marin ca njerez, nuk do te vrasin fare po do te thyejne kembe e duar. Ate nate kame fjetur te vjerri,, pata mundesi te lajmeroja familjen se cdo ndodhte me ta pas mesit te nates.Ka shume per te thene,,,,,shkrimi jot e paraqet shume bute ngjarjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje