DURRES/ Dako: Qeveria e fokusuar tek rritja e punësimit dhe mirëqenies

26 Maj 2017, 10:32Politika TEMA

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes njëherësh edhe kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për qarkun Durrës, Milva Ekonomi, vizituan një prej rrobaqepësive në zonën e Shkozetit në qytetin bregdetar.

Në sajë të politikave mbështetëse, të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre tre viteve e gjysmë, ky biznes me rreth 100 punëtorë i cili prodhon për tregun vendas ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij prodhuese, duke shkuar në rreth 200 artikuj, teksa ka shtuar edhe numrin e të punësuarve.

Duke sjellë në vëmendje reformat e ndërmarra nga qeveria në mbështetje të biznesit vendas, Dako theksoi se kjo politikë do të vijojë edhe në mandatin e dytë. “Kjo qeveri është e fokusuar tek rritja e punësimit, tek rritja e mirëqenies. Ka bërë reforma në këtë drejtim”, u shpreh Dako.

Më tej, kryebashkiaku nënvizoi se “me mbështetjen e Partisë Socialiste, unë si kryetar Bashkie kam bërë shumë punë dhe do të vazhdoj të kem mundësi të bëjë më shumë, duke thithur fonde, duke thithur investime nga qeveria qendrore për të bërë punë të mira për Durrësin”.

Nga ana e saj, Ministrja Ekonomi theksoi se gjatë këtyre tre viteve është bërë shumë por akoma më shumë do të bëhet në mandatin e ardhshëm. “Është shumë e rëndësishme që neve në këto vite që vijnë, në këtë të ardhme të afërt, të kemi një besim dhe besimi është që do shkojë përpara zhvillimi ekonomik i vendit. Ne u përpoqëm në këto tre vjet të bëjmë shumë, do përpiqemi edhe më shumë sepse nuk ka mbaruar e gjithë gjëja që ne duam të bëjmë për Shqipërinë. Ne besojmë se me një shtet të fuqishëm bëhet shumë, ne besojmë që shteti duhet ti sjelli njerëzve punë dhe puna duhet ti sjelli njerëzve mirëqenie”, nënvizoi Ekonomi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje