Hëngri Big Mac-un e Ramës, ëndërron King Maker-in e Metës

26 Maj 2017, 19:55Blog TEMA
Hëngri Big Mac-un e Ramës, ëndërron King Maker-in e

Lorenc Vangjeli

Ku ka dy, ka edhe tre. Mund të thuhet edhe ndryshe: nuk ka tre pa pasur dy më parë. Kështu po ngjet me tre partitë kryesore politike në Tiranë, PS, PD, LSI. Një trekëndësh, kulmet e të cilit kushtëzojnë njëri-tjetrin dhe janë në një marrëdhënie cilësisht të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke nisur minimalisht me korrikun e vitit të shkuar apo dhe pak më herët.

Në mars 2015, për shembull, kur Basha protestonte me parrullën: Meta Ik dhe Rama priste të shihte se çdo të ndodhte apo dhe në pranverën e këtij viti kur Basha nga sera e tij plastike kërkonte që Rama të ikte para zgjedhjeve, me shpresë se do ta dëgjonte edhe Meta.

Të treja këto parti pretendojnë verbalisht se do të dalin forcë e parë në zgjedhje.

Kështu premton Rama.

Kështu pretendon Basha.

Kështu vë bast Meta.

Gjithë shenjat tregojnë se dy pjesët e të majtës, PS e LSI, po hapin një garë mes tyre. Rama për të qenë sërish kryeministër. Meta mbasi u bë vetë President Republike, kërkon që të dekretojë Vasilin si kryeministër. Kjo është një gjë normale dhe e ndershme në një garë që është rihapur. Shmangien nga normaliteti e bën Basha, i cili duke bashkëdrejtuar qeverinë e sotme me Ramën, e ka futur PD-në në një garë tjetër për të nesërmen. Duke i shpallur garën reale LSI-së. Duke shijuar Big Mac-un e Edi Ramës, maksimumi që po kërkon sot, është të zerë rolin e djeshëm prej King Maker-i të Ilir Metës.

Katër vjet në opozitë, mbasi e trashëgoi PD-në si pronë nga Sali Berisha dhe mbasi mezi e bindën të hyjë në zgjedhje, Lulzim Basha nuk hyn në to për të fituar të gjithën, por për të sfiduar pjesën. Jo për të marrë PD-ja pushtetin, por për të qenë ajo që do t’i afrojë pushtetin e nesërm PS-së.

Sfida e tij e përkthyer thjesht është: nëse PS del parti e parë në zgjedhje, t’i afrojë ajo votat për të kapërcyer 71 vendet që formojnë qeverinë dhe jo LSI-ja. Për një parti që përmbysi komunizmin në Shqipëri, simotrat e të cilës në Evropën e Lindjes janë shuar me kohë, nuk ka rrugë tjetër më të mirë drejt shuarjes dhe relativizimit të plotë të rolit të saj. Kaq e thjeshtë është ajo që po ndodh në Tiranë sot.

Çfarë po ndodh sot në Tiranë nuk ka të bëjë me moralin. As me politikën si art i të pamundurës. Ka të bëjë me padurimin e njerëzve pranë Lulzim Bashës. Ata po injektojnë në opozitë ngutin për të marrë nën kontroll punësimin e elektriçistëve të OSSHE-së, oraret e takimeve seksuale në burgje të të dënuarve dhe vulën e hipotekës mbi një parti që lindi me një shumicë aksionerësh intelektualë në 90-tën, u privatizua në mënyrë dramatike nga Berisha dhe u nxorr në ankand qesharak nga Lulzim Basha.

Kaq shumë u shtrëngua tre muaj rresht historia me çadër në Bulevard sa edhe skeptikët gati po bindeshin se Shqipëria kishte mbetur vërtet me barrë me Republikën e Re. Për fat të keq dhe siç kishin parashikuar realistët, shtrëngimi nuk solli një realitet të ri, por vetëm një aromë të vjetër e të njohur. Republika e Re bëri abort sepse morri ALUIZNI-n dhe e hoqi vetë çadrën si liri pa leje në Bulevard.

Në janar të këtij viti, qershori i zgjedhjeve ngjante me një shëtitje elektorale. E vetmja enigmë kishte të bënte me faktin nëse PS e LSI hynin bashkë apo veç e veç në zgjedhje.

Nga shkurti i protestës dhe më pas, me tre muajt e saj të çadrës, PD rihyri në garë fillimisht duke u vetëpërjashtuar prej saj dhe më pas, duke arritur marrëveshjen e pabesueshme bashkëqeverisëse me PS-në.

Nga java e tretë e majit Shqipëria ka një qeveri të panatyrshme, e cila sipas peshës së çdo partie në të, mbështetet në tre skajet PS-PD-LSI.

Në javën e fundit të majit e deri në javën e fundit të qershorit kanë nisur llogaritë elektorale dhe mbi të gjitha, skemat dhe kombinimet e mundshme. Sipas tyre, një koalicion PS-PD nuk është më as një sakrilegj dhe as një akt i pamundur. Përkundrazi, edhe në PS, edhe në PD, e shohin edhe si zgjidhje të shumë halleve që mund të shkaktohen nga zgjedhjet.

Uria e rishtarëve në PD, por dhe përfituesve pa kontribute në PS, thotë pikërisht këtë gjë.  Por atyre nuk jua merr për keq askush që vrapojnë mbas vezës, meqë edhe vetë janë prodhime inkubatori në politikë. Janë të ndryshëm nga njëri-tjetri sa dhe tullat e një pallati të kohës së Enverit. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar. Çfarë ishte dramatike dje, është komike sot. Kryetari trashëgimtar i partisë më të madhe opozitare që përmbysi Enverin, mbasi hëngri Big Mac-un e Ramës që trashëgoi partinë e Enverit, ëndërron vetëm një gjë: të zerë vendin e King Maker-it të Ilir Metës. Me shpresë që ka vend dhe për një të tretë aty ku ka dy.

3 komente në “Hëngri Big Mac-un e Ramës, ëndërron King Maker-in e Metës”

  1. zi says:

    DHe ata jetojne mireeeeeee,
    dhe neeee sa me keq.

  2. Korçari says:

    Sa të paguan Like Floriri, hajduti me çizme e me bllok, o Lorenc?
    Ke qenë edhe ti dikur gazetar nga më të mirët e Shqipërisë, por paraja të prishka.

  3. Skypion says:

    E kuptoj nervozizmin e Vangjelit,edhe pse mundohet ta fsheh mes batutash bajate alla Rama.
    Vangjeli ,me shume se gjithe gjithe keshilltaret e aleatet e Rames,sterkeqja e te cileve ndaj Bashes keto dite,ka lene pa fjale shumekend,ka nje arsye te vertete te nervozohet me Bashen.
    E kjo per faktin ,qe eshte keshilltar i Ilir Metes.Nese ka lider politik dhe parti politike,qe eshte ne hall te vertete sot,ky eshte Ilir Meta dhe LSI-ja.
    Normalisht,analisti Vangjeli do te duhej t’ia shigjetonte Rames batutat e tij.Nuk e ben kete,sepse,vertete eshte keshilltar i Metes,por i kontraktuar me pagese per kete.Ky,sic e kam thene qekur u be keshilltar i Metes,eshte nje nder mbrojtesit me te medhenj te Rames dhe “rilindjes” se tij,madje edhe ne momentet me delikate te marredhenieve te bosit te tij me Ramen.
    Per mua eshte shume e qarte,se pse.Ka te beje me arsye te sojit.
    Jemi te detyruar te flasim per autorin e shkrimit,kur normalisht do te duhej te flisnim per cka shkruan,sepse,ajo cka thone eshte mashtrim,propagande,diversion,genjeshter,ne thelb.Keshtu eshte,pothuaj,me te gjithe analistet e majte,me perjashtime te rralla,sic eshte rasti i Lubonjes.
    Nje arsye tjeter,eshte personale imja.Kam nje, si te thuash, perbuzje te madhe per analistet e majte,per shkak se i japin me shume rendesi formes sesa permbajtjes,demagogjise sesa realitetit te njemendte politik dhe social.Kjo ndodh gjithandej,por ashtu si edhe per shume gjera te tjera,ketu ne Shqiperi,shfaqet ne menyren me te shemtuar.
    Ja ,po ju ftoj te bejme ca krahasime bashkarisht.
    Vangjelin shpesh e shohim te debatoje ne Opinion me Hoxhen.Diskuri i Vangjelit eshte i krimbur ne batuta;flet me shume,shume me shume,po thote shume pak,sepse pjesen derrmuese te diskurit e mbush me batuta.Me ane tjeter,Hoxha me diskurin e tij logjik;ku dominon arsyetimi i mprehte dhe logjika e ftohte.
    Apo te marrim Muc Nanon me Alfred Lelen.Diskuri i Mucit eshte tejet emocional;edhe kur me stermundim mundohet te kapet pas logjikes,dhe ia qellon nganjehere,terhiqet shpejt nga ndroja se mos po lendon ate qe don te mbroje.Krejt e kunderta ndodh me Lelen.Edhe ky,ashtu si Artan Hoxha,megjithese krejt i ndryshem ne stil( hoxha ka nje stil pa lajlelule,per shkak te formimit te tij shkencor,kurse Lela e zbukuron me shume me figura letrare,mesa duket nga ndonje pasion i tij per letersine) mbeshtetet fort ne elementet logjike te diskurit,duke refuzuar me kembengulje cdolloj retorike ndotese demagogjike,i vetedijshem se kjo e fundit eshte tipike majtiste.
    E keshtu me radhe…
    Perkunder batutave bajate te Vangjelit,aksioni politik 3 mujor i Bashes,eshte nje sukses i madh politik i tij.Me i madhi qe ka patur ndonjehere nje lider opozite ne Shqiperi.Per tre muaj shpartalloi ate qe dukej e pathyeshme.Nese bashibozuket mediatike te Rames,e quajne sukses moskapitullimin pa kushte te Edi Rames,kjo nuk tregon gje tjeter,por vec ate se sa budallenj jane.Sa budallenj,qesharake dhe te mjere.
    Edhe marreveshja politike PD-PS eshte nje sukses i jashtezakonshem politik i Bashes.Deri tre muaj me pare,nese dikush do te fliste per nje marreveshje te tille,do ta quanin te gjithe te cmendur,e do te talleshin me te.I pari qe do ta bente kete,do te ishte vete Vangjeli…
    Sesa mjerane jane analistet e majte,kjo duket nga sterperdorimi qe i bejne batutes se Rames me Big Mac-un.
    Aq fort jane kapur fort pas kesaj batute,sa te duket sikur aty gjendet fitorja e Rames dhe humbja e Bashes…!!!
    Ne fakt eshte krejt e kunderta.
    Vete batuta e Rames,ka lindur nga deshperimi per te zbutur sadopak humbjen e tij turperuese perballe rivalit politik.
    Vangjelit duhet t’i drejtohet prape asaj zonjes aristokrate tiranase,per ta frymezuar me batuta me te mencura …
    Kurse,une, do ta keshilloja, qe te mos i perdorte vend e pavend dhe ,mbi te gjitha,te mos tregohet i paduruar per t’i hedhur ato.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje