RREFIMI: Mirvjen Hyseni vdiq me buzëqeshje në buzë, se i shpëtoi vajza e vogël. 5- vjeçarja i pa të gjitha, teksa i vritej i ati

Të enjten u përcollën në varrezat e Babicës në Vlorë, Roland Saliu dhe Mirvjen Hyseni.

Të dy u vranë në kafen e hotel Vlora.

Vrasja bëri shumë bujë për shkak të vendit ku ndodhi, paqartësisë pse ndodhi dhe sidomos sepse të dy ishin të rinj.

Roland Saliu ishte mik i familjes Hyseni.

Ai kishte ardhur të sillte një kasetë për televizionin ku Mirvjen Hyseni ishte pronar.

Afër të dyve luante vajza e Mirvjenit, 5-vjeçarja me biçikletë dhe një shoqe e saj.

Sapo është dëgjuar krisma e parë që ka qëlluar Saliun, Mirvjen Hyseni nuk është fshehur, por është ngritur në këmbë sepse ka menduar se i qëlluan vajzën e vogël, pak hapa larg tij.

Aty, ndaj tij, është zbrazur një karikator.

Vajza e vogël ka lënë biçikletën dhe ka vrapuar te i ati.

Ashtu e kanë gjetur, kur krismat mbaruan, mbi kokën e babit, duke i fshirë gjakun, ndërsa ai, me një buzëqeshje në buzë, që e bija nuk kishte pësuar gjë, ka mbyllur sytë, shkruan Dritare.net.

Me atë buzëqeshje për të bijën, e kanë parë, ata që i qenë pranë, kur pak minuta më pas, dha shpirt.

Dje në varrim, vajza e vogël nuk ishte, pasi është e traumatizuar.

Njerëz të afërt kujdeseshin për të voglën, që nuk pranonte të hiqte pantallonat e lojës, se ishin me gjakun e babit.

Policia ende po kërkon për pistat e vrasjeve.

Zbulimi vështirësohet nga mungesa e kamerave në hotel Vlora, pasi pronari Hyseni, nuk kishte të tillë në hotelin e tij.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...