Zgjedhjet: Si përgënjeshtruan veten Basha, Rama dhe Meta

Si ndryshojnë gjërat në vetëm pak ditë!? Të tre liderat e partive kryesore të vendit kanë ndryshuar disa herë qëndrimet e tyre politike gjatë muajit maj.

Lexo.al është rikthyer në deklaratat më të forta, të cilat sot duket se nuk patën asnjë vlerë në momentin kur u artikuluan.

Basha – Nëse do të bëhej një “hit-parade”, lideri i opozitës do të ishte i pari në këtë listë, jo me një, por me disa qindra premtime të bëra gjatë tre muajve në çadër për vendosmërinë e tij për të mos bërë kurrë kompromis me këtë qeveri. Vetëm pak ditë përpara mbylljes së çadrës, në fakt Basha do të deklaronte: “Nuk ka zgjedhje me Edi Ramen kryeministër dhe me langot e tij të korruptuar e të bërë njësh me krimin dhe drogën. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm. Zgjedhje të lira dhe të ndershme vetëm pa Edi Ramën kryeministër”. Koha tregoi që jo vetëm që do të ketë zgjedhje me Ramën kryeministër, por do të ketë edhe bashkëqeverisje me të për të paktën disa muaj.

Meta – Në zgjedhjet e tij si president i Republikës, në 29 prill, Meta u betua se tashmë do të ishte një president i të gjithë shqiptarëve. Vetëm një ditë më pas, Meta thirri një konferencë për shtyp në të cilën shpalli largimin e tij të menjëhershëm nga LSI. “Edhe pse mund të vazhdoj të jem kryetar i LSI-së, deri në 23 korrik, kam vendosur që sot në mbrëmje, pas përfundimit të listave të kandidatëve për deputet nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mendoj që nga ana etike dhe morale, duke patur në konsideratë situatën aktuale, nuk është detyra dhe obligimi im që të bëj premtime për katër vitet e ardhshme në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim duke qenë se me 24 korrik unë do të betohem si President i ardhshëm i vendit për 5 vitet që do të vijojnë”.

Kjo ishte deklarata e plotë e Ilir Metës në atë konferencë. E megjithatë, sot Meta jo vetëm vazhdon të ushtrojë plotësisht funksionin e kryetarit të LSI-së, por ai në media flet qartësisht edhe për strategjinë, objektivat dhe lëvizjet politike që do të bëjë kjo forcë përpara dhe pas zgjedhjeve. Vetëm një ditë më parë, duke zhvlerësuar tërësisht pozitat e Vasilit, Meta thonte: “LSI është e gatshme që pas zgjedhjeve të bëjë koalicion me atë forcë që garanton më shumë demokraci dhe stabilitet”.

Rama – Kryeministri Rama, gjithashtu nuk i ka qëndruar fjalës së tij në disa raste. Në anullimin e zgjedhjeve të Kavajës, Rama tha se i jepte kohë PD-së deri në 7 maj për të pranuar një kompromis dhe se pas kësaj date, nuk mund te kishte më asnjë marrëveshje për shkak se afatet kushtetutese nuk e lejonin atë. “18 qershori është përcaktuar sipas kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t’i garantojnë e jo ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran”, deklaroi Rama në ditën që i kërkoi kandidatëve të Kavajës të tërhiqeshin.

Situata politike duket se e solli që edhe Kryeministri të tërhiqej, të pranonte një marrëveshje jashtë çdo afati dhe gjithashtu shtyrjen e zgjedhjeve, ndonëse jo përtej afateve kushtetuese. Ndjekësit e tij argumentojnë se Rama ndryshoi qëndrim për të mirën e vendit dhe vendimi i tij u përshëndet edhe nga faktori ndërkombëtar, megjithatë kjo nuk ndryshon fakti që edhe kryeministri është tërhequr nga fjala e tij gjatë këtij muaji të mbushur me zhvillime politike.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Zgjedhjet: Si përgënjeshtruan veten Basha, Rama dhe Meta”

  1. Shefi says:

    Politika nuk eshte arti i stampimit ne deklarata, politika eshte arti i pershtatjes ne situata konkrete. Ka nje dallim themelor per “mosmbajtjen e fjales” te Rames dhe Bashes. Basha ngriti cadren si kauze per te rrezuar Edi Ramen, u detyrua te zbythet nga parimet e veta (pra faktikisht ai nuk ka asnje parim baze). Kurse Edi Rama “shtyu” nje jave zgjedhjet! A ka gje me llogjike se kjo qe ti japesh kundershtarit kohen qe ai te paraqitej ne zgjedhje ashtu sic duhej? Edi Rama i qendron parimit per te bere shtet, kurse Basha shpik parime per te kapur shtetin-kjo eshte diferenca ne mbajtjen e fjales midi Rames dhe Bashes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *