A e ka seriozisht marrjen e pushtetit Lulzim Basha?!

Nga Altin Ketro

 Mos regjistrimi sipas afateve ligjore në KQZ nga Partia Demokratike, kaloi në heshtje nga klasa politike. Asnjë prej eksponentëve të Partisë Socialiste nuk e zuri në gojë, si për t’i thënë kundërshtarëve se unë luaj pastër, nuk gjuaj poshtë brezit edhe pse ti e ke pas bërë këtë shpesh me mua. Duket një lëshim i sforcuar vetëm e vetëm që PD-ja të jetë pjesë e procesit zgjedhor, ndonëse toleranca të tilla, kur bëhen normë, kthehen në të kundërt të qëllimit të mirë. Thjesht, PD-ja po trajtohet si një fëmijë tekanjoz që i duhet toleruar çdo prapësi vetëm të mos qajë.

 Në antitezë më PD-në, kemi mënyrën se si Partia Socialiste procedoi në këtë proces. Aq seriozisht e mori kryeministri Rama kësaj here, sa që paraprakisht i çoi Prokurorit të Përgjithshëm një duzinë me emra kandidatësh për të verifikuar nëse kanë probleme me ligjin. Pasi priti verifikimin një për një të secilit emër, paralelisht kishte gati mbi tavolinë të plotësuara formularët e dekriminalizimit dhe CV-të e kandidatëve, një ditë përpara afatit zyrtar të dorëzimit të listave në KQZ. Ndërsa në kampin demokrat, në vend të verifikimit të emrave prej Prokurorit të Përgjithshëm, Lulzim Basha kish ngritur një strukturë ekstra të drejtuar nga doktor Halim Kosova i cili kish detyrë seleksionimin e emrave të inkriminuar. A e beson kush që lista e kandidatëve për deputetë që depozitoi Basha në KQZ kaluan paraprakisht nga duart e zotit Kosova? Nëse do kish ndodhur, kjo do ishte shumë e rëndë në kushtet kur në shtyp kanë dalë raste kandidatësh me precedentë penalë. Vetë mënyra se si procedoi Partia Demokratike në hartimin e atyre listave, nuk lë vend për dyshim se përpilimi është bërë pa u thelluar në të shkuarën e tyre. Kjo është një prove se sa sipërfaqësore i ka Lulzim Basha angazhimet që merr për procese kaq delikate.

 Duke i lënë mënjanë këto çështje jo të parëndësishme, dua ta vë theksin tek fakti që KQZ nuk mori dot vendim për miratimin e listave të PD-së, duke e shtyrë edhe me 24 orë miratimin e tyre. Sipas atyre që dolën në media, rezulton se Partia Demokratike ka depozituar në KQZ dokumentacion të mangët. Mungesa e dokumentacionit shoqërues që janë, formulari i dekriminalizimit dhe CV-ja e kandidatit, u pa që mungonin qysh kur përfaqësuesi i PD-së çoi në KQZ vetëm zarfin me lista. Ajo që nuk dihej dhe që u mësua më pas ishte se vetë listat kishin mangësi substanciale. Kandidatëve në listë u mungonte atësia, datëlindja dhe gjinia. Jo vetëm kaq, por listat ishin të cunguara, pra jo me numrin e plotë që ka qarku, por me gjysmën e tyre. Vetëkuptohet që ato lista janë bërë e ribërë disa herë deri në mesnatë dhe në përfundim janë vendosur thjesht emra me idenë se, hajt t’i çojmë se kjo punë kësaj radhe kështu vajti. Në këtë aspekt PD-ja ka rënë poshtë edhe atyre partive që konsiderohen të vogla por që në momente kaq solemne siç janë listat e përfaqësimit politik, janë strikte dhe dinjitoze.

 Edhe po të marrim të mirëqenë se KQZ-ja do t’ia tolerojë me procedura ekstra ligjore vonesat në dorëzimin e listave dhe plotësimin sipas kritereve ligjore të mangësive në dokumentacion, çdo të ndodhë nëse emrat e përfolur me probleme me ligjin rezultojnë të vërtetë? A do rezultojë kjo një goditje e rëndë elektorale për PD-në? Shenjat e para që Lulzim Basha nuk i ka punët mirë me elektoratin u panë qysh në mitingun hapës të fushatës në Tiranë. Ai që duhet të ishte mitingu frymëzues për gjithë qarqet e tjera, rezultoi qysh në start një dështim i pastër. Sado të përpiqeshin pjesëmarrësit për të krijuar distanca mes tyre për të dhënë idenë televizive të pjesëmarrjes masive, realiteti tregoi se kjo mënyrë kamuflimi i përket kohës kur dronët ishin ekskluzivitet vetëm i ushtrisë amerikane. Kur elektorati demokrat sheh se listat e kandidatëve janë bërë një çorb emrash ku ata s’e gjejnë veten, kur sheh se lideri i partisë është i dyzuar për t’i publikuar ato në kohë, kur merr vesh se listat nuk janë të plota sepse opozita nuk gjen dot emra të denjë përfaqësimi, natyrisht që nuk do të gjejnë motiv për të ardhur për të të mbështetur.

 Nëse do të vija në peshore seriozitetin që tregoi Partia Socialiste në këtë proces paraprak që paraprin fushatën elektorale, dhe mënyrës tallëse se si e trajtoi Partia Demokratike, pyetja që lind vetvetiu është: a e ka seriozisht marrjen e pushtetit dhe qeverisjen Lulzim Basha? Kur për gjëra kaq elementare ai s’është i zoti t’i japë drejtim, imagjinoni sikur nesër të jetë në krye të punëve të vendit se çfarë mund të bëjë. Përgjigjen po jua lë ju të tjerëve. Unë për vete e kam timen. E kam parë në Tiranë…

REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “A e ka seriozisht marrjen e pushtetit Lulzim Basha?!”

  1. Kola says:

    Pyetja eshte uleritese, por nuk eshte kjo e vetmja. Kureshtja me e madhe per te shuar, eshte fakti se a do e vendos shqiptari te shkeputet perfrundimisht nga partite e klaneve e te familjeve qe e cuan vendin ne katastrofe, apo jo?

  2. Peço says:

    Dështimi në zgjedhje i PD dhe LSI është një nevojë që e kërkon koha. Dhe, për dreq, koha gjithmonë bënë atë që kërkon.

  3. Asus says:

    Ju qe keni ngritur pyetjen, diku nga fundi keni dhene edhe pergjigjen. Lulzim Basha eshte njeri I paafte, Jo per gjera ne rang vendi por dhe per gjera me te vogla. Ky njeri I perkedhelur, kudo ku ka qene e ka katranosur. Nuk ka fituar asnje gare, nuk ka treguar karakter dhe individualitet, nuk ka mireadministruar asnje institicion. Ketij njeriu gjithcka I eshte falur nga Berisha. Por kjo nuk mund te ndodh me. AI nuk mund te behet kryeminister pa mundur Ramen, njeri I forte dhe shume punetor, veti qe I mungojne Bashes.

  4. Idioti says:

    O Luzim Basha, çna kë bo kshtu, a do na me lon nje 12 vjet ne opzitë?

  5. agim says:

    Ne fakt i duhen dhe 4 vite gjume se ky lodhet lehte,keshtu munde te bej dhe ne kryeministri gjume dhe vetem gjume,nese ky popull ska zene mende kurre mos zente dhe kurr mos e marrte e mbara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *