Ekonomia e kaltër e rajonit Adriatiko-Jonian, ja si po përfiton Shqipëria dhe integrimi ekonomik përmes “detit”

28 Maj 2017, 16:15Ekonomia TEMA

Tetë vende të Mesdheut ndajnë jo vetëm bregdetin e Adriatikut dhe Jonit, por edhe një strategji të përbashkët për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, turizmin, ndërlidhjen dhe mjedisin…

Dodona në Epirus në Greqinë Veriperëndimore ishte orakulli më i vjetër helenik, që daton në shekullin e dytë përpara Krishtit, sipas Herodotit.

Gjurmët më të hershme kur Homeri e përshkruan Dodonën, është kur ai përmendet si një orakull i Zeusit. Ai konsiderohet i dyti për prestigjin e orakujve, pas Delphi.

Sot Dodona ndodhet 22 km larg Janinës dhe është kthyer në një atraksion turistik për të huajt, por edhe pjesë e historisë që mësohet nga të rinjtë.

Rrënojat e saj më të rëndësishme përfshijnë Teatrin helen të mirëmbajtur dhe themelet e Hiera Oikia, që qëndronin pranë lisit të shenjtë, si dhe gjurmët e stadiumit të lashtë. Një projekt i Bashkimit Europian po mundëson restaurimin e tij.

Çdo shkallë është hequr nga vendi, është fotografuar, është restauruar dhe është vendosur sërish në vend, me kujdes të madh, pasi gurët rrezikojnë dëmtimin nga degradimi i kohës. Një punë e madhe dhe e detajuar, që po zgjat për vite dhe që tregon kujdesin që i kushtohet historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Simbolika e orakullit të Dodonës, si një thirrje nga lashtësia, por dhe për kujdesin e veçantë që i kushtohet vlerë të trashëgimisë historike e kulturore, nuk i përket vetëm Greqisë së lashtë.

Turizmi sot po shkon drejt integrimit rajonal me risitë në ofertat turistike, duke e vënë theksin në kapacitetet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme turistike të aktorëve në të gjithë rajonin e Mesdheut, si dhe ruajtjen e vlerave të trashëguara nga historia.

Dodonën e vizituam në kuadër të një udhëtimi me gazetarë nga 8 vende të rajonit adriatiko-jonian: Shqipëria, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Italia, Sllovenia, Greqia.

Janë këto vende që në vitin 2014 krijuan Nismën Adiatiko-Joniane, me synim fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e stabilitetit ekonomik dhe politik, duke hapur rrugën, në këtë mënyrë, për një bazë të qëndrueshme në procesin e integrimit europian, për shtetet që janë ende jashtë BE-së.

Të tetë vendet ndajnë jo vetëm bregdetin e Adriatikut dhe Jonit (Serbia është pjesë pasi kur filluan diskutimet ajo ishte e bashkuar me Malin e Zi), por edhe një strategji të përbashkët të zhvillimit të qëndrueshëm. Një shtëpi e 70 milionë njerëzve, ky rajon luan rol kyç në forcimin e vazhdimësisë gjeografike në Europë.

Strategjia Adriatiko-Jonianie bazohet në katër shtylla: rritja blu, ndërlidhja, cilësia mjedisore dhe turizmi.
Nisma u prezantua për herë të parë në Samitin e Dubrovnikut, një vit më parë, ndërsa këtë vit, në Samitin e Janinës, në kuadër të Forumit të 2-të të Europës, për Strategjinë e Bashkimit për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), që u zhvillua në datat 11 dhe 12 maj, ku u hodhën hapat e para konkretë.

Në samitin e këtij viti u miratuan 35 projektet e para, njoftoi Lena Anderson Pench, drejtore për bashkëpunimin territorial në Komisionin Europian. “Është bërë një punë e madhe që nga viti i kaluar”, shtoi ajo.

“U vendos për propozimet e para dhe u përzgjodhën 35 projektet, të cilat u miratuan për tre shtyllat, rritja, mjedisi dhe ndërlidhja”.

Për Odeta Barbullushin, zëvendësministre e Jashtme e Shqipërisë, kjo është nisma e parë makrorajonale për Ballkanin, që krahas ekonomisë, është shumë e rëndësishme dhe nga ana politike.

“Ne kemi përfituar nga ndërveprimi konkret mes 8 vendeve”, tha ajo gjatë diskutimeve në samit. Për Shqipërinë, ky proces ka qenë një nxitës i rëndësishëm drejt procesit të ‘aquis’. Barbullushi theksoi se është shumë e rëndësishme që të mbyllet hendeku mes vendeve anëtare dhe jo anëtare.

Si po përfiton Shqipëria…

Flet Odeta Barbullushi, zëvendësministre e Jashtme e Shqipërisë

Çfarë është Nisma Adriatiko-Joniane?

Kjo është një nismë për krijimin e makrorajonit Jonian dhe Adriatik, i cili përfshin katër vende anëtare të Bashkimit Europian dhe 4 vende të Ballkanit Perëndimor.

Është një nismë e veçantë, sepse kombinon instrumente të ndryshme financiare, që funksionojnë brenda fondeve strukturore për vendet anëtare dhe kryesisht nëpërmjet instrumentit të fondeve IPA për vendet jo anëtare.

Cili është synimi kryesor i kësaj nisme?

Synimi kryesor është, që bashkëpunimi mes këtyre vendeve të fokusohet në katër shtylla, ku përfshihet energjia, transporti, mjedisi dhe turizmi. Shqipëria, bashkë me Kroacinë, janë vende kryesuese të shtyllës së turizmit.

Cilat janë përfitimet e saj?

Kjo nismë ka disa përfitime. E para forcon bashkëpunimin jo vetëm rajonal, por edhe mes vendeve anëtare dhe atyre jo anëtare, kryesisht në fusha që lidhen me ekonominë, ndërlidhjen, ndërtimin e rrugëve.

E dyta, që është e rëndësishme, forcohen sinergjitë edhe në nivel dypalësh dhe trepalësh. Në konferencë u përmend që ne kemi një projekt me Malin e Zi dhe Italinë, në kuadër të qarqeve të të tre vendeve, ku financuesi është EUSAIR.

Me Malin e Zi kemi bashkëpunim të ngushtë për sa i përket projektit tonë prioritar, që është ndërtimi i Korridorit Blu, që nga Mali i Zi e deri në Greqi. Me Kroacinë po shkëmbejmë përvojën për sa i përket turizmit dhe po përpiqemi të forcojmë sinergjitë në këtë fushë.

Çfarë mund të bëjë më shumë kjo strategji?

Ajo që mund të bëjë më shumë kjo strategji është që të ngushtojë hendekun ekonomik dhe zhvillimor mes vendeve anëtare dhe jo anëtare, sepse ky hendek është shumë i madh. Rajoni i Ballkanit është shumë më pak i zhvilluar sesa pjesa tjetër e Europës.

Gjatë takimit ministerial u diskutua që nuk ka një instrument të veçantë vetëm për financimin e EUSAIR. Financimi i tij merret nga fondet strukturore, ose të kohezionit social për vendet anëtare dhe për shtetet joanëtare janë fondet e IPA.

Kjo do të krijonte një financim të veçantë dhe mekanizëm monitorimi, vetëm në kuadër të katër shtyllave të këtij programi, pra më shumë mundësi financimi, sepse aktualisht kemi të bëjmë me një mundësi financimi brenda fondeve ekzistuese dhe jo një program të veçantë.

Në takim u diskutua dhe nevoja për të forcuar parimin e plotësimit të punës që ne bëjmë, si në kuadër të procesit të Berlinit, sidomos për sa u përket projekteve të infrastrukturës, me këtë nismë.

Nisja e mbarë me 33 milionë euro

E kontaktuar nga “Monitor”, Lena Anderson Pench, drejtore për bashkëpunimin territorial në Komisionin Europian, thotë se Shqipëria merr pjesë në 29 projekte nga 35 të tilla.

“Shqipëria dhe të shtatë vendet e tjera, kanë rënë dakord që këto janë projekte të mira. U desh pak kohë për të marrë vendimet gjatë samitit nga autoritetet menaxhuese.

Është e rëndësishme të theksojmë se ka pasur konsensus nga të gjitha shtetet”, pohoi ajo. Ka pasur një kohë të mjaftueshme që vendet pjesëmarrëse të mund të paraqisnin projektet, nga të katër shtyllat që janë në strategji, rritja blu, ndërlidhja, turizmi, energjia.

“Projektet u përzgjodhën nga të katër shtyllat dhe ky është një hap i madh përpara. Tani do të fillojë zbatimi. Kjo është shenja e parë konkrete që Strategjia Adriatiko-Joniane po kontribuon në mënyrë aktive për projekte të prekshme në këtë fushë. Shumë të tjera do të pasojnë”.

Ajo shton se Shqipëria do të përfitojë nga këto projekte, së pari pasi ajo ka qenë vendimmarrëse në to, çka nënkupton se pa konsensusin e Shqipërisë, këto projekte nuk do të ishin miratuar dhe në këtë këndvështrim, ajo është përfituese.

Vlera e 35 projekteve është rreth 33 milionë euro në total. Këtu nuk bëhet fjalë për projekte shumë të mëdha, por mjaft i rëndësishëm është bashkëpunimi, pasi në to përfshihen partnerët nga të tetë vendet, theksojnë drejtuesit e nismës.

“Arritja më e madhe është se tashmë ne kemi hyrë në fazën e zbatimit. Ka pasur shumë diskutime për njëfarë kohe, por tashmë po shohim se gjërat po shkojnë drejt konkretizimit, dhe po flitet për financim të projekteve, për koordinim politikash mes vendeve. Një element tjetër i rëndësishëm është që shtetet anëtare po punojnë ngushtësisht me vendet jo anëtare dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për vendet jo anëtare që të mësojnë për bashkëpunimin rajonal”, shton Pench.

U desh pak kohë që të viheshin në punë mekanizmat, strukturat qeverisëse, por tashmë makina u vu në lëvizje.
Pench e vë theksin te fakti që kjo strategji nuk ka të bëjë vetëm me financimin, pra jo vetëm për para për të financuar projektet, por ka të bëjë edhe me bashkëpunimin dhe koordinimin e politikave mes vendeve.

Shqipëria, kryesuese në projektet e turizmit, yjet e hoteleve do të standardizohen me rajonin

Pjesa më e madhe e projekteve të miratuara janë në fushën e turizmit, me qëllim nxitjen e një turizmi më të mirë, në fushën e inovacionit dhe zhvillimit të zgjuar (smart development) dhe në atë të ndërlidhjes, që ka të bëjë kryesisht me transportin dhe energjinë e rinovueshme në zonat ndërkufitare.

Gentian Xhaxhiu, përgjegjës i sektorit të programeve të bashkëpunimit dhe ndërkufitar dhe transnacional në Ministrinë e Integrimit, thotë se lajmi i mirë për Shqipërinë është që në projektet që u miratuan, vendi ynë e gjen veten me 29 partnerë. Vendi i dytë në rajon është Mali i Zi, me pjesëmarrje në 18 projekte.

Ndërsa Serbia, për të cilën kishte shumë pritshmëri, ka vetëm 13 partnerë. Vendi që ka më shumë partnerë është Italia duke qenë se edhe programi Adrion menaxhohet nga rajoni i Emiglia Romagna. Xhaxhiu shton se projektet do t’i nënshtrohen edhe një verifikimi final lidhur me kriteret që plotësojnë partnerët brenda secilit projekt, ku nuk pritet të ketë surpriza dhe mendohet të fillojë zbatimi në shtator-tetor.

Ka një sërë projektesh të miratuara, po për shembull për turizmin, një nga projektet është asistimi i vendeve pjesëmarrëse për kategorizimin e hoteleve dhe njësive që ofrojnë shërbime turistike. Kjo nënkupton që vendosja e yjeve për hotelet do të bëhet në mënyrë të standardizuar për të gjithë rajonin.

“Pra, nëse një hotel ka 3 yje në bregdetin italian apo atë kroat, atëherë edhe një hotel me 3 yje në Shqipëri do të ketë të njëjtin standard”.

Një element në deklaratën e miratuar në Samitin e Janinës ishte edhe angazhimi i KE për të rritur alokimet për të financuar programin Adrion.

Krahas financimit të 35 projekteve të para, Xhaxhiu sqaron se “është e mundur të bëhet një shtesë në buxhet, në mënyrë që ketë thirrje me alokime edhe më të mëdha që do të shërbejnë për të kapitalizuar këto projekte apo prioritetet e tjera të strategjisë”.

Integrimi ekonomik përmes “detit”

Në takimin e Janinës u vu theksi në potencialin e rëndësishëm të ekonomisë së kaltër dhe, si rrjedhojë, u rikonfirmua angazhimi për të mbështetur rritjen e qëndrueshme në sektorin detar të Adriatikut dhe Jonit, duke promovuar rritjen e qëndrueshme dhe vendet e punës përmes kërkimeve, inovacionit dhe mundësive të biznesit në ekonominë e kaltër.

Vendeve pjesëmarrëse iu bë thirrje për të rritur bashkëpunimin dhe për të ndarë përvojën në çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me sigurinë detare, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i aksidenteve detare, ndotja detare nga anijet dhe humbja e jetës njerëzore në det në pellgun e detit të përbashkët.

U vu theksi në rëndësinë e lidhjeve të transportit, si për transportin e mallrave ashtu edhe për udhëtarët, dhe u konfirmua angazhimi për të rritur ndërlidhjet e transportit me përfundimin e autostradës Adriatiko-Joniane të Triestes-Patras, si dhe rritjen e infrastrukturës së portit dhe ndërmodalitetit si prioritet për zhvillim të rajonit, në veçanti për turizmin dhe trafikun e mallrave / pasagjerëve, me kusht që ndikimet e tyre mjedisore të merren parasysh me kujdes.

Të gjitha vendet pjesëmarrëse u ftuan për të zhvilluar më tej projektet e lidhjeve ndërkufitare në brendësi të sektorit të transportit, si dhe për të zhvilluar projekte ndërkufitare në sektorin e energjisë, me qëllim të përmirësimit të lidhjes ndërmjet të gjitha vendeve pjesëmarrëse të EUSAIR.

U theksua rëndësia e zhvillimit të një rrjeti efikas të infrastrukturave transnacionale për të siguruar burime të fuqishme të ndërlidhura të energjisë në rajon dhe për të mbështetur rritjen e sigurisë së furnizimit me energji për të nxitur zhvillimin e një makroregioni të integruar Adriatiko-Jonian.

Pjesëmarrësit në takim pranuan rëndësinë e porteve për promovimin e transportit të pasagjerëve dhe mallrave në Rajonin Adriatik-Jon, lehtësimin e transportit turistik dhe të anijeve në lundrim – në bazë të planeve të qëndrueshme të transportit, miratimin e rritjes blu dhe ekonominë blu, lidhjen e Rajonit me pjesën tjetër të BE-së dhe vendet e treta, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e punësimit, zgjerimin e mundësive ekonomike dhe prosperitetin, dhe në këtë drejtim, projektet mbështetëse që synojnë lidhjen mes porteve, kapacitetin e portit të përmirësuar dhe shërbimet e portit, Inovacionin në sektorin e porteve dhe funksionimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin e porteve.

Të gjitha vendet pjesëmarrëse u ftuan që të zhvillojnë më tej bashkëpunimin e tyre në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, projekteve të përbashkëta artistike dhe rrjetëzimit të kërkuesve dhe ekspertëve në fushën e kulturës dhe politikave kulturore, midis të gjitha vendeve pjesëmarrëse të EUSAIR.

U vu theksi në rëndësinë e koherencës së politikave për zhvillim të qëndrueshëm dhe u ftuan vendet për të siguruar ndërlidhje dhe qëndrueshmëri midis sektorëve të ndryshëm të politikave dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm sipas Programit të Axhendës 2030.

Katër shtyllat e bashkëpunimit blu

Rajoni është një zonë funksionale që rrethohet nga deti Adriatik dhe Jon. Duke mbuluar gjithashtu një sipërfaqe territoriale të rëndësishme, ai trajton zonat e marinës, bregdetare dhe tokësore si sisteme të ndërlidhua. Me intensifikimin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, pas anëtarësimit të Kroacisë dhe perspektivës së anëtarësimit për vendet e tjera të rajonit, portet luajnë një rol të rëndësishëm.

Vëmendja në lidhjet det-tokë gjithashtu nënvizon ndikimin e aktiviteteve të bazuara në tokë në zonat bregdetare dhe ekosistemin e marinës. Nisma e rajonit Adriatiko-Jonian është e bazuar në katër shtylla:

1. Rritja blu, ku koordinatorë janë Greqia dhe Mali i Zi. Objektivat kryesore për këtë shtyllë janë promovimi i kërkimeve, novacionit dhe mundësive të biznesit në sektorët e ekonomisë blu, përshtatja ndaj prodhimit të qëndrueshëm të ushqimeve të detit, përmirësimi i qeverisjes së hapësirave detare.

2. Ndërlidhja në rajon, ku koordinatorët janë Italia dhe Serbia. Objektivat kryesorë për këtë shtyllë janë fuqizimi i sigurisë detare dhe zhvillimi i një sistemi portesh intermodale si dhe zhvillimi i një sistemi të besueshëm rrjeti transporti si për mallrat ashtu dhe për pasagjerët. Një tjetër synim është arritja e një tregu të ndërlidhur dhe mirëfunksional të energjisë, duke mbështetur tre objektivat e politikës së energjisë të Bashkimit Europian – konkurrueshmëia, sigurimi i furnizimit dhe qëndrueshmëria.

3. Cilësia e mjedisit, ku koordinatorë janë Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Objektivat kryesorë të kësaj shtylle lidhen me sigurimin e një mjedisi të mirë dhe status ekologjik të marinës dhe mjedisit të bregdetit deri në vitin 2020, në linjë me parimet e Bashkimit Europian dhe përqasjen e ekosistemeve sipas Konventës së Barcelonës. Gjithashtu synohet kontributi në strategjinë e biodiversitetit të Bashkimit Europian, ku parësore është përgjysmimi i humbjes së biodiversitetit dhe degradimit të ekosistemit, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve.

4. Turizmi i qëndrueshëm, ku koordinatorë janë Kroacia dhe Shqipëria, ka si objektiva kryesorë diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve turistike të makrorajonit, të koordinuar me sezonalitetin e kërkesës për turizmin bregdetar dhe detar. Ai synon dhe përmirësimin e cilësisë dhe risitë në ofertat turistike, duke e vënë theksin në kapacitetet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme turistike të aktorëve në të gjithë rajonin.

Deklarata e Janinës

Përfaqësuesit e Qeverive të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Greqisë, Italisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë, që u takuan në Janinë të Greqisë, me pjesëmarrjen e një përfaqësuesi të Komisionit Europian, në kuadër të Forumit të 2-të të Europës, Strategjia e Bashkimit për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR), vunë në dukje progresin e arritur dhe mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga strukturat e qeverisjes së EUSAIR drejt zbatimit të Strategjisë dhe identifikimin e projekteve që kontribuojnë në objektivat e saj.

Gjithsesi, ata theksuan se të katër strategjitë makrorajonale ballafaqohen me sfida të përbashkëta dhe individuale dhe se EUSAIR, megjithëse ka treguar progres të konsiderueshëm, mund të zhvillohet më tej, sidomos në lidhje me zbatimin, qeverisjen, orientimin e rezultateve, financimin, komunikimin dhe bashkëpunimin.

Për këtë arsye, vendet pjesëmarrëse u zotuan të mbajnë një angazhim të fortë politik, të rrisin ndjenjën e pjesëmarrjes së ministrive përkatëse të linjës dhe të forcojë fuqizimin e kapaciteteve zbatuese kryesorë të Strategjisë; të ndërtojnë kapacitetet e nevojshme administrative, duke përfshirë disponueshmërinë e burimeve adekuate për të mbështetur implementuesit kryesorë të Strategjisë, për të siguruar që angazhimi politik të përkthehet në zbatim efektiv; të përfshijë nivelet e qeverisjes lokale dhe të mobilizojë qarqet, agjencitë, institucionet si universitetet, sektorin privat dhe shoqërinë civile në drejtim të zbatimit dhe zhvillimit të Strategjisë.

Ata u bënë thirrje vendeve pjesëmarrëse dhe rajoneve për të lehtësuar vendimmarrjen politike dhe për të bërë progres të prekshëm, për të përcaktuar, aty ku është e mundur, objektiva realistë dhe për të zhvilluar, në bashkëpunim me Komisionin, tregues të përshtatshëm që lejojnë monitorim më të mirë, raportim dhe Vlerësim të ndikimit të Strategjisë.

Vendet pjesëmarrëse rikonfirmuan angazhimin për të siguruar që fondet e ESIF dhe IPA, të fundit në bashkëpunim me Komisionin Europian dhe fondet e tjera rajonale dhe kombëtare / rajonale në dispozicion, të harmonizohen në mënyrën më të mirë me prioritetet e Strategjisë dhe konkretisht të kontribuojnë në arritjen e objektivave të saj.

Vendet ranë dakord të mirëpresin të dy orientimet strategjike të propozuara në këtë drejtim nga Bordi Drejtues. Orientimi i parë lidhet me veprimet e propozuara që do të kryhen menjëherë në bazë të planit ekzistues të veprimit të EUSAIR, ku u ra dakord përqendrimi fillimisht në forcimin e mekanizmave të qeverisjes në lidhje me migracionin dhe refugjatët, dhe ftesa ndaj vendeve pjesëmarrëse për të ngritur platformën e propozuar bashkëpunuese përmes së cilës Vendet e Rajonit – qofshin ata vende mbërritjeje ose tranzit – mund të koordinojnë më mirë reagimin e tyre ndaj krizës dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.

Orientimi i dytë, merr parasysh faktin se në të ardhmen duhet të merret parasysh një zhvendosje e theksit dhe një zgjerim i planit të veprimit me synim integrimin në tregun e punës edhe personave që u është dhënë statusi i azilit, personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, si dhe migrantëve të ligjshëm.

Vendet pjesëmarrëse nxiten të forcojnë koordinimin e brendshëm (kombëtar) të procesit të zbatimit të EUSAIR brenda administratave kombëtare, nëpërmjet krijimit të organeve koordinuese kombëtare të EUSAIR ose të ngjashme, me përfaqësim të nivelit të lartë nga administratat e vendeve./monitor.al

1 komente në “Ekonomia e kaltër e rajonit Adriatiko-Jonian, ja si po përfiton Shqipëria dhe integrimi ekonomik përmes “detit””

  1. ''....askush nuk urrehet me shume,se ai qe thote perhere te verteten[Plato]. says:

    ”…………nese nje hotel ne Itali apo Kroaci ka 3 yje po kaq duhet te kete edhe ai ne Shqiperi duke pasur po te njejtin sherbes apo kushte hotelore”
    po a ka mundesi qe sunitet e ”hotel/teqese se baba nevruzit me 3 yje” ne shqiperi te sjellin te njejtin sherbim apo kushte hotelore me ato italione apo kroate…..!!!!!??? ASSOLUTAMENTE NO!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje