Rasti i Artan Fugës, Hysamedin Ferajt dhe Elvis Hoxhës

28 Maj 2017, 20:51Blog TEMA

Nga Arian Çuri

Ç’është filozofi që lind filozofinë?

Të gjithë e dimë kuptimin e fjalës filozofi, që do të thotë të dashurosh dijen dhe njëkohësisht shumica prej nesh i tremben kësaj fjale dhe vetë disiplinës që ajo përfaqëson, si një “athlemë” apo sport që i tejkalon mundësitë e njerëzve të zakonshëm, e që i përket vetëm një sëre të caktuar njerëzish, që përgjithësisht konceptohen si abstraktë e të pakuptueshëm dhe që mblidhen në klube elitare filozofike, ku idetë e tyre absurde, ia komunikojnë  veç njëri-tjetrit, me kushtin që të mos bien kurrë dakord apo mos t’iu japin kurrë përgjigje përfundimtare dilemave mbi qenien, të vendosur në kohë dhe hapësirë.

Por ky botëkuptim i përgjithshëm njerëzor mbi filozofinë dhe filozofët, si diçka përtej aftësive humane është totalisht antifilozofik dhe në kundërshtim të plotë me etërit themelues të kësaj disipline, që më shumë se të të transmetojë dijen, të mëson se si ta duash atë, se pse të duhet ajo, dhe se si, pasi të kesh rënë në dashuri të thellë, të mos mundesh të shkëputesh dot më kurrë prej saj, pasi e ndjen si pjesë të pandashme të ekzistencës tënde. Kjo është nga ato pak dashuri që të shkakton lumturi dhe çlirimin që ndjen qenia njerëzore, kur e kupton më në fund rolin e ekzistencës së vetë, në arsyen që ka gjetur për të jetuar dhe në arsyen që ka gjetur për të vdekur.

Platoni, që është një nga themeluesit më të mëdhenj të filozofisë antike greke, që qëndron si toka pjellore, ku mbillen dhe rriten edhe sistemet më bashkëkohore filozofike do të thoshte se: “Të habiturit është ndjenja e filozofit dhe filozofia e merr fillimin në habitje”. Në këtë kontekst, nëse njeriu fillon dhe ndjen habinë, kuriozitetin, mrekullimin për gjërat që e rrethojnë dhe për veten e tij, si subjekt perceptues i realitetit të jashtëm dhe të brendshëm, ka filluar të hedhë hapat e parë në filozofi, e cila fillon dhe e merr ekzistencën e saj, jo vetëm në të lexuarit e literaturës filozofike, por në vetë procesin më të thellë dhe origjinal të filozofimit, duke krijuar apo lindur kështu mendimin filozofik.

Kështu pra, meqë këta individë fillojnë si pasojë e habitjes, të kërkojnë dhe të gjejnë psenë e pohimeve, sendeve dhe vetë universit, duke përdorur si të vetmin instrument kërkues, mendimin dhe si të vetmin laborator, mendjen në proces filozofimi, quhen përveçse filozofë, edhe mendimtarë, pasi i vetmi mendim që ia vlen të shqetësojë mendjen tonë, si e vetmja energji lëvizëse që e shpie atë të filozofojë është, të soditurit e botës në mrekullim, si në një ekstazë habie të vazhdueshme e të pandërprerë. Individi pra, kërkon me insistim kreativ të thellohet në kuptimin e gjërave, duke i dekodifikuar këto koncepsione në sisteme të mendimit. Nëse ai ia arrin me sukses kësaj sfide, në më të shumtën e rasteve, individi filozof dëshiron nga entuziazmi për të vërtetën e zbuluar, ta ndajë atë me pjesën tjetër të botës, edhe pse brenda tij e di që mund të jetë edhe përpara një misioni të pamundur. Kjo shtysë e brendshme i vjen si pasojë e dashurisë që ai ndjen për botën, nga dashuria që ka ndjerë për dijen, që e ndihmoi të zbulonte vetveten brenda kësaj bote, ndaj dhe ndihet i lumtur. Filozofët deklarojnë që kjo është një ndjenjë dhe përjetim që jo vetëm që nuk pakësohet me kalimin e kohës, siç ndodh me shumicën e dashurive njerëzore, por ajo vjen duke u shtuar, deri sa mund të të shpjerë edhe në rrezik konsumimi, si zjarri që djeg gjithçka që i afrohet.

Sigurisht që filozofët nuk janë të gjithë njësoj, madje do ta kishim të pamundur të gjenim edhe dy të ngjashëm, Aristoteli e kundërshtoi deri në mohim filozofik, mësuesin e tij, Platonin, disa ndriçuan për shekuj, edhe pa shkruar asgjë, si puna e Sokratit dhe disa nga shkrimet e shumta, u konsumuan në romanticizëm dhe letërsi, si rasti i Niçes. Hegeli na shfaqet si një konstruktues skrupoloz i një sistemi të mirëfilltë filozofik, ndërsa filozofët modernë kanë hequr dorë nga ndërtimi i sistemeve, nga influenca e logjikës pozitiviste të Rudolf Carnapit, duke i sintentizuar idetë e tyre filozofike në vepra që nuk i kalojnë 100 faqe. Disa janë cinikë dhe të trishtuar, si Shopenhaueri, disa optimistë dhe shpresëdhënës, si Augustini.

Por ka edhe nga ata që guxojnë të filozofojnë dhe t’i drejtohen drejtpërdrejt publikut, duke gjetur një përkrahje dhe numër të lartë ndjekësish edhe pa qenë “profesionalisht” filozofë, siç janë Jason Silva dhe Alain de Botton. Edhe pse ata nuk janë filozofë akademikë, kanë fatin që të kenë kritikuesit, ndjekësit dhe komentuesit e tyre. Përpjekja e tyre është e admirueshme, pasi po tentojnë ta nxjerrin filozofinë nga kambana e qelqtë e “të zgjedhurve”, për ta bërë të aksesueshme nga publiku i gjerë. Sot, po flitet gjerësisht për programe të reja, ku filozofia mund të injektohet e përshtatur edhe në kopshte, pasi studimet tregojnë se veçanërisht kjo disiplinë, rrit aftësinë konjitive dhe mendimin kritik te fëmijët.

Këto rrethana unike filozofike, si anë të pazbuluara të mendjes, por edhe shtigjet e pasigurta të realitetit në të cilin sot, thirret të jetojë, të mendojë dhe të ushqehet, filozofi, më shtyjnë të them, se nuk është edhe aq e këshillueshme, nëse dikush do ta zgjidhte si drejtim për veten apo fëmijët e tij, profesionin e filozofit ose filozofinë si profesion. Por a është kjo gjithmonë e mundur dhe a është zgjedhje e lirë të jesh apo të mos jesh filozof?

Ç’është filozofi që zgjedh apo braktis filozofinë?

Personalisht jam i mendimit se kategoria e filozofit nuk është edhe zgjedhje aq e lirë, ndaj i mëshoj teorisë deterministe se filozofia, pra universi i ideve, zgjedh individin e përshtatshëm, të prirur gjenetikisht dhe të prekur nga Zoti i filozofëve, i cili vendos në rrethana fatlume, grimcën hyjnore filozofike në ADN-në e individit mendimtar. Prandaj, besoj se liria që disponon filozofi, nuk është të zgjedhë të bëhet apo jo “kërkues rendi”, pasi tendenca drejt kuptimit të këtij universi rregullash është e lindur brenda tij, si një energji që tenton të shpërthejë dhe të pushtojë mendjet e ithtarëve, që mahniten nga përvoja e impaktit me filozofinë e re dhe autentike. Si pasojë, filozofi nuk është i lirë ta zgjedhë filozofinë, ai është i lirë, vetëm që ta braktisë atë, duke mos pranuar identitetin më të thellë të qenies së tij filozofike, për arsye të ndryshme, në individë të ndryshëm.

A ka të drejtë filozofi që ta braktisë filozofinë? Ëill Durant, te Historia e Filozofisë, do të na thotë se: “Filozofi ka një strukturë mendimi, të unifikuar nga qëllimshmëria për jetën e tij dhe për atë të të gjithë njerëzimit”. Me të drejtë mund të mendojmë se filozofi që braktis filozofinë ka humbur qëllimin e ekzistencës së tij, madje edhe kontaktin me gjithë njerëzimin. Dhe kjo nuk mund të ndodhë asnjëherë për arsye të kulluara, por vetëm në ndonjë rast fatalist, të cilin do ta shohim në këtë shkrim.

Që nga lashtësia helene e deri sot, filozofi konceptohet si një entitet i lidhur me qytetin, polisin, pasi një qytet që të jetë i qytetëruar dhe politik, ka nevojë domosdoshmërisht për filozofin. Kështu, qyteti mbështet filozofin dhe ky, me filozofinë e tij mbështet qytetin, në një simbiozë harmonike, ku përfitimi është i dyanshëm. Filozofi i mëson qytetit, qytetarëve dhe politikëbërësve, tezat e tij mbi zhvillimin dhe progresin, se si zhvillimi urban duhet të jetë në një marrëdhënie të shëndetshme me qytetarët dhe ambientin. Filozofët janë ata që iu mësojnë njerëzve se si të jenë altruistë, parimorë dhe mbartës të vlerave universale, në funksion të pranimit social të njëri-tjetrit, në lidhje me integrimet gjithmonë e më të reja ekonomike, politike, sociale, shpirtërore dhe natyrore.

Mirëmbajtja ontologjike e një qyteti, varet vetëm nga ky vizion i integruar, që prodhohet vetëm nga mendja soditëse dhe terapeutike e një filozofi. Kështu pra, për të gjetur dhe mbajtur një filozof, duhet të punojë një polis i tërë, pasi filozofi është arkitekti që thellohet te shpirti i polisit, interpreton, sintetizon dhe del me teza të qarta, të cilat më pas ua kalon inxhinierëve zbatues, sociologëve, psikologëve, politologëve dhe politikanëve, për t’i materializuar ato në praktikë.

Filozofi lexon shpirtin e qytetit, futet në skutat më të errëta të vetëdijes, nëndijes dhe pavetëdijes së tij dhe vetëm ai, pasi është i përzgjedhuri nga forca metafizike e filozofisë dhe jo me vota të qytetit, mund t’iu përgjigjet pa drojë pyetjeve: Ç’është qyteti? (Platoni, Augustini, Machiavelli, Engelsi, Thomas More). Ç’është qytetaria dhe qytetshmëria? (Perikliu, Aristoteli, Ëeberi, Hobbes, Rousseau). Cilat janë dhe si ndërtohen marrëdhëniet mes ambientit natyror dhe atij të konstruktuar? (Norberg-Schulz, Mugerauer, Heideggeri). Si mund të lëvizim kohezivisht, në shoqërizimin mes komunitetit dhe diversitetit, po mes lokales dhe globales? (Foucault, Lefebvre). I kujt është realisht qyteti? (Addams, Young, Bickford). Dhe pyetjet mbeten përherë të vjetra, por vazhdimisht kërkojnë përgjigje përherë të reja, që burojnë vetëm nga mendje filozofike.

Filozofët e polisit-kryeqytet

Tashmë, pasi bëmë një vështrim të përgjithshëm të realitetit universal filozofik, ku shpjeguam si koncepte, filozofin, marrëdhënien e tij me filozofinë dhe qytetin, le të vijmë e të përqendrohemi te polisi ynë, Tirana dhe te bota mbarëshqiptare dhe identiteti kombëtar, që qëndron në zemrën e këtij kryeqyteti-polis. A është shqetësuar ky qytet, për të gjetur dhe mbajtur fort, filozofinë e vetë? A ka patur ky qytet fatin e të paturit të një filozofi të mirëfilltë dhe a e ka pranuar filozofi detyrën e iluminuesit profetik të qytetit? Sepse të gjesh filozofin, do të thotë të zbulosh të përzgjedhurin në mënyrë mistike nga universi filozofik. A e ka vizituar Zoti i filozofëve Tiranën dhe a i ka falur asaj ndonjë filozof? Unë mendoj se po, madje, Demiurgu filozofik ka qenë bujar me ne, ai i ka falur polisit të shqiptarëve, jo një por disa filozofë të mëdhenj. Unë do të guxoj të marr në soditjen time meditative, tre prej tyre, pasi ndajnë një karakteristikë të përbashkët: Artan Fugën, Hysamedin Ferajn dhe Elvis Hoxhën.

a) Profesor Fuga, një mendje e ndritur e qytetit, filozof i mirëfilltë, i doktoruar dy herë në filozofi dhe një herë në shkencat e komunikimit, është rasti i parë që kam dëgjuar, që filozofinë e studioi dy herë shkencërisht “da capo”, në Tiranë dhe në Paris. Akademiku i njohur, i ka lënë bibliografisë së mendimit shqiptar kryevepra të mirëfillta filozofike, me kulm kryesisht tek: Shtigje drejt guvës së gjarpërit, Majtas jo djathtas, Rrota e mundimit, përfshirë edhe libra e dhjetëra artikuj të tjerë shkencorë. Filozofi, që aq bukur e shpjegon “momentumin” e gëzimit të tij filozofik, në çastin e mendimit të nisjes së udhëtimit ciklik, mes Tiranës dhe Parisit, (pra te mendimi i të mosqenit statik, por dinamik) ka qenë shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Dhe mua më lind natyrshëm pyetja se pse profesori iu largua filozofisë dhe iu përkushtua komunikimit dhe gazetarisë? A kam unë të drejtë t’i mësoj profesorit se ç’duhet të bëjë në rrugëtimin e tij akademik? Kurrsesi jo dhe mos ndodhtë, por sigurisht që kam të drejtë të mendoj se me këtë lëvizje, fitoi gazetaria, por shumë më tepër humbi polisi dhe filozofia.

Ndoshta qyteti, nuk e kuptoi madhështinë e filozofit Fuga apo ndoshta profesori ynë, u mërzit dhe u zhgënjye nga trajtimi që i bëri polisi dhe prandaj herë pas here arratiset drejt Parisit për rikarikim energjish të brendshme, e për t’u kthyer sërish në qytetin e tij të origjinës, e për ta “gdhendur” atë me mendimin e tij, kësaj here mediatikisht, nëpërmjet rrjeteve sociale, duke përdorur të gjitha instrumentet e komunikimit, e duke iu përgjigjur me durim çdo lexuesi të tij. Tirana, përshirë departamentet e saj filozofike, universitetet shtetërore dhe private, qeveritë, entet dhe kompanitë apo edhe kolegët e vështirë, mund ta kenë tronditur profesorin, në atë masë, sa ai të marrë Vespën e tij, të vetmin komoditet që i lejon vetes, pasi ka fituar filozofikisht, mbi krenarinë, lakminë dhe paradashjen dhe t’i drejtohet përfundimisht, industrisë apo inxhinierisë së komunikimit, siç do ta quante ai drejtimin e tij të ri, në një intervistë televizive, i ndikuar edhe nga këshilla e një profesori të tij francez, i cili me të drejtë i tha se interesi i shoqërive për filozofinë është dobësuar ndjeshëm dhe filozofi, në kohët e sotme, do t’i nënshtrohet shtrëngimit, në sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme. Kështu, polisi, por edhe sosja e durimit të profesor Fugës, e shtyu këtë të fundit ta lërë filozofinë, të zvogëlojë tmerrësisht qenien e vetë, e të punojë në “fabrikën” e komunikimit, duke shënuar kështu rënien apo divorcin nga filozofia, të profesorit që u ‘martua’ dy herë me të.

b) Hysamedin Feraj, filozof dhe personazh historik për përpjekjet e tij shtetformuese në Kosovë, pjesëmarrës i lëvizjeve të vitit 1981 dhe rrethanat e përndjekjes nga shteti jugosllav e sollën atë në Shqipëri, e rrjedhimisht në qytetin tonë që i “vret” filozofët. Lektor i Filozofisë në Universitetin e Tiranës, ai u detyrua të tërhiqet, siç thotë vetë, si pasojë e luftës brenda llojit, nga disa eprorë të tij, të cilët e shkarkuan për “ikje pa leje”, por kjo, në opinionin tim është një arsye shumë vulgare (të paktën t’i gjenin një arsye më të denjë), për të goditur themeluesin e Departamentit të Shkencave Politike. Profesor Feraj ka shkëlqyer me veprat: Skicë e mendimit politik shqiptar dhe E pafilozofuara. Te kjo e fundit, ai tenton të shpjegojë arsyet pse shqiptarëve iu mungon mendimi filozofik si një popull kopje e një prototipi inekzistent. Ndoshta te kjo vepër mund të gjendet edhe arsyeja pse shqiptarëve iu ikin “pa leje”, edhe filozofët tipikë, siç është edhe vetë z. Feraj. Dëshpërimi i mendimtarit politik është aq i thellë, saqë ai mendon se për të ndërruar politikanët, duhet ndërruar populli (?) dhe për këtë arsye, ai angazhohet me Lëvizjen Vetëvendosje, duke menduar se vetëm nëpërmjet këtij aksioni filozofiko-politik, mund të ndërrohet mentaliteti i popullit shqiptar, e rrjedhimisht të vijë në pushtet një klasë e pakorruptuar politikanësh (!).

Por për mua, eksperienca që pata kur e dëgjova nga afër fjalën e prof. Ferajt, në anuarët e filozofisë së këtij viti në Llogara, që organizohet nga UET, ishte kontroverse dhe shenjë kundërthënieje. Nëse z. Feraj bëri një prezantim të shkëlqyer të dallimit mes filozofit të angazhuar dhe pedagogut të filozofisë, duke bërë një shtjellim teorik mbresëlënës, ai praktikisht refuzoi t’i përgjigjej pyetjes sime (ndoshta e quajti gabimisht, provokim) se pse si filozof, kishte zgjedhur të angazhohej me Vetëvendosjen? Taktika e parë shmangëse ishte, se i duhej të paktën dy orë kohë të shpjegohej. Kur e sigurova që koha s’ishte aspak problem për mua dhe se këtë kohë mund ta gjenim në ambientet e UET-it, përgjigja e tij ishte akoma më zhgënjyese, duke më thënë se do të më shmangte me ankesën: “Më lër të punoj”.

Sinqerisht, akoma s’e kam kuptuar se cili përjetim i dhimbshëm e ka shtyrë mendimtarin Feraj, t’i shmanget shpjegimit të vetvetes, që është gjëja më minimale që duhet të bëjë një filozof. Megjithatë, për “ta lënë që të punojë”, unë do tërhiqem nga pyetja ime, derisa lirisht z. Feraj të dojë të më përgjigjet. Por që sigurisht, nuk tërhiqem nga një kritikë modeste, që me kalimin e tij nga akademia në politikë, fitoi kjo e fundit, por humbi filozofia politike. Z. Feraj, me apo pa dashje apo i lodhur nga përndjekjet e jashtme dhe të brendshme që kanë shënuar jetën e tij, e zvogëloi veten, ra prej filozofisë dhe u kthye në militant partie, duke hequr dorë nga udhëheqja që mund t’iu bënte mijëra dashamirësve të filozofisë, për të mbajtur vetëm udhëheqjen që mund t’u bëjë qindra dashamirësve të Lëvizjes që përfaqëson.

Sigurisht, z. Feraj ka qenë edhe më herët i angazhuar në politikë, madje PD, një forcë e madhe e së djathtës, e ka përjashtuar atë nga radhët e saj, për shkak se ai “guxoi” të mendonte se pronat do të duhej të ktheheshin te pronarët e vjetër. Urojmë që mendimtari i angazhuar të mos rivendoset përpara një situate të ngjashme, nëse shpreh lirshëm ndonjë objeksion ndaj Lëvizjes ku aderon. Kur e pyetën filozofin e mendimit të dobët, Xhani Vatimon, se cili ishte zhgënjimi i tij më i madh i jetës, u përgjigj, politika. Të vetmen gjë që Vatimo nuk do të donte ta bënte e të humbte kohë të vlefshme produktive, ishte angazhimi i tij politik. Por, ne duhet të presim që z. Feraj, pas shumë vitesh, kur të jetë në fazën e mbrame të jetës, ta konfirmojë me dëshminë e vetë, nëse do të ketë të njëjtin përjetim me mendimtarin italian.

c) Elvis Hoxha, personazhi më karakteristik dhe unik në llojin e filozofit të shqetësuar. Ai do të japë alarmin se “Shqiptarët merakosen shumë se çfarë imazhi ka bota për ne, një merak i paparë. Unë nuk kuptoj si nuk iu vjen turp të shohin vetën si duken në pasqyrën e tjetrit”. Ai kohët e fundit, ka bërë edhe konstatimin brilant se: “Amerika nuk na do më shumë, nga ç’e duam ne veten”. Nga studimet për kimi, dr. Hoxha e gjeti veten në studimin e filozofisë në Paris, ku dha leksione në epistemologji dhe estetikë. Sot polisi e mban filozofin në fjalë, vetëm si pedagog të estetikës, në një Akademi Filmi dhe ky është një lajm i mirë, sepse mund të mos ta kishim fare në qytet. Personalisht, nuk e kam dëgjuar drejtpërdrejt z. Hoxha dhe gjykimin tim e kam krijuar nga leksionet e tij interesante që gjenden online, si dhe nga shkrimet e tij të herëpashershme, që nuk e mohoj se i lexoj me interes.

Sigurisht, që ndaj mendimin, se si dy filozofët e mësipërm, Elvisi ka pësuar një zhgënjim dhe demotivim në lëvrimin ekskluziv të filozofisë dhe së bashku me z. Feraj, janë të angazhuar në Lëvizjen Vetëvendosje, por z. Hoxha, mban edhe postin politik të anëtarit të kryesisë së kësaj Lëvizjeje. Që të mos krijoj ndonjë keqkuptim, kritika ime nuk qëndron te fakti i angazhimit të tyre te Vetëvendosja, sepse nuk jam aq i marrë sa të guxoj t’iu them ç’të bëjnë, dy filozofëve të mëdhenj. Meraku im është se mos energjitë që mund t’ia jepnin filozofisë dhe polisit, si pasojë e zhgënjimit apo trishtimit që morën në qytet, mendimtarët tanë, tani i kanalizojnë ato vetëm në një drejtim, duke humbur kështu fuqinë e tyre të vërtetë.

Në rastin e z. Hoxha, nuk kemi asnjë vepër deri tani, të shkruar prej tij (kusht jo i domosdoshëm për të qenë filozof), por ai ka kontribuar në lëmin e filozofisë vetëm me përkthime. Mua më trishton fakti, të shoh filozofin gjenial, me një megafon, të drejtojë protesta modeste në qytet, kur do të doja më shumë (kërkoj falje për guximin) ta shihja në aula universitare duke filozofuar. Personalisht mendoj, se Elvisi në “burnout”-in e tij, ka zgjedhur me dëshirë të tërhiqet prej filozofisë, por grimca e tij gjendet ende e fshehur, duke u shfaqur fuqishëm në esetë apo fjalimet e tij spontane. Një përgjigje bindëse, mbi pse ra prej filozofisë, z. Hoxha do të na e japë te letra e hapur që i drejton Ilir Kernit, ku ai shpalos habitshëm një gjenialitet unik në lëvrimin e filozofisë së gjuhës, me pohimin kumbues: “Ti i do gjërat në mënyrë speciale, jo në mënyrë të përgjithshme ose të përafërt”. Në atë shkrim, kam përjetimin se Elvisi shpjegon më shumë vetveten, se sa Ilirin, kur i thotë se: “Ti braktise karrierën nga dashuria për artin”. Në analogji, mund të themi se Elvisi braktisi karrierën nga dashuria për filozofinë dhe ndoshta, në ndryshim nga rastet e sipërvëzhguara, gjenialiteti i tij, e çoi në fatalitet. Gjithashtu, kjo dinamikë e çoi z. Hoxha të zvogëlohej nga filozofi universal, tek aktivisti partiak lokal, dhe tej thirrjes sokratike për t’u bërë qytetar i botës “kozmopolit”, ai zgjodhi të dëgjojë thirrjet nacionaliste të mendimit politik majtist.

Filozofët ranë, por a qëndron qyteti?

Nga sa thamë më lart, karakteristika që i bashkon tre filozofët që mora në studim kontemplativ është se në një moment, të lodhur, të keqtrajtuar, të zhgënjyer e të keqinterpretuar, ata zgjodhën ta braktisnin filozofinë, secili për arsyet e tij, duke rënë kështu prej saj dhe duke e lënë qytetin pa filozofët e tij, e duke zgjedhur drejtime të tjera, që mund t’u japin atyre, në mos të gjithën, një pjesë të asaj çka duhet t’ua jepte qyteti apo ndoshta edhe i gjithë kombi. Në këtë shkrim, nuk kam patur qëllim të analizoj arsyet dhe shkaqet e kësaj rënieje tragjike për të gjithë ne, pasi ato qëndrojnë si te polisi që nuk i kuptoi kurrë filozofët, por edhe te filozofët, që nuk e mbajtën dot në supet e tyre, peshën komplekse të qytetit. Shqetësimi im qëndron se çfarë mund apo duhet bërë tani, që këta mendimtarë t’i kthehen sërish rrugës së nisur që në fillim dhe dilema ngrihet mbi faktin, se sa është e mundur të ndodhë një lloj rehabilitimi i kësaj braktisjeje? Pasi filozofi nuk qëndron dot pa polisin dhe anasjelltas.

Duket sikur filozofët kanë rënë dhe polisi vazhdon të qëndrojë, por edhe për sa kohë akoma pa filozofët e tij? Në soditjen time në qytet, në rrugët e tij, shoh edhe një burrë që ecën me kokën ulur, veshur me një xhaketë të verdhë me kuadrate, të mbijetuar nga një epokë e largët, me hap të rëndë e të ngadaltë, sikur çdo hap t’i shkaktonte një dhimbje, të njëjtën dhimbje që polisi ua dha filozofëve të sipërcituar. Në dorën e djathtë ka të lidhur dysh disa rruaza të zeza, në të majtën, mban një çantë të rëndë me libra filozofie, të cilat do t’i ndajë me studentët e tij. Afrohem ta shoh më mirë dhe kur e shquaj, buzëqesh me optimizëm, pasi gjeta të fundit e filozofëve që ka qëndruar drejt, prof. Gjergji Sinanin, që është edhe mentori i dy filozofëve nga Kosova, që analizova. Prit, i them vetes, ky është filozofi i fundit në qytet, që i ka duruar të gjitha, braktisjen, dhimbjen, zhgënjimin, luftën brenda llojit, ka kaluar krizat ekzistenciale, e megjithatë, nuk e ka braktisur filozofinë. Dhe më erdhi mendimi final:

Filozofët kanë rënë, por qyteti qëndron akoma, pasi nuk ka rënë filozofi i fundit, që tashmë mban mbi shpatullat e tij, peshën e të gjithë polisit. Por për të, do t’ju flas një herë tjetër, pasi të marr edhe pëlqimin e tij, nga respekti që ndiej për përpjekjet e tij martirike deri në vetëmohim. Kur e pyeta se kujt do t’ia linte librat e tij, m’u përgjigj: “Filozofëve të rinj, që do të durojnë mundimet dhe dhimbjet, që do t’ua japë polisi, e megjithatë, nuk do ta braktisin atë, për asnjë arsye”. Filozofët kanë rënë, por qyteti qëndron ende, derisa të qëndrojë në këmbë filozofi i fundit…/Mapo.al/

7 komente në “Rasti i Artan Fugës, Hysamedin Ferajt dhe Elvis Hoxhës”

  1. miri says:

    Bravo Arjan…brilant….Hoxha

  2. e di si eshte puna says:

    Shume fjale te huaja,te panevojshme ?

  3. Strong says:

    Doemos qendron qyteti, qytetet kane qendrua gjithmone edhe pa filozofe! Por a qendrojne filozofet pa qytetin? Ku qendron ndryshimi i nje eremiti dhe filozofi? Eremiti e jeton filozofine dhe shkeputet nga njerezia, thjesht nuk ka nevoje per spektatore qe t´u shpalose “filozofine e tij si rrjedhoje e nje mendje te ndritur”; filozofi vetem flet per filozofine dhe nuk i iken dot “qytetit” sepse ka nevoje per spektatorin qe ledhaton egon e tij! Plus qe, filozofet e prototipit”Fuga”, teresisht nuk ia dalin te shkeputen nga paraja, dhe dihet qe paraja e perdhos filozofine mik i dashur, sepse barku do: te haje.

  4. drj says:

    Gërr-mërr me njëri-tjetrin na çatë menderen ! C’rracë xhelozësh që paskeni qenë ?!

  5. suf luzaj says:

    cfar filozofesh thot ky, mor. A e din ky si asht puna e filozofise? Kush e ngriti ne kamb? Apo ky ndigjon c’ka i thojn ne nji universitet privat dhe ate gja e ban absolut? Si kryhen punet me magji prej… parisi? … me analfabete me certifikata sigurimit shtetit qe shkrujn teza idjote nacionalizmash te fillimshekullit te 20-te per ndergjegjen e varfer te shqiptarve qe politika i nanuris me andrra dikature? A din ky qe shkrun, se me ket artikull u bjen ne qafe dhe shkel mundin e njerezve qe i jan perkushtu dijes? Per shkollen ku ka studju, kishim tjeter pritmeri per te : me ken ma i matun, ma largpames e mos me u genjy prej dukjes, as prej opinjoneve te perhapuna prej politikanve, qe jane vetem flluska pa lidhje me te verteten, e nji dit kan me plas si tan tollumbacet fallco… A e din ky se po shkrun per dike qe me 6 klas fillore , ardhun prej Kosove , e fusin me dhan msim ne universitet? Padyshim nuk e din. A duhet dikush me kaq arsim me ken petagog??? Pse nuk ia hjek universiteti ate titull qe nga kandidat shkence iu konvertu ne doktor? Tjetri mezi ka mbaru kimi. .. sa e ka mesataren e universitetit? Sa???? me shku refugjat ne Francen e enverit… me marr mshtetje prej Kullhashit, kosovar qe sorosi i ka ngrejt vile ne Paris, e mandej me u kthy ne Shqipni papritmas filozof (?!) Kto jan gjanat qe duheshin vu ne kry te reformes ne arsimin e nalt, por a i keni ndigju ata qe flasin per reforme me i artikulue kto??? Tan artikulimet jan populiste, sa me terhjek vemendjen e njerezve, jo me mjeku plaget e arsimit qe shkaktohen nga lobet bllokmene enveriste ne universitetin shtetnor, lobe kancerogjene te manipulimit te studentve dhe lobe korrupsjoni. Universiteti hapka dyert e i shqyn si han pa porta per kta lloj filozofer. Pse asht e ndalume verifikimi i ktyre ? … Historia nuk ndal pa i perplas shqiptaret me dushan mugosh kullashet… Po derisa njerezit te arrijn me njoft te vertetat, padyshim kan me e pesu. Per ksisoj fame jan kusht i domosdoshem rekomandimet jugosllaviste dhe urdhrat e nexhmijes…Keqardhje per artikullshkrusin..Naiv…Naiv. U shkrujt ky koment meqe bashkohemi tok me artikullshkrusin ne idealin e shqetesimit per polisin, me i kthjell mendjet nga genjeshtrat qe ua kan xanun horizontin. E vlersojm artikullshkrusin kur flet per filozofine. Do ishte ma mir te shkrunte bukur per filozofine ashtu sic ai din e sic asht i pergatitun, sesa me u marr me njerez qe nuk i njef, sepse ka ba krejt ate gabimin qe thot Platoni i tij i dashtun , ka marr hijet ne shpelle per filozofe!!! Nuk shkulet lehte mjeshtria e maskarades qe diktatura lun me mendjet dhe jetet njerzore. Mos i sherbe diktatures!

    1. kimisti says:

      shume i sakte Suf Luzaj,jam dakord ne cdo germe te shkrimit tuaj. Te quash ‘ filozof gjenial’ Elvisin do te thote te jesh me keq se naiv. Degjoje ndonjehere live o Arjan ,meqense vetem e paske lexuar ( dhe jo degjuar) dhe do bindesh se c’eshte Elvisi. Personalisht e kam degjuar ne nje studio ne Kosove dhe te vinte ndot te humbisje kohen, tek degjoje qe ja plotesonte fjalite moderatori i emisionit.

  6. drinpinderi says:

    Nuk jam i fushes dhe nuk do jap arsyetime filozofike. Por nje gje nuk mund te ri pa e thene. Si ka guxim e fytyre ky i punesuar me meditje tek Cili, te marre neper goje angazhimin politik te Hysamedinit apo Elvisit ne Levizjen Vetvendosje, kur ky palo filozof del se bashku me 5 spurdhjako- filozofe te tjere, ne nje emision shume te ndjekur , dhe ben lepirbythesin filozofik te saliut serb , kriminelit qe shkateroi Shqiperine, dhe filozofikisht i ben thirrje edhe njehere qe ai ( krimineli )te angazhohet ne politike dhe te marre ne dore fatet e shqiptareve. Nderkohe qe Levizja Vetvendosje dihet qe kishte interesa shume madhore te sigurise dhe mbrojtjes se pavaresise se Kosoves dhe ata aty angazhohen si qytetare dhe jo si filozofe , a me te dhjefsha filozofine tende

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje