Preç Zogaj “kundër” Topalli-Imamit: Nuk u dihet pesha elektorale. “Jo” guruve të rremë politikë

29 Maj 2017, 17:03Politika TEMA

Publicisti dhe kandidati i PD-së për deputet në qarkun e Lezhës, Preç Zogaj, deklaron se lista e hartuar nga Basha është basti i tij personal për të cilën ai mban përgjegjësi të plota.

Në një intervistë për “Panorama”, ai ndër të tjera ka komentuar edhe mungesat e emrave të njohur të PD-së në lista, si Topalli, Patozi, Bregu, Imami e Bode, duke sqaruar se për aq kohë sa asnjë deputet nuk votohet, por është pjesë e listave, për askënd nuk dihet pesha elektorale.

Pyetjes se si e vlerësoni vendim e Bashës për të mos i kandiduar figurat historike të kësaj partie, si Arben Imami, Eduard Selami dhe Ridvan Bode, apo kritikë me peshë të Bashës, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu, Zogaj u përgjigj:

Imagjinoj se çfarë përgjigjeje do të mund të jepja sikur të ndodhesha para pyetjes së kundërt, nëse do të rikandidoheshin të gjithë këta dhe të tjerë deputetë të PD-së që nuk janë rikandiduar. Përgjigjja do të ishte më e lehtë besoj. Po unë nuk dua të flas në bllok për një listë ku nuk janë përfshirë miq të mi nëpër vite, individë që i respektoj dhe individë që më lënë indiferent.

Ajo që dua të vë në dukje këtu është se edhe këtu jemi në një shfaqje të aberracionit që krijon sistemi elektoral në fuqi ku askush nuk votohet, pra nuk dihet sa peshë elektorale në popull dhe në parti kanë realisht figurat politike. Prej dymbëdhjetë vjetësh nuk votohet asnjë deputet. Ka deputetë që nuk janë votuar kurrë në popull. Deputetë që dalin nga renditja në pjesën fituese të listave janë automatikisht anëtarë të forumeve partiake, pra nuk votohen as në parti. Në këto kushte, çdo lider, e ca më shumë një lider i ri që mëton reformimin e partisë, është para detyrës të bëjë zgjedhje të vështira, që duhet t’i bëjë. Gabimet, të korrigjueshme në perspektivë, janë efekti kolateral i një operacioni të domosdoshëm.

Mungesa e votimit krijon oligarkitë partiake, krijon gurutë e rremë politikë, por u bën dëm edhe atyre që ruajnë marrëdhëniet me zgjedhësit, sepse i fut në një thes me ata që jetojnë në autolegjenda. Ndaj është urgjente ndryshimi i ligjit elektoral dhe futja me ligj e primareve, siç është paralajmëruar në aneksin e marrëveshjes Rama-Basha. Unë vetë luftoj prej vitesh për një sistem ku zgjedhja të jetë në duart e qytetarëve. Mund të mos jem përfituesi direkt i këtij ndryshimi, sepse vitet bëjnë të vetën. Por do të jetë shumë mirë për transformimin e politikës. Do ta bëjë zgjedhjen një festë”, – ka thënë Zogaj.

 

1 komente në “Preç Zogaj “kundër” Topalli-Imamit: Nuk u dihet pesha elektorale. “Jo” guruve të rremë politikë”

  1. rumpallhana e ripjelljes says:

    E para shume mire thote preci dhe realisht nuk dihet sesa eshte pesha e gjithesejcilit prej deputeteve. Jane deputet se do kryetari. Enver hoxha ndejti 40-vjet ne politike e pushtet boll me me figura qe kane nga 25- vjet deputet dhe po manipulohet sikur jane humbje per njeren apo tjetren pale. Humbje se nuk eshte imami kaci xhozi namiku arta ruli bode etj, per kohen kur filluan karieren ishin ok por boll me skane ca japin te hapin krahun

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje