Listat e Partisë Demokratike, fitorja e pestë e Bashës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ervis Iljazaj

Mbas shpalljes së listave të deputetëve shpërtheu më në fund konflikti i brendshëm i Partisë Demokratike. Një konflikt i cili ka qenë aty, përgjatë katër viteve që kur Lulzim Basha drejton këtë parti dhe që arriti kulmin nëpërmjet kritikave të forta që erdhën drejt tij dje, në një konferencë shtypi nga figura të rëndësishme të PD-së, që u lanë jashtë këtyre listave.

Këto qëndrime nuk kanë asnjë të re për sa iu përket zhvillimeve politike shqiptare. Ato kanë ndodhur sa herë që në forcat politike kryesore të vendit kanë patur ndryshime rrënjësore lidershipi. Kështu ndodhi edhe kur Rama mori drejtimin e Partisë Socialiste. Krijoi menjëherë ekipin dhe grupin e tij parlamentar. Janë lëvizje apo qëndrime politike që ndodhin rëndomtë sa herë që një lidership i ri kërkon të afirmohet brenda një partie politike.

Në këtë kuptim i vetmi mesazh që pritej të jepej nga Basha nëpërmjet listave të deputetëve, ishte pikërisht shkëputja nga Partia Demokratike e 2013-s dhe krijimi i një partie e cila do të ndiqte pakushte frymën politike të cilën po mundohet ta përcjellë prej kohësh te demokratët. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një parti e cila rezultoi humbëse në mënyrë spektakolare. Me një bilanc i cili mund të konsiderohet pozitiv gjatë viteve të opozitës, sidomos vitin e fundit, ky gjest mund të konsiderohet pa frikë fitorja e radhës e Bashës kundër humbësve të vitit 2013.

Në radhë të parë, me insistimin e tij të vazhdueshëm, artikuloi dhe fitoi ligjin e dekriminalizimit. Një ligj i cili dha efektet e menjëhershme që në këto zgjedhje. Askush nuk mund të thotë që kandidatët për deputet kësaj herë nga të dyja palët kanë probleme thelbësore me ligjin.

Në radhë të dytë, pati mëritë të padiskutueshme në kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nëpërmjet marrëveshjes politike që arriti me kryeministrin Rama, u sigurua për herë të parë në një palë zgjedhje, ndarja e shtetit nga pushteti në votime. Fitoi kështu garancitë politikë për të evituar përdorimin e disa sektorëve të administratën publike në zgjedhjet parlamentare. Fenomen i cili është përsëritur në mënyrë konstante përgjatë të gjithave zgjedhjeve që kemi zhvilluar deri më tani.

Në radhë të tretë, me vullnetin dhe qëndrimin që pati pas marrëveshjes u sigurua aprovimi i plotë i Reformës në Drejtësi. Reforma që ishte një projekt dhe një investim i padiskutueshëm i aleatëve tanë amerikanë dhe europianë. Në këtë kuptim klasa politike shqiptare u rreshtua qartësisht pro këtyre aleatëve jetike për fatet e vendit.

Dhe së fundmi, siguroi hyrjen e opozitës në këto zgjedhje si të bashkuar. Të gjitha marrëveshjet që arrti me aleatët e tij politik janë një meritë e cila tregoi luajalitetin e tij politik me këto parti. Kishte një detyrim moral ndaj atyre partive dhe këtë detyrim e çoi deri në fund duke i kandiduar kryetarët e tyre në vende të sigurta fituesish në lista.

Për të gjitha këto arsye, Lulzim Basha tregoi që me kushte minimale, mori dhe fitoi kauza maksimale. Në të mirë të Partisë së tij, por edhe të vendit. Kaq është detyra e opozitës. Dhe këtë detyrë, Basha e kreu më së miri.

Kështu që të gjithë ata qejfmbetur që tashmë e kritikojnë vetëm për faktin që janë lënë jashtë këtyre listave dhe pa asnjë motiv thelbësor apo për ndonjë gabim strategjik politik, duhet të presin dhe ti besojnë zgjedhjeve të tij nëse vërtet kanë përzemër fatin dhe ecurinë e kësaj partie. Përgjegjësitë apo meritat mbas këtyre zgjedhjeve sigurisht do ti përkasin vetëm Bashës.

Është një kohë e re politike brenda Partisë Demokratike. Kjo është e qartë tashmë. Andaj, figurat historike të saj që nuk janë kandiduar, bëjnë mirë të kuptojnë kohën e tyre politike. Kohë që me të gjitha gjasat ka mbaruar. Për këtë arsye mund të kenë një vend dhe mirënjohje politike për historinë e tyre. Por, kurrsesi Partia Demokratike nëse kërkon të kthehet një ditë në pushtet nuk mund ta bëjë duke thirrur historinë në ndihmë. Aq më tepër një histori që në zgjedhjet e fundit rezultoi humbëse.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

7 komente në “Listat e Partisë Demokratike, fitorja e pestë e Bashës”

  1. ariu says:

    Thashe se ishte shkrim satirik

    1. sit... back..and relaks →→→ says:

      ky djale ka te dhena te mira per kryeredaktor tek “zeri i popullit” i Bahri Faliut

    2. sit... back..and relaks →→→ says:

      ky djale ka te dhena te mira per kryeredaktor tek “zeri i popullit” i Bahri Faliut.

  2. Dajti USA says:

    Rruge te re me djalin e Fahri Balliut nuk mund te kete.

  3. Alushi says:

    O Ervis! Pse nuk na permende disa emra nga keta engjejt e propozuat nga miku yt Basha! Ne qofte se do te me permendesh tre emra nga keta kandidate, bashke me ty qe te jene plotesisht te paster, do te te heq mje dreke tek Rogneri.

  4. Toni says:

    Mungon Zeni Sales prandaj do Humbe PD se ai ka parate e fushates

  5. albani says:

    Nga ato qe thua ne TV, me keto qe ke shkruar, jane larg si nata me diten.
    S’na ke thene gje me kete shkrim os Z. Gazetar!
    Veprat kurorezohe ne fund, o Z. Gazetar! Ky nuk sy per Qabe, thote populli.
    A po i shikon tubimet e tij, duken si takime te pionereve ne kampet verore.

    Te shkreta! Ky as to qi as te leshon, o Z. Gazetar!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *