Një intervistë në kujtim të Zbigniew Brzezinskit: Europa më e zgjeruar i vjen për shtat edhe Moskës

30 Maj 2017, 11:38Dossier TEMA

Një bashkëbisedim i revistës “Limes” me Zbigniew Brzezinski, e 5 marsit të vitit 1996

Kur ju ishit Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Jimmy Carter, Moska ishte kryeqyteti i Bashkimit Sovjetik. Tani është vetëm i Rusisë. Por a bëhet fjalë gjithmonë për kryeqytetin e një superfuqie?

BRZEZINSKI Në nivel strategjik, pot ë flasim nga pikëpamja ushtarake, Rusia është ende një superfuqi, porn ë nivel taktik nuk është më. Nuk është as edhe nga pikëpamja ekonomike, financiare dhe kulturore. I mungon në mënyrë të veçantë dimensioni global i superfuqisë.

Ministri i Jashtëm rus Yevgenij Primakov pëlqen të përsërisë se nevojitet një «pluralizëm gjeopolitik», një mënyrë për të thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë superfuqia e vetme. Bini dakord me të?

BRZEZINSKI Që Shtetet e Bashkuara janë aktualisht superfuqia e vetme në botë është një e dhënë faktike dhe nuk e shikoj se çfarë mund të bëjë Primakov që ta pengojë. Me kalimin e kohës ndoshta do të shfaqen edhe superfuqi të tjera dhe midis këtyre sigurisht mund të shpresojë që të jetë Europa, se ndoshta do të shfaqet Japonia, Kina, Rusia dhe India. Por shfaqja apo jo e një superfuqie varet nga niveli i zhvillimit të tyre politik dhe ekonomik.

Besoni se disa projekte rindërtimi të perandorisë ruse që, siç plani Surikov, parashikojnë riintegrimin në Federatën aktuale e pjesëve të ish Bashkimit Sovjetik, u kushtojnë vëmendje interesave jetike të Shteteve të Bashkuara? Dhe në një rast të tillë, si duhet të reagojë Uashingtoni?

BRZEZINSKI Për momentin Rusia nuk e kërcënon sigurinë tonë dhe kështu që mendoj se duhet bërë çdo përpjekje me qëllim që të integrohet në bashkësinë ndërkombëtare dhe sidomos me qëllim që yë forcojë lidhjet me Europën. Rindërtimi eventual i perandorisë ruse mund të influencojë negativisht mbi interesat amerikane nëse kjo do të ndodhte nëpërmjet shtrëngimit. Përdorimi i forcës do të nënkuptonte që Rusia është bërë një diktaturë me karakter nacional – shovinist dhe, si e tille, do të ishte një kërcënim për fqinjët e saj. Për pasojë, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin pluralizmin gjeopolitik në hapësirën ish sovjetike dhe mënyra më e mirë për ta favorizuar është që të mbështeten shtetet e rinj të pavarur që synojnë të mbesin të tillë.

Por riintegrimi i Bjellorusisë në Federatë duket tashmë një fakt i kryer. Është preludi i rikthimit të Ukrainës dhe Kazakistanit? Ku duhet të vendosë Perëndimi një limit dhe si ta bëjë një gjë të tillë?

BRZEZINSKI Në mënyrë shumë të thjeshtë, limiti duhet të jetë kufiri i shteteve të pavarura që dëshirojnë të mbesin të tillë. Ky objektiv është në përputhje me konceptin e pluralizmit gjeopolitik që duhet të favorizojë Perëndimi. Vetëm në këtë mënyrë Rusia mund të bëhet një shtet kombëtar normal europian, duke i braktisur ambiciet perandorake.

Sipas jush, cili ka qenë gabimi më i madh i bërë nga Perëndimi kundrejt Rusisë në epokën e rënies së Murit? Për shembull, e mendoni korrekte qasjen e njerëzve që mbështesnin «terapinë e shokut» në fushën ekonomike?

BRZEZINSKI Sipas mendimit tim – dhe këtë unë e kam shkruar tashmë qysh më parë – zbatimi në mënyrë mekanike i «terapisë së shokut» në Rusi ka qenë një gabim. Nuk ekzistonin as kushtet politike dhe as ato ekonomike për zbatimin e një terapie të tillë. Tentativa për të imponuar modele perëndimore ka shkaktuar një reagim të natyrshëm antiperëndimor.

Kështu që nuk është aspak rastësi që të gjithë liderët properëndimorë ruse herët apo vonë bëhet jopopullorë apo tentojnë që të ndryshojnë opinion?

BRZEZINSKI Reagimi antiperëndimor dhe antidemokratik në Rusi ishte pothuajse i pashmangshëm. Në fund të fundit, shembja e fuqisë sovjetike nënkuptonte fundin e hegjemonisë ruse. Kjo ka shkaktuar një dozë të mirë frustrimi dhe mërie.

Në elitat ruse duket e përgjithshme antipatia ndaj zgjerimit të NATO-s. Në Moskë ka që theksojnë se Uashingtoni do ta përdorë zgjerimin e Aleancës në funksion antirust, ashtu si në kohën e tij projekti i Mburojës Yjore u përdor kundër Bashkimit Sovjetik: për të ushqyer një garë armatimesh që do të minonte themelet e ekonomisë dhe të Rusisë si shtet. Nëqoftëse nuk është ky qëllimi, cila është arsyeja e zgjerimit?

BRZEZINSKI Elita ruse është shumë e preokupuar nga NATO sesa opinion publik. Sondazhet e opinionit lidhur me çështjen e zgjerimit demonstrojnë se shumicës së rusëve gjëja nuk u intereson kushedi se çfarë. Në thelb, kundërshtimi i elitës mbështetet mbi aspirata të thella prej fuqie. Ekspansioni i Europës nënkupton se Moska do të ketë më pak mundësi që të vendosë një predominim gjeopolitik në Europën Qendrore. Sipas mendimit tim, duhet proceduar me ekspansionin e Europës, por ndërkohë duhet qartësuar se zgjerimi i NATO-s nuk bëhet në funksion antirust, por se në fakt finalizohet në ndërtimin e një strukture të vlefshme sigurie për Europën. Ndërtimi i entitetit kontinental të Europës nuk mund të ndalet në kufijtë arbitrarë dhe anihistorikë të vendosur në vitin 1945.

Sipas jush anëtarë të ardhshëm të NATO-s si puna e Polonisë duhet të jenë pjesë me titull të plotë në klubin atlantik?

BRZEZINSKI Po.

Disa sondazhe të kohëve të fundit në Europën Qendrore tregojnë se opinionet publike të këtyre vendeve janë të interesuar në një integrim eventual në NATO, por janë shumë pak të prirur të dalin në fushë për t’u mbrojtur reciprokisht në rast agresioni. Mendoni se është e mundur që çekët të luftojnë për polakët dhe anasjelltas?

BRZEZINSKI NATO-ja është një strukturë sigurie kolektive dhe është për këtë që amerikanëve nuk u kërkohet nëse janë të gatshëm apo jo të vdesin për Anadollin, por nëse a janë të gatshëm ta bëjnë për sigurinë e përbashkët të Europës dhe të Amerikës. I njëjti diskutim duhet t’i zbatohet Europës Qendrore, sidomos nëse Europa një ditë do të bëhet vërtet Europë.

A mendoni se, siç thoshte Lordi Ismay, objektivi themelor i NATO-s është ai i mbajtjes së rusëve jashtë, të amerikanëve brenda dhe të gjermanëve poshtë? Nuk mund të mendohet në thelb se i gjithë operacioni i zgjerimit është edhe një mënyrë për të kontrolluar dhe kufizuar fuqinë gjermane në Europën Qendrolindore? Në këtë rast a mund të ketë një përkim interesash me rusët, nuk besoni?

BRZEZINSKI Qëllimi i NATO-s është ai i krijimit të në sistemi sigurie më të gjerë të mundshëm në parallel me rritjen e një Europe më të madhe. Ata që i kundërvihen zgjerimit të NATO-s janë në fakt po ata që favorizojnë një Europë të cunguar, të cilës disa pjesë do t’i mbesnin pak të sigurta, të përshkuara nga spazma etnike dhe të ekspozuara ndaj ambiciesh perandorake. Një Europë më e zgjeruar, politikisht më e bashkuar dhe e lidhur nëpërmjet një sistemi sigurie me Amerikën, do të eliminonte në fakt problemin e vjetër e fuqisë gjermane dhe do të krijonte bazat për një sistem marrëdhëniesh me Rusinë të qëndrueshëm dhe reciprokisht të sigurtë. Me pak fjalë, Europa e zgjeruar është fitimprurëse jo vetëm për europianët, por edhe për amerikanët e për rusët, për sa u përshtatet nevojave të sigurisë të të gjithëve.

Përgatiti: Armina Tirana- Bota.al

1 komente në “Një intervistë në kujtim të Zbigniew Brzezinskit: Europa më e zgjeruar i vjen për shtat edhe Moskës”

  1. krysho ludovik says:

    atje ne ferr ta vene bashke me miqte e tij muxhahedine ne te njejten grope me sere

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje