Rama takon fermerët: Ja "mëshira" jonë për opozitën, timoni s'mbahet me të tjerë në prehër dhe shteti nuk ndahet në parcela

30 Maj 2017, 15:19Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama është takuar sot në fshatin Sohodoll të Dibrës, me fermerë të zonës, ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre dhe ka ndarë disa pikë të programit qeverisës të PS-së.

Ai ka përmendur disa nga prioritetet por iu ka kërkuar dibranëve votat për PS-në, pasi tha se nuk mund të mbahet timoni me të tjerë në prehër, duke iu referuar koalicionit qeverisës me LSI-në.

Ai tha se problemet me administratën civile vijnë pikërisht nga ndarja e pushtetit.

 

“Ne kemi nisur nga maja, por pjesa më e madhe është administrata civile, një plagë e hapur çerek shekulli që nuk e kemi kuruar dot. Kështu është kur ke bashkëqeverisje dhe kur ndahet pushteti si tepsi”, tha Rama.

Ai u ndal edhe tek marrëveshja me PD-në, duke u shprehur se me këtë marrëveshje i treguam demokratëve që nuk i kemi armiq.

“Po të ishte puna për armiq, i kishim lënë në çadër, kishin gjithë botën kundër dhe ju e patë, kishim marrë 100 deputetë por menduam për njerëzit e zakonshëm që thonë jam i djathtë dhe deshi t’i linte Luli jashtë zgjedhjeve dhe ne do fitonim. Ua dhamë marrëveshjen se ne na intereson Shqipëria mbi interesin e partisë”, deklaroi Rama.

PJESË NGA FJALA E RAMËS ME FERMERËT E SOHODOLLIT

Çështjen e vaditjes e kemi prioritet madhor. Do kishim dashur ta kishim kompletuar por situata që kemi gjetur ishte shumë e rëndë se ça thuhej. Të mendosh nga 300 mijë ha që duhet të vaditeshin ne kishim vetëm 120 mijë në 2013. Plus që mjeti i fundit, eskavatori i fundit që ka hyrë në Shqipëri për bujqësinë ka hyrë ai i përdoruri në 2005 dhe pjesa më madhe e flotës së bujqësisë ishte ne tako. Shumica e jetëve ishin të kohës së dashurisë me Kinën. Tani kemi marrë 61 mijë ekskavatorë dhe ua kemi dhënë bashkive që për herë të parë e kanë syrin tek fshati me ndarjen e re administrative.

E dyta ne me ça kemi mundur nga pikëpamja e financimit shtetëror e kemi bërë dhe përfituesit janë përfitues të një politike të re që mos me i thërrmuar lekët me lëmosha por të përqendrohemi në bazat e përpunimit dhe prodhimit. Është llogari shumë e thjeshtë, një bazë prodhimi ka vërtetë një pronar dhe x punonjës por mban në punë gjithë atë rreth njerëzish në fshat sepse ata nuk e kanë më në rrezik prodhimin e tyre, që ta hedhin apo shesin në rrugë por e dorëzojnë tek baza.

Por nuk del llogaria ashtu siç të mund ta llogarisim potenciali atëherë kemi krijuar fondin kombëtar të garancisë për kreditë për bujqësinë. Do ju nxisja që ta shihni me shumë vëmendje këtë. Është pika më e nxehtë e debateve të mia me krerët e bashkive që të futen në këtë proces.

Me bankat e nivelit të dytë duke qenë se garanton shteti , interesi është i ulët. Nëse bashkia futet bashkë me ju, në një pikë të grumbullimit të mollëve përs hembull, atëherë shkon bashkia me një grup fermerësh dhe thonë duam të bëjmë një investim. bëhet llogaria dhe merret kredia.

Ndërtohet pika e grumbullimit të mollëve. Të gjithë në zonë i sjellin dhe tek çmimi nuk ka më goditje. Logjika që duhet të jetë dhe që funksionon, se e kam parë në Shqipëri me sytë e mi dhe nuk ma lun topi këtë ide është që në prodhim jemi veç dhe në shitje jemi bashkë.

Duhet të organizoheni, nuk është më punë lekësh se lekët gjenden. Kemi mundësi në 3 vitet e ardhshme të thithim 300 mln euro, imagjino se sa investime mund të bëhen.

Por duhet ndryshuar qasja, nuk mund të presim vetëm nga shteti. Po të shohësh Italinë, po të shohësh Francën, Gjermaninë, bashkitë janë pjesë në këtë lojë, në fshat.

Marrin pjesën e tyre të fitimit dhe prapë i riinveston ato në funksion të fshatit. Duhet ta mendojmë ndryshe këtë punë dhe duhet të marrim shembull këta fermerë. Ne pranda kemi ndjekur logjikën që ku i kemi gjetur këto pika, i forcojmë.

Jo të organizohemi si kooperativë diku nga ideologjia por nga interesi. Ne këtu mund të krijojmë bazë eksporti shumë të fuqishëm, nuk është thjesht çështje e tregut në Tiranë.

Nuk ka fshatar që punojnë me tokën dhe me prodhimin në Europë që janë të varfër, nuk ekziston. Është biznes i vështirë, se ke këto hallet e kohës.  Bujqësia këtë hall e ka, por të jesh i organizuar e shpëtojmë fshatin nga varfëria. Ama duhen futur dhe çunat. Ata ikin se nuk e shohin ku është fitimi. por nëse organizohet në këtë koncept, rri këtu. Pse do mbledhë portokallet e grekëve, i mbledhin këtu.

Këtu duhen mbështetur kulturat që janë të suksesshme dhe duhet mbështetur ky lloj organizimi. Shteti duhet të ndihmojë organizimin jo hidh lëmosha kot. Jep subvencione për të mbajt gjallë.

Ne dallojmë nga vendet e zhvilluar evropiane për shumë gjëra, për shumë mangësi, por nëse ka një dallim themelor mes një vendi në zhvillim dhe një vendi të zhvilluar është administrata. Kemi dy nivele të administratës, shërbimi civil që është niveli më i lartë dhe administrata civile që është me kod pune.

Ne kemi nisur nga maja, por pjesa më e madhe është administrata civile, një plagë e hapur çerek shekulli që nuk e kemi kuruar dot. Kështu është kur ke bashkëqeverisje dhe kur ndahet pushteti si tepsi.

Ku ka bërë vaki që ti të ndërtosh shtet dhe institucionet t’i ndajnë partitë. Kjo është “A”-ja. Ti ke shumë të drejtë. Ndodh që ti ke drejtorinë e ujërave, ty të duhet inxhinier hidraulik por partia tjetër thotë që nuk kam inxhinier hidraulik, por kam një rrobaqepës, është burrë i mirë, më ka dhënë kaq vota.

A bëhet shteti kështu. Tani të flasim copë. Pse them unë, duhet ta godasim këtë sëmundje dhe ta shërojmë sepse përndryshe nuk mund t’u japim njerëzve të zotë dhe me aftësi besimin që po të duan t’i shërbejnë shtetit do marrin atë që meritojnë.

Tek shërbimi civil ka përmirësim por nuk ia japin dot besimin. Pa pasur në këtë vend njeriun që i duhet punës kemi vështirësi të mëdha. Këtu tradita është bërë gjeji njeriut punë, jo gjeji punës njeriut.

Si zgjidhet kjo? Nuk po them se zgjidhet përnjëherë apo me formulë magjike, sepse nuk duhet të harrojmë një gjë. Ne kemi një shtet shumë të ri nga pikëpamja e sistemit demokratik.  U shkatërrua gjithçka në 1990 dhe u bë shteti punë partizanësh. Erdhën partizanët e morën. Erdhën këta e morën.

Prandaj them unë duhet vota vetë për PS që ne të kemi të vetëm timonin. Pse iu them dhe të majtëve dhe të djathtëve mos shihni fanellat, mos shihni flamujt, shihni interesin tuaj. Vota është për të marrë në punë njerëz.

Ai ka fabrikën, ai do të bëjë këtë lëng dhe i duhen në punë njerëzit që bëjnë tapën, shishesh, etiketën. Ça thotë hajdeni të gjithë tek familja dhe po i fus dinë apo sdinë ta bëjnë.

Jo ai thotë hajde ti që di, që i bën punën. Kështu dhe vota, mua më duhet kush më bën punën, nuk më duhet fare a është me ngjyrë blu, a jeshile.

Mua më duhet kush bën punë dhe nëqoftëse PS ka timonin vetëm që mos me mbajt të tjerë në prehër që të tëtëtë tëtëtë… (me gjeste). Hajde nisemi kush është shofer këtu, nisemi për Tiranë, të ulem unë në prehër dhe ti lëviz timonin.

A shkojmë dot në Tiranë në orën që duam, po të arrijmë dhe është fat i madh se mund të biem edhe në greminë. Kjo nuk është për të marrë më shumë pushtet PS se po të jetë puna për të marrë pushtet për ne, si fusim fare në zgjedhje ata, kishim marrë 100 deputetë, por jo.

Kjo është për të garantuar drejtimin, pastaj se kush është pasagjer apo ndihmës shofer apo ndihmës teknik kjo nuk është më problem. Ne na duhet vota për të bërë këtë punë. Që të bëjmë shtet duhet të bëjmë administratë dhe duhet të harrojmë këtë histori që nuk ndahet shteti me parcela, kjo është e imja…

Ne e kemi përmirësuar shumë. Po të marr vetëm shëndetësinë. Shëndetësia u bë estradë. Drejtori i spitalit të Vlorës ishte një doktor i nderuar dhe përfaqësues i PD-së. Shkoj unë në spital, del ai më përqafon i them hë mo drejtor. Ça drejtor unë nuk jam më drejtor. Erdha këtu më vuri partia drejtor dhe unë mora ca njerëz të mi. E mori PDK-ja dhe e mori.

Si mund të bëjmë shtet kur nuk kemi gjykata ku secili merr atë që i takon. me Perandorinë otomane ka humbur gjyq sulltani. E di për çfarë e humbi gjyqin? E humbi gjyqin për një çështje prone mes dy individëve. Mbajti anën e njërit, ai tjetri e çoi në gjyq dhe fitoi gjyqin.

Ne duhet patjetër të vendosim ligjin dhe ta ndajmë përfundimisht pazarin nga drejtësia. Ndaj insistuam për reformën në drejtësi dhe vettingun. Si mund të bëhet gjyq me këto kushte kur politikanët zgjedhin gjyqtarët.

Ajo që po bëjmë në parlament është që qeveria dhe opozita do zgjedhin nga lista e ekspertëve që është e verifikuar nga ONM. Ata që do zgjidhen janë gjykatësi e gjykatësve.

E do fillojnë me radhë. Muharremi hajde gjykatës i lartë, mos o Zot, ke deklaruar që ke 6 shtëpi, ke pasur kaq lekë, kredi ke marrë keq, kaq ka qenë çmimi, ku i ke marrë këto lekë?

Nëse thua ti ma ka lënë vjehrra, apo ma ka dhënë çuni i tezes në Australi, Komisioni i verifikon. Nëse në fund del që ke gënjyer, atëherë jo që nuk mund të jesh më gjykatës por do dalësh para drejtësisë. Do fillojnë punën ata, nëqeoftëse ata kanë dalë të pastër nga ky proces, ata nuk i kanë asnjë borxh politikanëve.

Ju e mbani mend çfarë u bë? I vuri kazmën gjykatësve, mori nga mitingjet dhe i çoi tek plepat e Durrësit dhe i futi në gjykata.

Të hysh në shtetin shqiptar dhe të shohësh çfarë është bërë në çerek shekulli. Enver Hoxha ishte ai që ishte…Kishte mundësi Enver Hoxha që t’i digjte të gjitha tapitë, pa problem fare…

A mund të më thoni pse i mbylli tapitë në kasaforta? Sepse ato dokumente tregojnë që është tokë e shqiptarëve, për asnjë arsye tjetër. Jo se do ua jepte prapë. Vjen tjetri dhe thotë ça thua ti kjo është Greqi, ose thotë Dibra është Serbi. Çfarë bënë, i morën i hapën i bënë lesh e li.

Kush e krijoi pronën me 3 palë pronarë? Gjykatësit. Kjo është historia e titujve të pronësisë. Ka zona e zona që nuk janë më, i kanë zhdukur.

Tjetër kush nuk e bën dot. PD-ja ishte dhe nuk e bëri dot. Po të më thoni Luli është më i zoti se Saliu…4 vjet ishte në Bashki dhe nuk bëri dot sahatin. Çdo demokrat që ka familjen e vet duhet të thotë kë do marr në punë me votën time.

Me marrëveshjen që bëmë ne i treguam demokratëve që nuk i kemi armiq. Po të ishte puna për armiq, i kishim lënë në çadër, kishin gjithë botën kundër dhe ju e patë, kishim marrë 100 deputetë por menduam për njerëzit e zakonshëm që thonë jam i djathtë dhe deshi t’i linte Luli jashtë zgjedhjeve dhe ne do fitonim. Ua dhamë marrëveshjen se ne na intereson Shqipëria mbi interesin e partisë.

Ata i duan votat për veten, për t’u kthyer në një punë që nuk dinë të bëjnë. Ne nuk i ndajmë njerëzit në socialistë e demokratë.

2 komente në “Rama takon fermerët: Ja “mëshira” jonë për opozitën, timoni s’mbahet me të tjerë në prehër dhe shteti nuk ndahet në parcela”

  1. TITI says:

    normal qe i duhet timoni se boll i kan fut shkopi ne rrota

  2. Besjana says:

    E meriton kete deshtim sepse vete e solli Pd ne kete gjendje duke bere qe te ulet numri I simpantizanteve te ksaj partije. Ne cdo qark e qytet kjo situate e pret Lulin. Pastaj ska ctju beje njeri ktyre aman. Kto jane e zeza e vetes tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje