Tritan Shehu flet për listën "Basha": Të çojmë përpara idealet tona, jo të gjithë mund të jenë në lista, as unë nuk isha 4 vjet

30 Maj 2017, 13:48Politika TEMA

Ish-kreu i PD-së dhe kryesuesi i listës së demokratëve në Gjirokastër, Tritan Shehu, e cilëson listën e kandidatëve të hartuar nga Lulzim Basha si gjithëpërfshirëse.

Shehu sqaron per Panorama se ekipi i ri i zgjedhur nga Basha përfaqëson aspiratat e PD.

“Lista ka hapësirë për aq vende sa janë. Natyrisht jo të gjithë mund të jenë në lista. Kjo ndodhi edhe në 2013 kur unë personalisht nuk isha për 4 vjet në Parlament, pavarësisht se isha ish-kreu i PD-së dhe themelues i saj.

Megjithatë, në zgjedhjet e 2013-s, kur unë e dija qartësisht se nuk do të isha në Parlament në atë periudhë, iu përvesha fushatës dhe dhashë kontributin tim dhe të gjithë energjitë e mia në atë fushatë, e cila fatkeqësisht nuk shënoi fitoren e PD. Por sot jemi përpara një shansi të madh për t’i fituar zgjedhjet. Mendoj se ekipi i ri i zgjedhur në PD përfaqëson aspiratat tona, programin dhe është një ekip që përmban njerëz të rinj, njerëz me eksperiencë, asete të PD dhe histori të PD. Është një listë gjithëpërfshirëse e PD”, deklaron Shehu.

Ish-kreu i PD-së nuk komenton lëvizjen e nisur brenda PD-së nga deputetët Topalli e Imami për shkarkimin e Bashës, por kërkon që të gjitha energjitë për fushatë të investohen për fitoren e PD.

“Unë mendoj dhe gjykoj se aktualisht është momenti që të gjithë t’i përvishemi fushatës elektorale. Të fitojmë zgjedhjet. Të realizojmë ndryshimet e mëdha që pret Shqipëria, të nxjerrim vendin nga kjo gjendje e rëndë në të cilën gjendet. Të çojmë përpara idealet tona, programin tonë, mendimet tona në këtë betejë kaq të rëndësishme, të cilës i kanë ngelur edhe 4 javë. Nuk dua të komentoj asgjë që deklarojnë kolegët e mi.

Ashtu siç thashë edhe më parë, në këto momente të gjithë energjitë tona, të gjitha forcat tona, të gjithë kohën tonë duhet ta kthejmë në dobi, në funksion të fushatës elektorale dhe fitores së PD; Duke pasur si qëllim vetëm fitoren e PD. Kjo duhet të jetë motoja që duhet të mbizotërojë në këtë fushatë shumë të rëndësishme, e cila do të realizojë ato ndryshime që priten prej kohësh”, thekson Tritan Shehu.

2 komente në “Tritan Shehu flet për listën “Basha”: Të çojmë përpara idealet tona, jo të gjithë mund të jenë në lista, as unë nuk isha 4 vjet”

  1. Edi says:

    Ty te kane te parin ne lushnje

  2. NjeQytetarOptimist says:

    Presh erdhe e presh do dalesh nga shqupi.. Gjynah qe nje parti e tille vashdon me njerez te konsumuar si ty..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje