Shkarkimet për fushatën/ Përplasje e ministrave teknikë me zv.ministrat e drejtorët e PS: Vendimet, të paligjshme

Urdhrat e ministrave teknikë të Partisë Demokratike për shkarkimin e disa punonjësve të administratës që janë parë në fushatën zgjedhore, kanë krijuar përplasjet e para brenda administratës.

Rasti i fundit ishte shkarkimi i Kliton Bistrit, inspektorit të hetimit tatimor nga ministrja e Financave, Helga Vukaj, e cila dje kërkoi dhe ndjekje penale për të.

“Ministria e Financave i ka kërkuar Prokurorisë procedimin penal për Kliton Bistrin, inspektor i hetimit tatimor, me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, pasi në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi, si dhe me udhëzimin e Kryeministrit, ka marrë pjesë në aktivitete partiake gjatë fushatës elektorale.

Veprimi i tij është në shkelje të hapur të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ministria e Financave ka urdhëruar më datë 29 maj shkarkimin e menjëhershëm të z. Kliton Bistri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Por mësohet se Bistri është në detyrë. Burime nga Tatimet thanë se urdhri i shkarkimit është i paligjshëm. Sipas tyre, punonjësit e administratës tatimore mund të shkarkohen vetëm nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, ndërkohë që ministrja vetëm mund të vërë provat në dispozicion të drejtoreshës.

Statusi i nëpunësit civil përcakton se punonjësit e administratës kanë të drejtë të marrin pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar dhe rrjedhimisht nuk mund të shkarkohe. Denoncimet dhe masat e pezullimit vijnë vetëm nga ministrat teknikë.

Tri ditët e fundit, ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, pezulloi nga detyra drejtorin e IEVP në Tropojë, Granit Kurmekaj, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Pas tij, ishte Ministri i Shëndetësisë, që pezulloi Julinda Feracakun, drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore numër 1, Lushnjë, për pjesëmarrje në fushatën e PS.

LEJET

Mes ministres së Financave, Helga Vukaj, dhe zv.ministres së saj, Irena Beqiraj, ka një përplasje shkresore në lidhje me urdhrin e Vukajt për pezullimin e lejeve të verës për punonjësit e Ministrisë së Financave dhe administratës së institucioneve të varësisë prej saj.

Përmes një memoje dërguar ministres Vukaj, Beqiraj i kujton asaj kompetencat e ministres në marrëdhënie me administratën dhe i kërkon asaj që të reflektojë për urdhrin nr. 58, datë 30.05.2017.

“Asnjë ligj, apo akt nënligjor normativ nuk ndalon dhënien e lejeve vjetore në periudhën e përfshirë nga urdhri i ministrit të Financave. Për rrjedhojë çdo miratim i këtyre lejeve ka qenë dhe mbetet i ligjshëm.

Në këtë drejtim, K.Pr.A. nuk lejon shfuqizimin e këtyre akteve me qëllim ndërprerjen e lejeve vjetore. Për më tepër në urdhër nuk citohet se cilat janë arsyet që cenojnë vijueshmërinë e punës në përputhje me kërkesat e VKM nr.511/ 2002”, thuhet në memon e zëvendësministres Beqiraj për ministren Vukaj.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *