Ministrat teknikë të PD “terror” mbi administratën, 4 kontrolle në ditë punonjësve për prezencën

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ministrat teknikë të PD-së vijojnë presionin ndaj administrates publike.

Pas urdhrave për ndërprerjen e lejeve vjetore dhe vizitat jashtë vendit, ministrat ‘teknikë’ mësohet se kanë përgatitur një ‘listë të zezë’, me të gjithë punonjësit e administratës në sektorët përkatës, të cilët sipas tyre, kanë shkelur rregullat e diktuara po nga ministrat e rinj. Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga juristi i PD, Gazmend Bardhi, ka njoftuar se ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit.

Në një fazë të tillë janë edhe drejtuesit e pesë ministrive të tjera. Për të maksimalizuar presionin, zëvendëskryeministri i PD ka zhvilluar dje një takim me kryeprokurorin Llalla, shkruan shqiptarja.com

Ndërkaq, për monitorimin e punonjësve dhe raportimin e lëvizjeve të tyre, janë angazhuar militantët dhe strukturat e Partisë Demokratike. Angazhimi konsiston në vëzhgimin e lëvizjeve pas orarit të punës, konkretisht të takimeve private, të pjesëmarrjes në tubime, monitorimit të rrjeteve sociale, mesazheve propagandistike etj.

Shqiptarja.com ka mësuar se në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë po ndodh ajo që nuk mund të imagjinohej. Sipas burimeve, ministrja ‘teknike’ e Partisë Demokratike, Xhulieta Kërtusha, ka ngritur një minikomision, i cili merret vetëm me kontrollin e prezencës së punonjësve në ministri dhe në degët e saj.

Punonjësit e kësaj ministrie i nënshtrohen apelit katër herë në ditë për të konfirmuar prezencën në punë. Apeli bëhet në mëngjes, në drekë, rreth orës 14:00 dhe pak para përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Ashtu si nxënësit në shkolla, punonjësit e të gjitha niveleve, duhet të konfirmojnë prezencën në zyrë, në të kundërt mund të ndëshkohen.

Gjithashtu, mësohet se edhe ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha, ka nxjerrë një urdhër për ndërprerjen e lejeve vjetore të punonjësve deri pas zgjedhjeve të 25 qershorit, me qëllim për të evituar pjesëmarrjen e tyre në fushatë.

Pas ministres së Financave Helga Vukaj, edhe ministri ‘teknik’ i Shëndetësisë, Arben Beqiri ka nxjerrë dje një urdhër sipas së cilit, nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e ministrisë si dhe të institucioneve të varësisë që përfitojnë pushime vjetore të paguara, për sigurimin e vijueshmërisë së punës, u ndërpritet leja vjetore për periudhën 01 Qershor 2017 deri me 25 qershor 2017, që përkon me periudhën e fushatës zgjedhore.

Sipas këtij urdhri të gjithë punonjësit që janë duke kryer lejet vjetore, do të njoftohen për paraqitjen në detyrë dhe për mbushjen e lejes vjetore pas datës 26 Qershor 2017. Ministria e Shëndetësisë paralajmëron se moszbatimi i këtij urdhri pasohet me përgjegjësi disiplinore.

Tre ditë më parë ishte ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj e cila firmosi pezullimin e lejeve vjetore për punonjësit e administratës për periudhën 25 Maj-30 Qershor.

Ndërkohë, krahas pezullimit të lejeve, ministrat teknikë të PD-së kanë nisur edhe një terror të pazakontë mbi stafet e ministrive, duke iu monitoruar atyre edhe rrjetet sociale.

Facebook-u monitorohet se sa herë hapet nga punonjësit gjatë orarit të punës, nëse marrin mesazhe propagandistike etj. Po ashtu, monitorohen me kujdes aktivitetet elektorale të Partisë Socialiste për të pikasur ndonjë punonjës. Lëvizjet e punonjësve jashtë orarit të punës janë gjithashtu nën vëzhgim.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Ministrat teknikë të PD “terror” mbi administratën, 4 kontrolle në ditë punonjësve për prezencën”

  1. joel shkodra says:

    Kaq mire bejne sa s’ka ku te shkoje. Kjo pune duhej bere ne te gjitha fushatat elektorale. Quajeni “terror” a si te doni, por keto jane rregulla qe duhen zbatuar nga punonjesit e administrates shteterore.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *