Kjo është një luftë kundër gëzimit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Hugh Muir

Një koncert për adoleshentë në Mançester. Një ditë turistike në ëestminster. Dhe tani, një mbrëmje dëfrimi të shtunën në qendër të Londrës.

Nuk mban më, thotë Theresa May: ka “shumë tolerancë ndaj ekstremizmit në vendin tonë”. Ka të drejtë. “Ai do të mposhtet vetëm kur t’i largojmë mendjet e njerëzve nga kjo dhunë dhe t’i bëjmë të kuptojnë se vlerat tona, vlerat pluraliste dhe ato britanike, janë më të larta se çdo gjë që u ofrohet nga predikuesit dhe mbështetësit e urrejtjes”.

Përsëri ka të drejtë. Shpresoj që tani ajo të ndërmarrë hapa aktivë për të adresuar intolerancën e shfrenuar – në kundërshtim me ato vlera britanike – që ka përçarë shoqërinë gjatë vitit të kaluar plot politikë helmuese. Ka një mësim për t’u nxjerrë në këtë ditë tragjike, me shtatë të vdekur, 48 të plagosur dhe me qindra jetë të ndryshuara përjetësisht: ose i mundim vrasësit dhe frikacakët së bashku, ose na vënë përfund.

Pas kësaj, ne gjithashtu mund të shohim se shënjestrat e këtij tmerr të përsëritur kanë një model të përcaktuar. Ato janë shënjestra të buta. Ne mund të dërgojmë roje të armatosura dhe skanerë sigurie në ndërtesa qeveritare, por si mund të bëhet një pijetore apo një koncert në çdo qytet, i mbrojtur nga sulme me bombë?

Ata janë të beftë. Pa telefonata paralajmëruese, pa mesazhe të koduara, pa kuptime në heshtje. Duket sikur terrorizmi i viteve të kaluara luhej sipas rregullave të Queensberry.

Nuk ka ambicie të dukshme apo të rëndësishme për të shkatërruar shtyllat e shtetit: njerëzit që përdorin automjete dhe furgonë si armë, si dhe godasin me thika të gjata këdo që gjejnë përpara, padyshim që nuk janë duke kërkuar të zhdukin kazermat e ushtrisë, stacionet e policisë, apo Bankën e Anglisë . E tyrja është një luftë jo kundër themeleve të një shoqërie të lirë ose ndaj infrastrukturës tonë vitale, por kundër njerëzve që gëzojnë përfitimet e një shoqërie të lirë. Është, në shumë mënyra, një luftë kundër gëzimit, e motivuar nga një ndjenjë e shtrembëruar devocioni.

Ne dalim dhe vallëzojmë, hamë dhe pimë. Për fanatikët, këto gjëra janë dekadente dhe çikërrima. Megjithatë, ato janë në vetvete akte të vogla simbolike politike: shkojmë ku duam, bëjmë atë që duam, veshim ato që duam, dashurojmë atë që zgjedhim, sepse kemi një kornizë sociale dhe një sistem politik që na lejon ta bëjmë këtë. Nëse ekstremistët nuk mund ta çmontojnë sistemin, ose themelet që e mbështesin atë – dhe ata e dinë se nuk munden – atëherë ata përpiqen të godasin dhe terrorizojnë qytetarët e zakonshëm, që përfitojnë nga gëzimi që ofron dhe liria që sjell.

Në këto kohë është e zakonshme që politikanët dhe policia të dyfishojnë përpjekjet për të na mbajtur të sigurt dhe për të na thënë që të vazhdojmë me punët tona të përditshme. Cressida Dick, komisionere e ri e policisë metropolitane, bëri gjënë e duhur, duke lavdëruar shërbimet e emergjencës dhe duke i nxitur komunitetet – të gjitha në pikëllim – që të bashkohen.

Ky rikthim në normalitet është, në vetvete, një veprim i parashikueshëm dhe i domosdoshëm sfide. Dyqanet që hapen shpejt, trenat dhe autobusët që vihen në dispozicion, udhëtarët që udhëtojnë: secili bën një deklaratë të vetën. Këto janë të domosdoshme dhe e bëjnë shoqërinë të funksionojë. Ne gjithmonë do t’i ruajmë.

Por ka një rrezik më të madh, dhe ai është që ne tani të fillojmë të mendojmë dy herë, për gjërat që sjellin gëzim – natën në një pijetore ose në një bar apo klub të mbushur me muzikë, mbrëmjen e eksperiencës së përbashkët në një vend publik, ngjarjet sportive, sallat e koncerteve, qendrat tregtare, kinematë, teatrot – eksperiencat e shumta që i japin cilësi dhe pasuri jetës. Rreziku në ato vende nuk ka të ngjarë të zhduket asnjëherë, sepse duket sikur përfshijnë gjithçka që vrasësit urrejnë. Por rreziku gjithmonë do të jetë minimal. Ne duhet ta mbajmë parasysh atë. Si punojmë, si luajmë: këto janë dy anë të së njëjtës monedhë. Edhe në një kohë aq të dhimbshme sa kjo, rreziku më i madh është që t’i lëmë fanatikët të na grabisin atë që ne jemi. / The Guardian – Bota.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *