Kodheli, takim me fermerët dhe blegtorët në Kukës: Jeni “zemreku” i ekonomisë shqiptare, produktet tuaja do shkojnë te kosumatori

5 Qershor 2017, 12:00Politika TEMA

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të PS për qarkun e Kukësit për zgjedhjet e 25 Qershorit,  Mimi Kodheli zhvilloi një takim elektoral me fermerë dhe blegtorë në Kukës.

Në fjalën e saj Kodheli u shpreh se ata jo vetëm mbajnë ekonomitë e tyre shtëpiake, por mbajnë dhe ekonominë në vend. “Të prodhosh sot në Shqipëri është me të vërtetë unikale, sepse njerëzit përgjithësisht mundohen të merren ose me kafeteri ose me tregti. Kushtet në të cilat ju prodhoni, çka sjell këtu situatën e 25 viteve, duke filluar që nga problematika më e madhe e këtyre viteve që është pronësia mbi tokën, por pse jo edhe shkatërrimi i disa veprave ekzistuese edhe mospasja dhe mosbërja e veprave të tjera të infrastrukturës që do t’ju ndihmonin ju në punën tuaj, e ka vështirësuar këtë punë pa masë. Ndaj kur ne flasim për një ribërje të shtetit, kjo është një gjë serioze dhe që nuk i takon vetëm një fushate elektorale apo vetëm të nesërmes, por i takon të ardhmes dhe vazhdimësisë së asaj që ju keni krijuar me thonj e me duar deri më sot”, tha Kodheli.

Ligji për rishpërndarjen e tokës, për Kodhelin ka qenë fort i diskutueshëm, ka sjellë probleme të jashtëzakonshme, ka sjellë probleme që kanë bërë familjet të hyjnë në konflikt, ka sjellë abuzime, ka sjellë 10 herë pronarë të së njëjtës tokë. Kodheli ka nënvizuar se kjo, jo vetëm e ka acaruar shoqërinë shqiptare, por e ka copëzuar pronën dhe gjithsekush të rrijë te prona e vet, të mbajë, të ruajë atë copë tokë që i ka caktuar. Por njëherësh dhe pa menduar që duhet kanali, pa menduar që për të thirrur një makinë për të punuar dhe pluguar tokën nuk e thërret dot në copën e tokës që ti ke, sepse kostoja është shumë e lartë dhe për ta përballuar, do të ishte më mirë të rrinit bashkë.

Në vijim Kodheli tha se pas dy dekadash ne kuptuam që sistemi ku jemi është një sistem krejt i ndryshëm nga ai që ishim dhe për të përfituar, çdokush duhet të aplikojë për të zhvilluar projektin që ka. “Mua më rri shumë mirë fakti që, në qarkun e Kukësit ka pasur plot 402 aplikime të realizuara, të cilat kanë mundësuar zhvillimin e aktiviteteve tuaja. Ndërkohë që ju bëni lodhje, mundim për të zhvilluar aktivitetet tuaja për të dalë në treg, problem tjetër mbetet grumbulluesi, mbetet ky tregtari që duhet t’jua marrë ju produktin dhe ta shesë diku tjetër. Duke qëndruar në Kukës kupton që ju jeni prodhues shumë të mirë blektoralë, se keni një djathë të jashtëzakonshëm. Ai djathë nuk vjen në Tiranë, unë blej një djathë që vjen nga jashtë shtetit. Po nuk është trishtim? Trishtim i paparë. Këtu ka bletë, ka një mjaltë të jashtëzakonshëm, të ndryshëm nga mjalti i Jugut, nuk vjen ky mjaltë në Tiranë, por nuk mund të vijë në shishe plastike të dyshimtë, duhet të vijë i ambalazhuar, duhet të shkruhet që është prodhim bio i Kukësit, që të mund të konkurrojë çdo lloj mjalti që prodhohet në kushte industriale që vjen nga jashtë dhe që ne e paguajmë sa frëngu pulën”, nënvizoi Kodheli.

Njëherësh ka këmbëngulur fort në faktin që, qeveria “Rama” ka filluar një punë shumë të mirë, nga koka e më të rëndësishmes, që është shteti, pasi nuk mund të kemi një shtet të arnuar. “Sot kemi një situatë tjetër edhe përsa i përket vëmëndjes së bujqësisë, vëmëndjes ndaj qyteteve periferike. Shikoni qendrën e Kukësit, Hasit, Bajram Currit. Është një rilindje. Ku ishin këta zoterinjtë 8 vjet të cilëve ju i keni dhënë votën, mundësisht në këtë qark të bënin ndonjë punë që duket, që preket që ti e shikon. Unë nuk e di kush ka folur me ju me dorën në zemër, për t’ju premtuar. Mund t’ju kenë premtuar shumë, por nuk e di kush ka ardhur me laps në dorë të shikojë se cili është problemi juaj më madhor, si mund të zgjidhet, cilat mund të jenë lehtësitë, nxitësit e biznesit tuaj. Absolutisht ju jeni personat që mbani ekonominë, pa prodhim nuk kemi ku shkojmë”, theksoi Kodheli.

Duke u ndalur tek arritja e marreveshjes mes PS dhe PD, Kodheli tha se ngërçet politike sjellin pasoja negative tek prodhuesit dhe tek ekonomia, qoftë dhe psikologjikisht. “Ashtu siç i shkuam deri në fund bërjes së ligjeve të Vettingut po me atë vullnet e dëshirë e mëndje të ndritur do dimë ta bëjmë ekonominë”, tha kryesuesja e kandidatëve për deputetë të PS në qarkun Kukës.

Në përfundim Kodheli u shpreh se “do të vijë një ditë shumë afër që do të vizitojë çdo fermë, çdo baxho, çdo familje tuajën që ka një aktivitet për të kuptuar më mirë më nga afër hallet dhe problemet që kjo fashë e shoqërisë, apo kjo bazë, kjo zemër e ekonomisë shqiptare ka”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje