Një demagog si Lulzim Basha

6 Qershor 2017, 09:10Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Lulzim Basha po i mëshon më shumë se një herë tezës se është për një sistem elektoral ku deputetet duhen shkarkuar përpara përmbushjes së mandatit nëse nuk arrijnë të mbajnë premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale. Për këtë, ai i referohet sistemit amerikan. Në fakt, nuk kam shumë informacion se si praktikohet ky model në SHBA, megjithatë po ia marr të mirëqenë si ide. Në plan të parë duket si diçka e bukur dhe interesante që kërkon t’i bëjë deputetët më të përgjegjshëm për premtimet e tyre. Në terma kushtetues deputetet janë përfaqësues të popullit i cili me votën e tij e delegon pushtetin tek një individ i caktuar. Deputeti si punë kryesore ka miratimin e ligjeve që vijnë, ose nga qeveria, ose nga ai vetë, me nismë personale apo në grup. Nuk është e thënë që ajo që premtohet në fushatë të realizohet 100 për qind, pasi ndikojnë shumë faktorë qofshin objektivë a subjektivë. Deputeti bën ligje, por të drejtën për zbatimin e premtimeve në praktikë e ka qeveria. Vërtetë deputeti e kontrollon qeverinë me anë të votës, por afërmendsh nuk diskutohet që s’ka qeveri që do kënaqte orekset e premtimeve të të gjithë deputetëve të saj. Kësisoj mund të gjesh plot shkaqe pastaj që për njëmijë e një arsye të kërkosh shkarkime deputetësh çdo 6 muaj për premtime të pa mbajtura që realisht nuk varen tërësisht prej tyre. Gjithsesi, edhe po t’ia marrim si të realizueshme këtë aspekt, a nuk do ishte me vend të bënin dy a tri paralelizma me kohën kur vetë Lulzim Basha ka pas bërë premtime dhe që s’i ka realizuar?

Nuk po i hyj kohës kur ka qenë ministër, sepse përgjigja do ishte standarde: ka qenë dikush tjetër në timonin e qeverisë dhe unë s’mbaj përgjegjësi. Prandaj po kaloj direkt në periudhën kur ka drejtuar Bashkinë e Tiranës meqë aty ka qenë vetë Ali e vetë Kadi.

Besoj e mbani mend që gjatë fushatës elektorale për bashki ai bëri një nga premtimet e tij më të bujshme për të ndërtuar sistemin e transportit me tram në linjën Kinostudio – Kombinat. Pavarësisht se edhe gjatë fushatës iu vu në dukje se ky ishte premtim i parealizueshëm për kushtet tona sepse kishte kosto të lartë ekonomike, ai nuk u tërhoq për asnjë çast dhe e mbronte me kaq pasion saqë e bindi edhe më skeptikun që me këtë vendosmëri që shfaqte do e realizonte jo për 4 vjet, por qysh të nesërmen që do futej në zyrë. Kaluan 4 vjet si kryetar dhe ai premtim, në erë u dha e në erë mbeti. Nuk kërkoi qoftë edhe një herë të vetme ndjesë për një gënjeshtër kaq të trashë që bëri, ndërkohë që po të kishte atëherë këto mendime që ka sot duhet të kish dhënë dorëheqje me kohë.

Po mirë, do të thotë ai, mbase ky ishte premtim elektoral dhe ai nuk u thellua aq shumë në kostot ekonomike dhe e mori pak lehtë. Po ia quaj këtë justifikim, s’po ia quaj fare tramin dhe po kaloj në çështje më konkrete gjatë ushtrimit të detyrës prej tij. Por as këtu nuk po i hyj një ballafaqimi me kryetarin aktual Erion Veliaj në çështje të tilla si: ndërtimi apo rikonstruksioni i shkollave, kopshteve, çerdheve, terreneve sportive, këndeve të lodrave, asfaltimit të blloqeve të banimit nëpër lagje, ndriçimit, gjelbërimit, investimeve në ujësjellës, kontrollit të territorit, administrimit të taksave, cilësisë së shërbimit, etj., etj., pa fund shembuj, sepse në të gjitha është tmerrësisht deficitar. Po t’i hyja këtyre krahasimeve do më duhej të mbushja dy faqe gazetë, prandaj por i bie pak më shkurt duke u fokusuar në vetëm tri gjëra.

Së pari, ai nisi të ndërtonte bulevardin e ri tek ish stacioni i trenit. Të vetmet punë që bëri ishin prishja e terminalit të pasagjerëve dhe shkulja e shinave të trenit. Asnjë metër nuk avancoi gjatë qeverisjes së tij në këtë investim. Ai justifikimi se nuk më la Edi Rama pasi më bllokoi, sikur nuk shkon shumë, sepse dihet që Basha qeverisi 2 vjet nën qeverinë “Berisha” dhe për po kaq kohë iu desh Erion Veliajt për ta ndërtuar bulevardin. Bile, në këtë periudhë, përfshihet edhe parkimi nëntokësor, gjë që në projektin “Basha” nuk ekzistonte fare.

Së dyti, Lulzim Basha nënshkroi gjatë qenies në detyrë një marrëveshje me Rektorin e Universitetit të Tiranës për Kartën e Studentit. Pra, kishte një dokument në letër për të zbatuar. Në fund të mandatit kishim zero rezultat të asaj marrëveshje për të cilën as e vuri ndonjëherë ujin në zjarr.

Së treti, Lulzim Basha nënshkroi me të ndjerin Olldashi një marrëveshje për legalizimin e pallateve pa hipotekë të cilat nuk merrnin dot leje shfrytëzimi. E tundi me të madhe para kamerave atë marrëveshje rezultatet e të cilës ishin zero me xhufkë. Normalisht ajo problematikë mori udhë sapo në zyrën e Bashës hyri Veliaj. Dhe, s‘kish si të ndodhte ndryshe xhanëm!

I solla këto tri shembuj, në dukje periferikë, për t’i dhënë të kuptojë që Lulzim Basha nuk është i zoti të mbajë jo më premtime elektorale, por as çështje për të cilat ka nënshkruar me firmën e tij si titullar institucioni. Këto janë fakte shumë domethënëse të cilat, ndonëse i përkasin një periudhe të shkuar, na risjellin në kujtesë se me cilin personazh kemi të bëjmë. Sepse, duke qenë periudhë fushate elektorale Lulzim Basha i ka dhënë gojës pa frena duke bërë lloj- lloj premtimesh. Ato nisin nga ulje drastike taksash, që përkthehet më pak të ardhura për buxhetin, deri tek premtimet për shpenzime të gjithanshme të cilat, duke rrezikuar të tejkalojnë të ardhurat, mund ta çojnë Buxhetin e Shtetit në një deficit katastrofik të ngjashëm me situatën ku lanë ÇEZ-in. Duke e ditur që këto masa s’ka FMN dhe BB që ia miraton, i bie që nën një qeveri “Basha” t’i fusim parametrat financiarë e të rritjes ekonomike në një aventurë të rrezikshme pasojat e të cilës po ia shohim fqinjit tonë jugor, duke rrezikuar që ekonomia shqiptare të rrëshqasë në një kolaps që zor se e merr veten. Kur ai nuk qe i zoti të qeverisë një njësi më të vogël si bashkia e vjetër e Tiranës, me premtime shumë herë më modeste, si mund t’i besohet një ekonomi më e madhe si ajo kombëtare me premtime demagogjike?! Eksperimenti me Tiranën i humbi 4 vjet kohë qytetarëve të kryeqytetit, prandaj as nuk duhet vënë në diskutim që të marrësh të mirëqena premtimet plot butafori të një dështaku të sprovuar si Lulzim Basha. Ai s’e diskutoi kurrë jetëgjatësinë e mandatit të tij për premtimet e pa mbajtura si kryetar bashkie edhe kur u ndëshkua në parlamentaret e vitit 2013, prandaj dëshira për ta realizuar si kryeministër, i ngjan tramit që s’u bë kurrë realitet. Ah, po, u bë realitet veç në ëndrrat me sy hapur të Lulzim Bashës. Po për ato shqiptarët nuk kanë fare nevojë…

4 komente në “Një demagog si Lulzim Basha”

  1. pellumb qerimi says:

    Vete vali e vete kadi ( valiu pushtetari dhe kadiu gjyqtari)

  2. John says:

    Shkrimi nuk e thote te pakten se ‘deputeti’ dhe ‘kryebashkiaku’ jane dy gjera te ndryshme, por gjithesesi, kane ngjashmeri. Por Basha thote se deputetet duhet te japin doreheqje, jo kryebashkiaket. Nuk eshte njesoj ore militant i PS.

  3. Nope says:

    Che schifo! Propagande pro rilindjes beni ju 24 ne 24. Gjallesat me te shpifura te planetit jeni ju qe I beni karshillek partive te krye hajduteve dhe mashtruesve me ordiner qe ekzistojne. Me pak fjale jeni te gatuar te gjithe nga I njejti mut

  4. Arber Iliri says:

    U Lul ne USA nuk ka deputete me gjysem mandati kohor, por zgjedhjet per kongres nuk behen ne gjithe zonat por gjysma ne cdo dy vjet, me qellim qe Kongresi te jete gjithnje ne pune rinovohet cdo 2 vjet gjysma e tij.Hej bela nuk dine asgje mor jahu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje