PREMTIMET/ Tre programe elektorale të fryra mbi një ekonomi të shfryrë

Programet elektorale për zgjedhjet e vitit 2017 janë arma politike që tre partitë kryesore në vend kanë vendosur në fushatë për tu ndeshur me njëra-tjetrën.

Formacionet e mëdha PS, PD dhe LSI,  po e shpalosin me kujdes përmes kandidatëve të tyre nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, nga lagjja në lagje për të bindur qytetarët se çfarë alternative duhet të besojnë në 4 vitet e ardhshme.

Nga ajo që shihet qartë, konstatohet se hartuesit e këtyre planeve afatgjata, janë munduar që të ndërtojnë diçka gjithpërfshirëse ku çdo qytetar, i cilësdo shtrese shoqërore, profesioni apo vendbanimi të mund ta gjejë veten.

Në këtë mënyrë, është parashikuar që gjithsecili t’i  jepet një “lugë” për të ushqyer shpresat se pas 25 qershorit në Shqipëri do të implementohen projekte të mëdha që do trasformojnë jetën e kujdo.

“Shqipëria që duam”, “Republika e re” dhe “Një shans për të gjithë”, janë sloganet të cilat përfaqësojnë programet elektorale.

Theksi vendoset tek taksimi, punësimi, dhe arsimimi. Shtyllat kryesore ku çdo indivit mbështetet për të realizuar një jetë më të mirë.

“TemA” sjell kontrastin mes programeve të bëra publike gjatë kësaj kohe nga këto forcat kryesore politike në vend.

EKONOMI DHE TAKSA

Nëse do të ndalemi në planin ekonomik të programeve, do të vrojtojmë se të treja forcat politike kanë në bosht të tyre uljen e taksave për qytetarët.

Konkretisht, Partia Demokratike risjell edhe njëherë në skenë taksën e sheshtë.

Selia blu premton taksim prej 9% ndërkohë rivalia kryesore e saj, Partia Socialiste argumenton se do ta rikonsiderojë tatimin mbi fitimin prej 15% përmes normave të diferencuara sipas niveleve të xhiros.

Referuar një deklarate për media  të bërë nga selia blu gjatë hartimit të programit, sa i përket ekonomisë janë premtuar taksa të ulëta dhe zbritje të TVSH-së në nivelin 15%.

Sipas llogjikës së ekspertëve të PD-së, “formula” e tyre do ta bënte Shqipërinë vendin më atraktiv të rajonit për investime.

Nga ana tjetër, selia rozë ka shkruar në platformën e saj se gjatë katër viteve të ardhshme garantohet  një rritje ekonomike mesatare prej 4.5 përqind për të arritur me 5.5 përqind në fund të mandatit të dytë.

Sipas tyre, kjo rritje do të vijë si shkak i konsolidimit të reformave të ndërmara në mandatin e parë.

Gjithashtu PS shkon më tutje duke thënë se përmes politikave të ndjekura do të mundësohet një defiçit buxhetor nën nivelin 2 përqind dhe ulje të borxhit publik nën nivelin 60 përqind.

Vlen për tu përmendur se sa i përket zhvillimit të mëtejshëm ekonomik, socialistët kanë vendosur në programin e tyre projektin “1 Miliardë” i cili pritet të jetë në patneritet me biznesin në sektorë të ndryshëm, social, turizëm apo infrastrukturë.

Projekti “1 miliardë” duket se është huazuar edhe nga PD e cila sjell në programin e saj premtimin “1 miliardë euro në ekonomi”.

Ndërkohë Lëvizia Socialiste për Integrim në platformën e bërë publike në faqen e saj zyrtare, paraqet idenë e një tatimi të përshkallëzuar sipas niveleve të xhiros që shkon nga 5% deri në 10%.

LSI gjykon se përmes platformës së saj do të mundësojë 60% taksa më të ulëta dhe përgjysmim të TVSH-së për konsumet bazë.

PUNËSIMI NËN OPTIKËN E PARTIVE

Tashmë të gjithë e kanë kuptuar se një prej arsyeve se pse shumë individë i bashkohen forcave të ndryshme politike është shpresa për një punë më të mirë, qoftë kjo në shtet apo në sektorin privat.

Partia Socialiste prezantohet në këto zgjedhje me premtimin e madh për 220 mijë vende pune.

Selia rozë gjykon se faktorët kryesorë që do të mundësojnë këtë rritje do të jetë zbatimi i reformës në drejtesi, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve, forcimi i shtetit ligjor, shtimi i investimeve në ekonomi, si dhe ndërhyrjet për të siguruar një ofertë më cilësore në tregun e punës.

Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka premtuar se do të jetë kryeministri i punësimit duke të dhënë idenë përmes këtij “truku” se ky do të jetë njeriu që do fusë në shina papunësinë.

Basha edhe pse ende nuk ka dhënë një shifër konkrete se sa do të jetë numri i vendeve të hapura dhe se si do t’i hapë, mendon se nëse do të vijë në pushtet do të garantojë punësimin e çdo të riu. Një premtim i thënë në këtë formë dhe i pabazuar në një strategji konkrete, është tepër i vështirë për tu besuar.

Sa i takon Lëvizijes Socialiste për Integrim, punësimi i të rinjve në programin e saj elektoral zë hapësirën më të madhe.

Kjo forcë politike premton se nëse do të mund të dalë forcë e parë dhe do të qeverisë vendin, atëherë do të mund të hapë 170 mijë vende të reja pune ku 100 mijë prej tyre do të jenë të mirëpaguara dhe vetëm për të rinjtë. LSI vendos theksin tek bujqësia dhe turizmi të cilat sipas saj do të sjellën më tepër shanse.

ARSIMI

Edukimi është një nga prioritetet e çdo force politike duke menduar për një plan afatgjatë lidhur me të.

Reformat e kryera lidhur me arsimin në vend kanë qenë një nga temat më të diskutuara mes partive. Nga të gjitha palët shkaktohen polemika se si arsimi duhet të ishte më i mirë, duke gjetur shkaqe në këtë sector edhe për “goditje” politike.

Selia rozë, vjen në këto zgjedhje më një reformë të implementuar gjatë katër viteve të fundit ku kërkon ta çojë më tej këtë fillim.

Prioritet i politikave arsimore të PS-së është barazia sociale në arsim duke garantuar mundësi të barabarta, bazuar në aftësi dhe  meritë për çdo nxënës.

Në këtë mënyrë PS e orienton shkollën drejt mësimit të shkencave dhe teknologjive.

Pjesë e integruar e programit të saj është që çdo bashki të ketë të paktën një shkollë profesionale, të specializuar për nevojat e tregut lokal.

Ndërkohë Partia Demokratike nga ana tjetër, thotë se për arsimin do të ketë fonde mjaft të larta.

Kryeopozitari ka premtua se në rast se vjen ne pushtet atëherë do të rindërtojë të gjitha shkollat në vend.

Ai thekson se përmes politikave që do të ndjekë, do mund që të rrisë shpenzimet ku për arsimin dhe shëndetësinë do  shkojnë 150 milionë euro çdo vit.

E kalkuluar, për një mandate shuma kap 600 milionë euro. Duket shifër e pabesueshme nëse mendon valvulat financiare që do të furnizojnë këtë projekt.

Nga ana tjetër Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse ka qenë pjesë e reformimit të arsimit të lartë gjatë këtij mandati, sot duket e pa kënaqur me  gjendjen e arsimit në vend duke propozuar alternativa të reja.

Për LSI-në pagat e mësuesve gjatë 4 viteve të ardhshme duhet të rriten me 50% dhe arsimi i detyrueshëm duhet të bëhet ai 12 vjeçar.

Më tej, kjo forcë politike premton veç të tjerash edhe përgjysmimin e tarifave të shkollës.

IMPLEMENTIMI

Siç e vemë re, forcat politike kanë mangësi të theksuara në hulumtimin ekonomik duke mos dhënë  garanci konkrete se si do të gjenden shumat financiare për tu vendosur në dispozicion të realizimit të platformave. Ky fakt e zbeh besueshmërinë e tyre në publik.

Edhe pse programet elektorale premtojnë kaq shumë, ende nuk dihet se sa do të arrijë të bëjë njëra apo tjetra forcë politike.

Nëse do mund të implementohen këto projekte apo thjesht do të ngelen në letër, kjo ngelet për tu parë në katër vitet e ardhshme ku pas 25 qershorit ne do të jemi pranë qytetarëve për të parë nëse do të kemi Shqipërinë që duam, republikën e re apo shanset për të gjithë.  ( TemA )

 

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “PREMTIMET/ Tre programe elektorale të fryra mbi një ekonomi të shfryrë”

  1. siciliani says:

    Pershendetje!
    Kushdo gje ka dy pare mend mund te kuptoj se keta vetem po mashtrojne. Te besh nje reforme ne ekonomi apo kudo tjeter duhet te kesh edhe nje buxhet te planifikuar, a mund te me thone keta zoterinjte e nderuar se ku do ti gjejne burimet financiare per te realizuar premtimet e tyre?
    Kur i pyet te thone se do ja u marrin hajduteve!!!!!!
    Qesharake dhe per te vene duart ne koke njekohesisht. Lum ne per qytetare qe jemi!!!!
    Dhe lum ata politikane per delet qe drejtojne!!!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *