Rrëfimi i Starovës: Federata do na japë titullin e 2016-s. Duka duhet ta dorëzojë pronësinë e FSHF-së

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, në një rrëfim të gjatë për “Supersport”, ka bërë analizën e sezonit të fundit të skuadrës që ai drejton dhe futbollit shqiptar. Shumë gjëra ai i ka thënë edhe më herët, kryesisht për betejën me Dukën dhe penalizimet e urdhëruara të arbitrave.

Gjithsesi, Starova foli me bindje se federata do t’i japë Partizanit titullin e sezonit të shkuar, ku Skënderbeu u dënua nga UEFA, si dhe shpërblimin që u takon për këtë trofe. Ja disa nga temat që preku Starova në skanerin e tij:

Problemet e Sormanit

“Adolfo Sormani gjeti mbështetjen e gjithë klubit dhe me pak vështirësi arritëm sukses të madh në Europë. Sormani ka meritë për këtë sukses historik, por për disa arsye të tjera erdhi largimi i tij. Shkaku kryesor ishte se pati përplasje me tifozët tonë, e dëmtoi skuadrën dhe krijoi kontradiktë me lojtarët kryesorë.

Tifozët nuk e kuptuan. Trajneri kishte një mospëlqim për aktivizimin e Mazrekajt, për arsye se lojtari dihet se nuk e ka qejf disiplinën. Ai ka pasur të drejtë, por u mërzit, pasi nga një sukses i madh kaloi në një zhgënjim të madh. Nuk pati edhe mbështetjen e disa lojtarëve”.

STAROVA TRAJNER

“Ishte kërkesë e presidentit, pasi nuk duhej të vinte kush tjetër. Zgjidhja ishte e tillë, pasi njihja ekipin dhe nuk toleroheshin vendime të gabuara”.

STADIUMI

“Fakti që ne u stërvitem dhe luajtëm në Elbasan për Europën, në kushte të mrekullueshme, bëri që ne ta donim Elbasanin. Federata pasi vendosi të prishë ‘Qemal Stafën’ duhet ta bënte fakt të kryer që Partizani të luante në ‘Selman Stërmasi’. Duhet të bisedonin me presidentin Refik Halili që të mos u kthehej në bumerang. Mendoj se nuk duhet të diskutohet më për ekipet në Superiore që të flitet për stadiumet”.

PRESIONI DHE LOJTARËT

“Kemi pasur presion dhe konkurrencë të madhe për titullin. Po e lidh me Korabin që ishte shumë simpatik në fillim, por njerëzit nuk e llogarisin si pretendente. Dibranët janë sulmuar dhe penalizuar shumë. Presioni i fitimit të kampionatit nga një trajner shqiptar është më i madh se te të huajt, sidomos unë te Partizani.

Kjo pasi ka shumë kohë pa trofe dhe investime të mëdha dhe pritshmërie. Lojtarët? E përgjithshmja është pozitive, pasi kemi bërë një kampionat model, pastaj diferencat në rendiment janë argumente për analizë të mbyllur mes tyre”.

GJYKIMET

“Presidenti i Federatës i mban mend shumë mirë rastet kur ne jemi favorizuar, siç ishte penalltia e javës së parë me Luftëtarin. Në rastet kur jemi ndëshkuar, nuk ka pasur barazi në ndërhyrjet tona. Neve na kanë penalizuar, ndërsa të tjerët nuk janë ndëshkuar”.

FAZA E DYTË NDAJ KUKËSIT

“Gjyqtari e kishte të shkruar në ballë se ishte kundër nesh. Ndërhyrjet e kundërshtarëve ndaj sulmuesve tanë ishin të tmerrshme. Në këtë sfidë kemi bindjen se gjyqtari erdhi të na dëmtonte. Përjashtimin e Jeminit nuk e kuptoj pas penalltisë që dha kundër Luftëtarit në favorin tonë. Ai na dëmtoi në ndeshjen ndaj Kukësit dhe në derbin kundër Tiranës. Bindjet e mia kundër gjyqtarëve qëndrojnë në fakte dhe Jemini është një nga gjyqtarët më të mirë”.

KRIDENS META

“Gjyqtari Meta ka qenë i korruptuar dhe i porositur për të dëmtuar Partizanin. Meta kam bindjen se u urdhërua. Ai u akordua kamikaz ndaj nesh. Presidenti Duka nuk më ka dhënë përgjigje për pyetjen që i kam bërë për Metën, se a ishte i korruptuar, apo i urdhëruar?”.

GJYQTARI I HUAJ

“Ne kërkuam gjyqtarë të huaj për Kukësin, por na sollën një slloven, ndonëse u tha se do të ishte gjerman. Ai zhvilloi një ndeshje të dobët duke qenë poshtë nivelit të gjyqtarëve tanë. Mendoj se është marrë nga ata që donin të shkonin punët në këtë formë. Kuptohet, zhgënjimi ynë për këtë kërkesë ishte pas ndeshjes”.

VIDEO SKANDALI

“Po pres Prokurorinë. Protagonisti i videos është fshehur në Greqi, madje mund ta ketë bërë edhe për interes të vet për të trukuar ndonjë ndeshje. Pse nuk vazhdoi loja me videon? Presidenti Demi është një person me zemër të madhe dhe ai mori vendimin të mos fuste njeri në burg dhe e la të kalonte. Pikëpyetje për lojtarët? Mezi pres të merret Drini Çaushi në një pyetje në Prokurori dhe të zbardhet gjithë veprimtaria e tij duke hetuar thellësisht dhe të hapen tabulatet e telefonit”.

TITULLI I 2016-ËS

“Ne si klub u thyem me kampionatin e vitit të kaluar, tani presim kupën e sezonit 2015-2016. Jam i sigurt që Federata do të na e japë titullin dhe shpërblimin, ndonëse nuk do ketë festë, por mbetet për të parë nëse Skënderbeu do të bjerë apo jo. Fondi i solidaritetit ishte një tjetër pikë konflikti, pastaj edhe kontributi i FSHF-së ndaj kompleksit të Partizanit ishte një tallje. Në një investim 8 milionë euro ata japin 150 mijë euro”.

DUKA DHE KANDIDATURA

“Nuk kam gjë me Dukën në aspektin personal. E kam ndihmuar, por nuk mendoj se e bëri mirë punën e tij. Duhet të ndryshojë FSHF. Duka duhet ta dorëzojë pronësinë e federatës. Më ofruan detyrën e trajnerit të kombëtares, pasi menduan se ishte karamele për të më larguar. Duka nuk do të jetë pa kandidat në zgjedhjet e ardhshme, pasi ai ka instaluar diktaturën. Gjithnjë kam mbështetur kandidatët për president që kanë pasur platformë dhe kjo vlen edhe për zgjedhjet që do të vijnë”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *