“House of Qatar” / Katër intrigat arabe që bënë të shpërthejë kriza e Katarit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kriza diplomatike që shpërtheu mes vendeve të mëdha arabe dhe Katarit, mund të shpjegohet shkurt: Arabia Saudite dhe aleatët e saj, pra Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, nuk tolerojnë që mbretëria e vogël (por e pasur) e Gjirit, të prishë përsosmërinë e frontit kundër Iranit, kështu që kanë vendosur për një bojkotim kaq të rëndë, saqë mund të shndërrohet në një problem logjistik vdekjeprurës. Prishja e marrëdhënieve diplomatike, mbyllja e kufijve, ndalimi për kompanitë ajrore dhe ato të naftës që të bëjnë biznes: duke marrë parasysh që Katari është një gadishull i vogël që del nga gadishulli më i madh arab, ky izolim mund të bëhet shumë shpejt i papërballueshëm dhe që dje, banorët në Katar nisën të boshatisin raftet e supermerkatove për të krijuar depozita në ushqime në rast ndërlikimesh (për më tepër që kriza vjen gjatë muajit të Ramazanit, periudhë e dedikuar vakteve gjatë natës). Edhe më shkurt: kjo krizë shpërthen për shkak të katër episodeve, që mund të jenë pjesë në stilin e një “House of Cards” arabe. Ja cilët janë, në rend kronologjik.

Një. Në fund të prillit, Katari siguroi lirimin e 26 nënshtetasve të tij me gjak mbretëror, që kishin shkuar për gjueti fajkonjsh në Irak dhe ishin rrëmbyer nga militantë shiitë proIranit. Në shkëmbim, Katari siguroi që në Siri, grupet islamike kundër Assadit të pranonin një armëpushim dhe të ulnin armët gjatë evakuimit të disa qyteteve assadiste në veri, që ndodheshin në vështirësi.

Në logjikën perverse që udhëheq kasaphanën siriane, lëvizja e militantëve shiitë dhe mbështetësve iranianë është një goditje gjeniale: rrëmbyesit vunë bast që Katari do të jepte në shkëmbim bindjen e Hayat Tahrir al Sham, trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Jabhat al Nusra, dega siriane e al Kaedës, dhe pikërisht kjo gjë ndodh. Qeveria e DOhas ndërmjetëson mes luftëtarëve dhe qeverisë, paguan në total një miliard dollarë, siguron një armëpushim si dhe lejen për evakuim dhe liron qytetarët e rrëmbyer në vendin fqinjë, Irakun – dhe provon kështu, në mënyrë spektakolare dhe publike, se ka një aftësi të drejtpërdrejtë për të influencuar grupet islamiste në Siri. Megjithatë, armëpushimi për evakuimin nuk shkon sipas parashikimit. Shteti Islamik ndërhyn në këtë histori dhe godet me autobombë autobusët e sirianëve që largoheshin, pas vitesh të tërë rrethim nga enklavat assadiste (e mbani mend? Furgoni i akulloreve që joshi fëmijët para se të hidhej në erë, duke shkaktuar 130 të vdekur?). Vëzhguesit mbajnë shënim: rrëmbe nënshtetas të Katarit në Irak dhe siguro një marrëveshje, e cila prej vitesh dukej e paarritshme në veri të Sirisë.

Sy, vizita e Trumpit. Vallëzimi me shpatë i Presidentit amerikan dhe pazari i madh i armëve nga ana e sauditëve – shpenzime që shkojnë mbi 100 miliard dollarë – bindin Arabinë Saudite se kanë sërish mandatin amerikan për të qeverisur sektorin e Gjirit, me një indikacion të qartë: të kompaktësojnë frontin e mbretërive sunite kundër Iranit. Nuk është risi, por në gazeta flitet mbi dëshirën e Trumpit për të formuar një “NATO arabe”. Ishte 20 maji, pak më shumë se dy javë më parë. Presioni krijoi kushtet për shfryrjen.

Tre. Katër ditë më pas, në televizionin e Katarit shfaqet imazhi i emirit Tamim al Thani që deklaron: “Irani është një fuqi islamike dhe rajonale që nuk duhet injoruar dhe nuk do të ishte gjë e mençur që të mateshim me ta”. Dhe Hamasi, filiali palestinez i Vëllazërisë Myslimane “është përfaqësues legjitim i palestinezëve”. Hapu qiell! Mbretëritë e Gjirit bllokojnë dhe censurojnë televizionet e Katarit, duke përfshirë edhe vetë al Jazeeran. Katari mbrohet kështu: “Na kanë ndërhyrë hackerat”. Kjo gjendje rindez përçarjet e vjetra mes Katarit dhe Arabisë Saudite, e cila urren Vëllazërinë Myslimane.

Katër. Në 29 maj, gazeta saudite Okaz shkruan se ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed al Thani, u takuanë fshehtësi në Bagdad me gjeneralin iranian Qassem Suleimani, arkitekti i çdo operacioni iranian në Lindjen e Mesme. E vërtetë apo jo, Suleimani është armiku i frontit arab, nga Siria në Jemen, dhe vetëm dyshimi mjafton për të shkaktuar reagime të forta. Dy ditë më parë nisi bojkoti. / IlFoglio – Në shqip nga bota.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *