STATISTIKA/ Euro zbret në nivelin e 133 lekëve; Po hyn shumë valutë, apo ka ngecur ekonomia?!

Euro ka shënuar një tjetër nivel të ulët rekord të 9 viteve të fundit gjatë ditës së sotme.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej me 133.87 lekë gjatë ditës së sotme, me një rënie prej 133.7 lekëve. Ky është niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2009.

Rënia e euros në tregun e brendshëm nuk shpjegohet me ecurinë e saj në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, euro këmbehej me rreth 1.12 lekë me dollarin, duke qenë afër nivelit më të lartë të gati një viti.

Dobësia e euros në tregun vendas, në momentin kur ajo është e fortë në bursa, ka tërhequr poshtë edhe dollarin, në mënyrë që të ruhen raportet ndërkombëtare të këmbimit (133.87/118.83=1.12). Dollari është këmbyer sot në tregun e brendshëm me 118.83 lekë, duke rënë me 0.22 lekë në raport me një ditë më parë.

Teksa lëvizjet e kursit nuk shpjegohen me tregun ndërkombëtar, ekspertët e tregut thonë se janë faktorët e brendshëm ato që po sjellin këtë forcim të lekut.

Konkretisht oferta për valutë, sidomos euro mbetet shumë e lartë në vend.  Burimet zyrtare të hyrjes së valutës në vend lidhen me aktivitetin e shtuar të kompanisë TAP, gjallërimin e eksporteve (megjithëse nafta dhe mineralet tregtohen në dollarë).

Është  e vërtetë që ka shtim të turistëve, por sërish nuk janë në pikun e tyre dhe efekti sezonal i turizmit përgjithësisht ndihet në korrik, ndërsa në gusht presion mbi euron ushtrojnë dhe prurjet e emigrantëve.

Ekspertët e tregut pohojnë se burimet informale të hyrjes së valutës në vend janë shtuar nga kultivimi masiv i hashashit, që tashmë po përmendet në gjithë raportet ndërkombëtare (Raporti vjetor Europian i Drogave të vitit 2017, publikuar së fundmi nga Qendra Europiane e Monitorimit të drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA), theksonte se “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”.

Në kahun tjetër agjencitë valutore kanë konstatuar një rritje të shpenzimeve për fushatën në euro, ndryshe nga vitet e tjera kur ishin në monedhën vendase.

Një tjetër argument që japin ekspertët e tregut është dhe kërkesa e dobët në vend dhe mungesa e qarkullimit të parasë në ekonomi, e argumentuar kjo me kredinë e dobët të bankave, stepjen e investimeve private në pritje të zgjedhjeve dhe nivelin e ulët të shpenzimeve kapitale.

Ekspertët e tregut presin që euro të vijojë të qëndrojë e dobët në verë edhe për shkak të efekteve sezonale (turizmi dhe remitancat).monitor.al

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *