Dhjetë ditët (e Donald Trumpit), që tronditën botën

8 Qershor 2017, 15:06Bota TEMA

Pierre Haski

Është i fortë tundimi që të marrësh titullin e përdorur nga John Reed në vitin 1917, për të rrëfyer Revolucionin e Tetorit në Rusi, “Dhjetë ditët që tronditi botën”. Dhjetë ditë është pikërisht koha që iu desh Donald Trumpit, për të tronditur botën siç e njohim ne.

Që momentin e hyrjes së miliarderit në Shtëpinë e Bardhë, më 20 janar, komentet luhaten, madje edhe në Shtetet e Bashkuara, mes shpresës për të parë këtë Presidenti teksa iu përmbahet në mënyrë progresive parimeve të Partisë Republikane, falë ndikimit të entourage-t të tij, dhe dëshpërimit të atyre që kanë frikë nga dëmet serioze që një presidencë sa jofunksionale, aq edhe dogmatike, mund t’i shkaktojnë një bote në konfuzion dhe, më konkretisht, ndikimit amerikan.

Në mars, Thomas Friedman, opinionist në Nju Jork Tajms, u bënte thirrje “të rriturve” të qeverisë amerikane, dmth gjeneralëve në pozita kyçe dhe Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, ish CEO i gjigantit të naftës ExxonMobil, që të zbusnin paqëndrueshmërinë e rrezikshme të presidentit.

Sauditët, Evropa dhe fundi i multilateralizmit

Dukej se po ia dilnin, të paktën në çështje të rëndësishme, të tilla si NATO, që nga “e vjetëruar” kaloi në “aspak e vjetëruar”, në gojën e Trumpit. Por brenda pak ditësh situata është kthyer shumë shpejt në pikën e fillimit: Udhëtimi i sapopërfunduar i Donald Trumpit në Lindjen e Mesme dhe Evropë, i pasuar nga vendimi i tij për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet e klimës, kanë vënë përsëri në pikëpyetje, themelet e politikës ndërkombëtare.

Presidenti i SHBA ka vendosur reshtohet plotësisht në interpretimin saudit të botës, sidomos demonizimi e Iranit shiit, gjë që bie ndesh me qëndrimin e hapjes me kujdes, të Barack Obamës. Ky lexim, megjithatë, nuk është unanim, siç e tregon edhe kriza që ka shpërthyer, mes Riadit dhe aleatëve të tij nga njëra anë, dhe Katarit në anën tjetër. Arabia Saudite nuk është pa përgjegjësi në rritjen e radikalizmit islamik, me përhapjen përmes dollarëve, në tri dekadat e fundit, të vehabizmit, doktrinës fondamentaliste e cila është në themelet e mbretërisë së Familjes së Saudëve.

Presidenti i SHBA e ka dobësuar në masë të madhe lidhjen midis vendit të tij dhe aleatëve  evropianë, e cila kish qenë shtyllë e palëkundur e politikës së jashtme amerikane, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, duke refuzuar të përsërisë, në fjalimin e tij të NATO-s në Bruksel, mbështetjen për Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili siguron automatikisht solidaritetin e shteteve anëtare, në rast sulmi kundër njërit prej tyre. Ironikisht, të vetmit që përdorën këtë nen në gjashtëdhjetë vjet të historisë së Aleancës ishin, pas 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan i ka dhënë një goditje multilateralizmit, sistemit të marrëdhënieve mes shteteve, që u mundëson të rregullojnë apo shmangin konflikte dhe zgjidhin probleme, duke vendosur në mënyrë të njëanshme tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja e Parisit mbi klimën, në emër të një egoizmi të qartë të vendit të tij. Ai ka dobësuar kështu ambicjet e lidershipit që Shtetet e Bashkuara ushtrojnë në pjesë të ndryshme të botës që prej Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Azi dhe Evropë, dy rajone me peshë të madhe, në një botë shumëpolare kaotike.

Marrëdhënie të tjera, aleanca të tjera

Ky varg traumash të rënda do të ketë pasoja të mëdha, kryesisht për autoritetet amerikane, të cilët do të mbeten pak të besueshëm, për sa kohë që presidenti i tyre, i kërcënuar nga një numër hetimesh të brendshme dhe një aktakuzë e mundshme do të vazhdojë, me sjelljen e tij, të dobësojë themelet e influencës së Shteteve të Bashkuara në botë. Anektoda më e fundit dhe domethënëse është një postim i Trumpit në Tuiter, ku kritikon, duke nxjerrë një frazë jashtë kontekstit, Kryetarin e Bashkisë së Londrës Sadiq Kahn, pas sulmit të fundit që goditi kryeqytetin britanik.

Edhe para këtij hapi fals, që nuk u pëlqye në Britaninë e Madhe, ku do prisnin më shumë solidaritet nga vendi i “marrëdhënieve speciale” me Londrën, kancelarja gjermane Angela Merkel kishte nxjerrë tashmë konkluzionet nga takimet e saj me Donald Trumpin në Uashington, Bruksel dhe Taormina: “Praktikisht nuk mund t’i besojmë më njëri-tjetrit”, tha ajo në fund të majit, gjatë një tubimi në fushatë elektorale, një frazë që bëri të bien këmbanat e alarmit në Uashington.

Angela Merkeli shtoi se “ne evropianët duhet të marrim fatin tonë në duart tona. Ne duhet të luftojmë për fatin tonë”.

Pa thënë në mënyrë kaq eksplicite, aleatët e amerikanëve në Azi janë duke bërë të njëjtat pyetje, në Tokio, Seul apo Singapor, ku mbrojtja e amerikanëve përballë një Kine të dyshuar për ambiciet hegjemoniste rajonale, nuk konsiderohet më një fakt i padiskutueshëm. Ky ndryshim në ekuilibrin strategjik do të ketë pasoja serioze. Nëse Evropa, Azia apo Lindja e Mesme do të vuajnë pasojat për pozicionet e marra nga presidenti i SHBA, atëherë do të shfaqen marrëdhënie të tjera fuqish, marrëveshje të tjera, çështje të tjera të rëndësishme.

E pamë këtë në rastin e vendimit të Donald Trumpit për klimën. Nëse evropianët, siç pritej, e kanë denoncuar këtë zgjedhje, pozicioni i Kinës ishte më spektakolar, teksa Pekini është pozicionuar si kujdestari ndërkombëtar, pavarësisht se është akuzuar, deri kohët e fundit, për dështimin e negociatave të klimës në Kopenhagen. Po ashtu India, gjiganti tjetër “në zhvillim” në Azi, një vend shumë ndotës dhe me rritje të qëndrueshme, e ka shprehur qartë synimin e saj për të respektuar Marrëveshjen e Parisit, apo edhe për të shkuar përtej saj.

Një përgjegjësi historike

Në Evropë sfida është e qartë. E kemi thënë shumë herë pas fitores së Donald Trumpit: zgjedhja e këtij presidenti armiqësor, pas Brexit, e vë bërthamën e Bashkimit Evropian, Francën dhe Gjermaninë në veçanti, përballë një përgjegjësie historike.

“Reshtimi planetar” mes Angela Merkelit, në një pozicion të favorshëm për t’u rizgjedhur në shtator, dhe një president haptaz pro-evropian si Emmanuel Macron në Francë, ofron mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje evropiane, të cilën kishim përfunduar duke mos e besuar më.

Por edhe në qoftë se evropianët nuk i japin jetë një projekti të përbashkët, i cili ka kaluar një dekadë katastrofike, pothuaj vdekjeprurëse, do të duhet kohë për t’u liruar nga varësia psikologjike prej Shteteve të Bashkuara, roli udhëheqës i të cilës, edhe kur kundërshtohej nga gjenerali de Gaulle në vitet gjashtëdhjetë apo Zhak Shirak gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003, ka vazhduar të jetë shtyllë qendrore e rendit botëror.

Nëse duam ta konsiderojmë Trumpin si një aksident të historisë, ndoshta ky i Amerikës është një dobësim i përkohshëm. Por  mundet edhe të jetë hapi i parë drejt një bote të re, me ekuilibra të ribërë.

Sigurisht që është shumë herët për të ditur ndikimin që do të ketë në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, presidenca e Donald Trumpit. Por mund të jemi të sigurt se kemi përjetuar, në periudhën midis majit dhe qershorit 2017, “Dhjetë ditët që tronditën botën”. “Obs” – Në shqip nga bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje