Rekord, 1500 kërkesa për kredi të buta në Bashkinë Tiranë një ditë para skadimit të afatit

Veç një ditë para mbylljes së aplikimeve për programin e kredive të buta me interes 3% pranë Bashkisë janë dorëzuar mbi 1500 kërkesa.

Mësohet se të gjitha dosjet e dorëzuara deri në datën 8 qershor do të kalojnë për shqyrtim në Komisionin e Strehimit dhe më pas lista do të dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak.

Qytetarët thonë se kanë zënë radhë që në orët e para të mëngjesit. Numri i aplikantëve në radhë, në ditën e fundit të aplikimeve, më 8 qershor, kishte kaluar 700.

“Në orën 5 të mëngjesit kemi ardhur, që kemi zënë radhën. Edhe ditë të tjera kemi ardhur. Letrat i kam dorëzuar dje, vetëm kam për të dorëzuar një vërtetim që s’kam banesë. Jetoj në Laprakë në shtëpi me qira prej 20 vitesh. Jemi pesë persona në familje”, shprehet një qytetar në radhë.

“Dje isha, edhe sot prapë. Dje nuk kishte kaq shumë njerëz, kurse sot miting i madh. Kam ardhur në 6 e gjysmë. Jetoj në Shkozë me qira, jemi tre veta në familje”, pohon një tjetër aplikante për kredi të butë.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Tiranës bëjnë të ditur se vetëm brenda një dite, para mbylljes së aplikimeve, janë pranuar për t’u kaluar për shqyrtim, 435 kërkesa për kredi të butë.

Kësaj shifre i shtohen edhe 1100 kërkesa të tjera, që janë dorëzuar në Bashki deri në  datën 2 maj.

Para nisjes së aplikimeve të reja për programin e kredive të buta në Bashki kanë qenë të depozituara 1800 dosje.

Tashmë, të gjitha aplikimet e dorëzuara në Bashki deri në datën 8 qershor do t’i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit të Strehimit dhe më pas lista do të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.

Parashikohet që lista e parë e përfituesve të miratohet brenda muajit qershor.

Për vitin 2017, Bashkia e Tiranës ka planifikuar të shpërndajë 1 mijë kredi të buta për blerje apartamenti me interes 3%

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *